LD-ja e Izet Mexhitit vendosi të shkrihet në partinë VLEN
Izet Mexhiti së bashku me partinë e tij, Lëvizjen Demokratike (LD), ka vendosu që të shkrihet në VLEN, në kuadër të procesit të shndërrimit të VLEN-it nga koalicion në parti, transmeton Portalb.mk.
“Sonte, me propozim të Kryetarit Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike mbajti takim me strukturat partiake, me një pikë të vetme të rendit të ditës – zyrtarizmin e VLEN-it si forcë e bashkuar politike”, njoftoi LD-ja, duke vlerësuar se kjo është një kërkesë e shumicës së shqiptarëve.
Kjo parti, ka autorizuar kryetarin Izet Mexhiti që të vazhdon negociatat në procesin e transformimit të VLEN-it nga koalicion në parti.
“Ky hap konsolidon skenën politike shqiptare dhe vendos baza të forta për pjesëmarrje dhe ndikim më të madh të shqiptarëve në jetën e ardhshme politike”, vlerësoi LD-ja.
Ndryshe, Lëvizja Besa më 12 shkurt mori vendim për shkrirjen e organeve partiake në koalicionin VLEN, ndërkohë e autorizoi liderin Bilall Kasami për zhvillimin e bisedimeve rreth shndërrimit të koalicionit VLEN në parti. Një pjesë e Aleancës për Shqiptarët e ka autorizuar Arben Fetain, ndërsa pjesa tjetër e Aleancës për Shqiptarët do të përfaqësohet nga Latif Arifi.
Gjithçka ka ngecur te zgjedhja e liderit, pasi janë 4 kryetarë partishë brenda koalicionit. Përfliten disa opsione, si rotacion njëvjeçar të kryetarit, opsioni me bashkëkryetar, por edhe opsione tjera. Brenda VLEN tashmë janë 6 subjekte: LD, BESA, AAA, ASH-Fetai, VV dhe Arbëria. Më 16 shkurt, Afrim Gashi ka paralajmëruar dorëheqje nëse në VLEN nuk do të gjejnë zgjidhje për punën e kryetarit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti më 25 nëntor të vitit 2025 gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Drejtpërdrejt” në TV Telma deklaroi se mes tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it. Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti thonë se nuk e kanë problem se cilido të bëhet lider.
- LEXO: ASH-ja e Fetait e autorizoi Fetain të negocion për shkrirjen e koalicionit VLEN në parti politike
- LEXO: Mexhiti: Mes meje dhe Kasamit do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it
- LEXO: Kush do jetë lider i VLEN-it, Kasami apo Mexhiti?
- LEXO: Kasami i shpalosi vendimet e Kuvendit të Lëvizjes Besa, mes tjerash u shkarkua kryesia Qendrore (VIDEO)