ASH-ja e Fetait e autorizoi Fetain të negocion për shkrirjen e koalicionit VLEN në parti politike

Në një takim të anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët, nën udhëheqjen e zëvendëskryeministrit Arben Fetai, u mbajt mbledhja e Kuvendi Themelues të Aleancës, transmeton Portalb.mk.

“U thirr një Kuvend për Themelim, i cili miratoi konceptin “Aleanca e Re”, si hap strategjik drejt një VLEN-i më të fuqishëm dhe të unifikuar”, njoftoi Fetai, duke shtuar se “synimi është i qartë, themelimi i VLEN-it si parti politike e vetme”.

Ai ndër të tjera sqaroi që në këtë takim janë marrë disa vendime në lidhje me strukturën dhe të ardhmen e partisë, duke theksuar që ky vendim nuk është fundi i ASH-së, por një hap drejt përfaqësimit në VLEN.

“Në funksion të riorganizimit dhe forcimit të brendshëm, kemi marrë vendime konkrete dhe me efekt të menjëhershëm: 1. Pezullimi i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri. 2. Shpallja e një moratoriumi të përkohshëm në të gjitha aktivitetet partiake. 3. Me shumicë votash, Kuvendi për Themelim më autorizoi që të zhvilloj negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it”, njoftoi Fetai.

Në këtë takim nuk mori pjesë asnjë deputet i Aleancës dhe VLEN-it, ndërkohë në takim mungoi edhe ministri i Aleancës, Azir Aliu.

Ndryshe, Lëvizja Besa më 12 shkurt mori vendim për shkrirjen e organeve partiake në koalicionin VLEN, ndërkohë e autorizoi liderin Bilall Kasami për zhvillimin e bisedimeve rreth shndërrimit të koalicionit VLEN në parti. Ky vendim është pritur mirë nga lideri i LD-së, Izet Mexhiti. Ky i fundit është që VLEN të ketë dy kryetarë.

Gjithçka ka ngecur te zgjedhja e liderit, pasi janë 4 kryetarë partishë brenda koalicionit. Përfliten disa opsione, si rotacion njëvjeçar të kryetarit, opsioni me bashkëkryetar, por edhe opsione tjera. Brenda VLEN tashmë janë 6 subjekte: LD, BESA, AAA, ASH-Fetai, VV dhe Arbëria. Më 16 shkurt, Afrim Gashi ka paralajmëruar dorëheqje nëse në VLEN nuk do të gjejnë zgjidhje për punën e kryetarit.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti më 25 nëntor të vitit 2025 gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Drejtpërdrejt” në TV Telma deklaroi se mes tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it. Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti thonë se nuk e kanë problem se cilido të bëhet lider.