Ageler: Siguria dhe prosperiteti i RMV-së është në anëtarësimin në BE

Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha sot se nuk i takon asaj të flasë se si po e ecë procesi i ndryshimeve kushtetuese, por beson se prosperiteti dhe siguria e Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ajo shtoi se kalimi kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kujton vendimet e vështira që duhet të merr vendi. E di që nuk është e lehtë, tha Ageler, duke shtuar se inkurajon qytetarët që tu bëjnë të ditur politikanëve se janë pro integrimit të vendit në BE.

Përndryshe, ambasadorja amerikane Angela Ageler ka vizituar sot pikën kufitare “Bogorodicë”, ku ka zhvilluar takim pune me ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovskin.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese në vend, Ageler tha se qytetarët duhet t’ua bëjnë të ditur strukturave politike se duan të jenë pjesë e BE-së. Nga ana tjetër, politikanët nga të gjitha partitë duhet të punojnë drejt integrimit të vendit në BE.

Ambasadorja amerikane Angela Ageler dhe ministri Oliver Spasovski sot prezantuan donacionin nga SHBA që përbëhet nga të ashtuquajturat “kamera trupi” të reja për punonjësit e policisë, si dhe në dy mjetet e specializuara për zbulimin e lëndës radioaktive.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend. Deri tani, Kuvendi nuk i ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.