Mexhiti për keqpërdorimin e të dhënave të pacientëve në Traumatologjinë e Tetovës: Inkurajojmë të veprojë Prokuroria sipas ligjit

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti është i njoftuar me rastin për padinë penale për keqpërdorim të detyrës kundër shefit të Repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme – Traumatologjisë me inicialet I.B. në Spitalin e Tetovës, i cili akuzohet për një sërë veprash penale. Mexhiti sot deklaroi se si Ministria është e gatshme 24/7 të ofrojë informata për rastin dhe inkurajoi Prokurorinë të veprojë sipas ligjit, shkruan Portalb.mk.

Ministri duke përmendur rastin e mjekut TikToker në Spitalin e Tetovës, tha se janë aty për të reaguar siç bënë në rastin e skandalit të TikTokut, dhe se njëjtë do veprojnë edhe në të ardhmen.

“Në Tetovë është aktualisht rasti që janë keqpërdorur disa të dhëna të pacientëve. Rasti është në Prokurori. Ne i inkurajojmë tërë sistemin juridik dhe Prokurorinë dhe të gjitha gjykatat që të veprojnë ashtu si urdhëron ligji. Gjithçka që i duhet Prokurorisë ne qëndrojmë në dispozicion 24/7 për të gjitha informatat nga ana jonë”, tha Mexhiti.

28 korrik 2023, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se SPB Tetovë ka dorëzuar padi penale kundër I.B. (51) nga Tetova për shkak të ekzistimit të dyshimit për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, “keqpërdorim të të dhënave personale”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndihmë” në lidhje me veprën penale “mashtrim të sigurimit”, kundër A.N.M. (41) nga Shkupi për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “ofrim të provave të rrejshme” dhe ndihmë në lidhje me veprën penale “mashtrim sigurimi” dhe kundër A.L. (29) nga Tetova për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale “raste të veçanta të falsifikimit të dokumenteve” dhe “ndihmë” në lidhje me veprën penale “mashtrime sigurimi”.

Sipas MPB-së, i paraqituri në cilësinë e mjekut dhe udhëheqësit të Repartit të Traumatologjisë – Kirurgjia në Qendrën Klinike Tetovë, pa pajtueshmëri dhe njohuri i ka shfrytëzuar të dhënat personale të gjashtë pacientëve dhe ka krijuar raporte mjekësore në emër të mjekëve të punësuar në qendrën klinike pa miratim dhe duke i keqpërdorur faksimilet e tyre dhe sistemin “Termini im”, por edhe nëpërmjet koordinimit dhe lëshimit të raporteve mjekësore me përmbajtje të pavërtetë.

“Këto raporte, me ndërmjetësim të të paraqiturit të tretë A.L. janë dorëzuar deri tek i paraqituri i dytë A.N.M., i cili në cilësinë e avokatit në mënyrë të kundërligjshme ka përgatitur autorizim të pacientëve në të cilat ata nuk janë nënshkruar dhe bashkë me dokumentacionin tjetër i ka dorëzuar deri te një kompani sigurimi, në bazë të të cilës është paguar dëmshpërblim jomaterial me vlerë prej 297.000 denarë (4.800 euro) në llogarinë e personave. Mjetet janë tërhequr nga i paraqituri i tretë, i cili paraprakisht ka arritur që prej tyre të marrë autorizim për tërheqjen e parave në filialet e bankave në Tetovë, pa ua treguar qëllimin e vërtetë për përgatitjen e atyre autorizimeve”, informuan nga MPB.

Portalb.mk nga MPB-ja siguroi informacionin veprat penale janë kryera në qershor të vitit 2021.

Në këtë periudhë në Repartin e Traumatologjisë – Kirurgjia në Qendrën Klinike Tetovë, udhëheqës ka qenë Ilber Besimi, i cili, ashtu siç e ka shkruar biografinë e tij në rrjetin social Linkedin, në këtë pozitë ka qenë në periudhën prej marsit 2015 deri në korrik të vitit 2022.

Biografia e Ilber Besimit në Linkedin
Biografia e Ilber Besimit në Linkedin

Portalb.mk dje bisedoi me mjekun Besimi, i cili na tha se nuk është në dijeni për çështjen në fjalë.

“Nuk e di, nuk kam lexuar diçka të tillë as jam i informuar se për çfarë bëhet fjalë. Mund të ju them se derisa kam qenë unë udhëheqës nuk ka pasur, keqpërdorim të të dhënave personale të pacientëve”, tha për Portalb.mk Besimi.

Gazetari i Portalb.mk ia shpjegoi në pika të shkurtra padinë e Policisë, ndaj të cilës ai tha se “e tmerrshme, as kam marrë ndonjë para e as njoh ndonjë njeri që i përmend”, duke injoruar se ai ka bërë ndonjë vepër penale.

Për këtë rast, drejtori i Spitalit të Tetovës – IlirDemiri dje na njoftoi se nuk ka marrë ndonjë shkresë zyrtare nga Policia dhe Prokuroria për këtë padi dhe se për rastin është i njoftuar nga portalet. I pyetur nëse e sheh të arsyeshme të interesohet për rastin në fjalë, pasi është drejtor i Spitalit, Demiri përsëritet duke theksuar se pret informim zyrtar dhe se duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë (shkrim i redaksisë: çdokush është i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia).

Megjithatë, rasti nuk është “në portale”, siç thotë drejtori, por i njëjti është në buletinin zyrtar të MPB-së ku publikohen raporte në bazë ditore dhe policia nuk ka për detyrë t’i informojë drejtorët e institucioneve për ndonjë shkelje eventuale, por drejtorët, në bazë të parimit të llogaridhënies dhe transparencës, në këso raste duhet të mbledhin informata dhe ta informojnë publikun për qëndrimin e institucionit.

Prokuroria sot e konfirmoi se rasti ende nuk ka arritur deri tek ata, ndërkaq nga Dhoma e Mjekëve nuk u përgjigjën ende në pyetjet nëse ndaj mjekut në fjalë do të marrin ndonjë masë.

Ilber Besimi ka qenë nënkryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë prej vitit 2017-të deri në vitin 2022. Momentalisht, Besimi është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Mjekëve.