Hulumtimi i Konrad Adenauer: Është rritur mbështetja për NATO-n, për BE-në është pothuajse në nivelin e njëjtë

Në tre vitet e fundit është rritur mbështetja për NATO-n, ndërsa për BE-në mbetet pothuajse në nivelin e njëjtë, tregon hulumtimi që publikoi sot fondacioni “Konrad Adenauer”, transmeton Portalb.mk.

Sipas rezultateve, 65,7 përqind e të anketuarve kanë mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, përkundër 27,3 përqind që nuk e përkrahin. Ndërkaq, shtatë përqind të qytetarëve kanë deklaruar se nuk kanë qëndrim, përkatësisht nuk e dinë.

Në raport me tre vitet e kaluar, vërehet rritje e vazhdueshme e mbështetjes së anëtarësimit. Në vitin 2021 ajo ka qenë 59,8 përqind, ndërsa vitin e kaluar 64,2 përqind.

Kjo do të thotë se, mbështetja për anëtarësimin e vendit në NATO për tre vite është rritur për 5,9 përqind.

Shumica e qytetarëve vlerëson edhe se, Maqedonia e Veriut tani është më e sigurt dhe më stabile.

“Në raport me ndikimin e anëtarësimit në NATO ndaj sigurisë së Maqedonisë së Veriut 56,1 përqind e të anketuarve vlerësojnë se sot shteti ëshhtë më i sigurt dhe më stabil përkundër 35 përqind të cilët mendojnë se, shteti është më i pasigurtë dhe më pak stabil, që paraqet stabil, që paraqet dallim prej 20 përqind në krahasim me grupacionin e parë të të anketuarve”, thuhet në raportin e “Konrad Adenauer”.

Ndërsa, në raport me BE-në, 62,3 përqind e të anketuarve në hulumtimin e opinionit publik kanë thënë se, e mbështesin procesin e eurointegrimeve. Përkundër tyre, 32,7 përqind nuk e përkrahin, ndërsa 7,7 përqind janë deklaruar se nuk kanë qëndrim.

“Në krahasim me vitin 2022, përqindja e përkrahësve të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet kryesisht e njëjtë, megjithatë vërehet rritje e atyre që kundërshtojnë prej 3,2 përqind”, thuhet në raport.

Një pjesë e hulumtimi është edhe qëndrimi i qytetarëve për atë se për sa kohë Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në BE.

Grupi më i madh i të anketuarve përkatësisht 39,3 përqind vlerësojnë se nuk do të ndohë asnjëherë. 11,3 përqind vlerësojnë se anëtarësimi do të ndodhë për 10-20 vite, ndërsa 8,5 vlerësojnë se vendi do të anëtarësohet në BE për pesë vite.

Hulumtimi është bërë në fund të muajit maj të këtij viti. Anketën e ka realizuar Instituti për Hulumtime Politike (IPIS) sipas shembullit prej 1,111 anketues dhe është realizuar përmes telefonit.