Mexhiti: VLEN do të jetë parti e djathtë me dy kryetarë, Qoku nënkryetar
Partia VLEN e cila do të shkrijë në të katër parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pritet të ketë dy kryetarë kurse do të jetë parti me ideologji të djathtë. Kështu u shpreh Izet Mexhiti i cili pritet të jetë njëri nga liderët e kësaj partie së bashku me Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.
Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti në një intervistë për Alsat-M tha se koalicioni i disa partive që do të shndërrohet në një parti është dakorduar për modelin me bashkëkryetarë, për të organizuar më mirë strukturën e saj si parti politike.
“Pas shumë debateve dhe argumentesh, pro dhe kundër, u dakorduam që modeli më i përshtatshëm për VLEN është të ketë bashkëkryetarë, bashkë me Bilall Kasami,” tha Mexhiti duke konfirmuar se kryetari tjetër do të jetë Bilall Kasami.
Ai konfirmoi se Bekim Qoku do të jetë nënkryetar partie, Bekim Sali sekretar partie, kurse se ende nuk dihet kush nga Aleanca për Shqiptarët do të jetë nënkryetar, Ilir Demiri apo Mimoza Musa.
Ai shtoi se janë dakorduar rreth ideologjisë së VLEN, që do të jetë qendër e djathtë.
“Është zgjedhur modeli i lidershipit që është një risi. Karakteristikë e VLEN është dialogu dhe jo vendimet autokrate. Edhe pse është modeli i bashkëkryetarëve, brenda kryesisë vendimet do të merren me konsensus; nëse ka ndonjë dilemë, do të shkohet me shumicë absolute, jo të thjeshtë. Krejt kjo është në funksion të demokratizimit të skenës politike,” tha Mexhiti.
Sa i përket çështjes së Arben Fetait dhe Fatmir Limanit, ai tha se personat në fjalë mbeten në parti dhe se nuk ka problem me to.
Kujtomë se bashkimi i partive LD, BESA, ASH dhe Alternativa po paralajmërohet me muaj. Më 7 mars 2026, në Kosovë liderët e partive u takuan me kryeministrin kosovar, Albin Kurti nga ku dhanë mesazhin që më në fund po bëhen një parti.
Më herët, partitë në fjalë morën vendime për shkrirjen e organeve partiake me qëllim të bashkimit.

- LEXO: LD-ja e Izet Mexhitit vendosi të shkrihet në partinë VLEN
- LEXO: ASH-ja e Fetait e autorizoi Fetain të negocion për shkrirjen e koalicionit VLEN në parti politike
- LEXO: Kush do jetë lider i VLEN-it, Kasami apo Mexhiti?
- LEXO: Kasami i shpalosi vendimet e Kuvendit të Lëvizjes Besa, mes tjerash u shkarkua kryesia Qendrore (VIDEO)