Kur uji bëhet helm

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Nuk është më çështja vetëm se kush e ndoti ujin në Gostivar. Kjo tashmë po hetohet dhe drejtësia duhet të japë përgjigje. Çështja është shumë më e madhe dhe shumë më e frikshme.

Mbi tre mijë njerëz kërkuan ndihmë mjekësore. Qindra familje kaluan ditë të tëra në ankth. Fëmijë, të moshuar, të sëmurë kronikë. Ndërkaq, institucionet luanin pingpong me përgjegjësinë.

Ministria priste Prokurorinë. Prokuroria nuk fliste. Analizat ekzistonin, por publiku nuk kishte të drejtë t’i dinte. U deshën ditë të tëra që qytetarëve t’u thuhej ajo që duhej ta dinin që në momentin e parë se uji ishte tepër i ndotur.

Në një shtet normal, transparenca është pjesë e mbrojtjes së shëndetit publik. Këtu, informacioni trajtohet si pronë private e institucioneve.

E pas shumë kritikave dhe presioneve, mbrëmë vonë Prokuroria doli me rezultatet tragjike, uji në Gostivar kishte 48 herë më shumë baktere se e lejuara.

Sot flasim për Gostivarin. Nesër mund të jetë Tetova, Shkupi, Kumanova apo çdo qytet tjetër. Sepse problemi nuk është vetëm një pompë e vendosur në mënyrë të paligjshme. Problemi është sistemi që funksionon vetëm pasi ndodh katastrofa.

Ky është vendi ku gjithmonë (nuk) veprohet pasi njerëzit vdesin ose sëmuren.

Pas spitalit modular në Tetovë u premtua përgjegjësi. Pas Llaskarcës u premtuan reforma. Pas “Besa Trans” u premtua kontroll. Pas Koçanit u premtua drejtësi.Sa herë e kemi dëgjuar këtë fjali? Sa herë na kanë premtuar se “kjo nuk do të përsëritet”?

Epilogu? Përgjigjen e dimë të gjithë! Çdo tragjedi e re dëshmon se asgjë nuk ka ndryshuar. Ndryshojnë vetëm viktimat.

Në gjithë këtë kaos, më alarmante është kultura jonë e heshtjes si shoqëri. Me raste revoltohemi dy-tre ditë, shkruajmë disa statuse në Facebook, komentojmë nëpër kafene, e pastaj i mbyllim sytë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“E derisa delet flenë, barinjtë do të hedhin valle”.

Ky rast duhet të shërbejë si alarm kombëtar, jo vetëm për të ndëshkuar dikë, por për të ndryshuar rrënjësisht sistemin i cili për vite e vite me radhë është ndërtuar nga neglizhenca, mungesa e kontrollit dhe kultura e pandëshkueshmërisë.

Uji është e drejta themelore e njeriut, nëse shteti nuk mund të garantojë këtë, atëherë çfarë? Sot ishte uji, dje spitali e diskoteka, pardje autobusi. Nesër çfarë? Do vazhdojmë të numërojmë viktima, të dëgjojmë deklarata për zbardhje të plotë të rastit, të dëgjojmë konferenca për shtyp dhe premtime e premtime…

Në një shtet ku askush nuk mban përgjegjësi, viktima e ardhshme mund të jetë secili prej nesh.

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.