Mickoski: Kanë përfunduar ofertat nga takimi i liderëve me Kovaçevskin, prej sot opsion janë vetëm zgjedhjet

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se meqë pas takimit të liderëve me kryeministrin Dimitar Kovaçevski më 7 qershor, nuk ka marrë përgjigje cilën nga dy ofertat që i ka dhënë e pranon LSDM, tani mbetet vetëm opsioni i zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk.

“Dy opsionet që i ofrova në takimin e liderëve ishin në tavolinë deri në këtë moment, deri në këtë emision nuk kam dëgjuar përgjigje nga ana e Kovaçevskit se cilën nga dy opsionet e pranon, të parën me veprim të prolonguar dhe të shohim, apo të dytin zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga sot, ka vetëm një opsion në tavolin, ndërsa ai është zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Mickoski në emisionin “Samo vistina” në Kanal 5.

Ai foli edhe për bashkëpunetimet potenciale të VMRO – DPMNE-së në të ardhmen pas zgjedhjeve, në të cilat është i bindur se partia e tij do të fitojë.

“Nuk e përjashtojë mundësinë që në të ardhmen ndonjë LSD e reformuar, ndonjë grup i deputetëve i pavarur i cili do të del pas zgjedhjeve nga radhët e LSD-së që të mbështesë Qeverinë e kështu me radhë. Nuk përjashtojë mundësi të tilla, në politikë nuk mund të përjashtoni asgjë asnjëherë”, tha Mickoski.

Ndërsa sa i përket BDI-së, ai tha se ka qëndrim të qartë dhe do të bëjë çmos që integristët të mos jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

“BDI është varianti i fundit për bashkëpunim. Të jem edhe më preciz, me këtë udhëheqësi të BDI-së dhe do të bëjmë çmos që qeveria e ardhshme të jetë pa BDI-në. Mos dyshoni në këtë”, tha Mickoski.

Ndryshe, gjatë takimit të fundit të liderëve, Kovaçevski i ka propozuar Mickoskit të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej qeveria, në të cilën nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM, 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Për Mickoskin kjo ishte e pranueshme, nëse BDI-ja nuk do të ishte brenda qeverisë. BDI-ja nëpërmjet një reagimi publik pranoi të dalë nga qeveria, nëse opozita i voton ndryshimet kushtetuese, edhe pse nuk është ende e qartë së nëse dalin nga qeveria, çfarë do të bëhet me premtimin kryesor të zgjedhjeve të kaluara – kryeministri i parë shqiptar, për të cilin me këmbëngulje kanë premtuar se do ta realizojnë.

Përveç kërkesave plastike, Mickoski kërkoi nga institucionet evropiane që të garantojnë identitetin maqedonas, të përgatisin një paketë ekonomike për qytetarët dhe bizneset maqedonase, si dhe garanci se Bullgaria do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.