Junta e Mianmarit e fali pjesërisht lideren civile Suu Kyi

Lideres së burgosur civile të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, i është falur dënimi me burg për pesë raste, megjithëse ajo ende përballet me 14 raste të tjera, njoftuan të martën mediat shtetërore, transmeton REL.

Një puç ushtarak në shkurt 2021 e zhyti vendin e Azisë Juglindore në kaos dhe në dhunë të madhe, pasi junta ushtarake nisi një luftë të përgjakshme ndaj disidencës.

“Kryetari i Këshillit të Administratës Shtetërore e ka falur Aung San Suu Kyi, e cila ishte dënuar nga gjykatat relevante në pesë raste”, tha transmetuesi shtetëror i Mianmarit.

Transmetuesi publik tha se fituesja e Çmimit Nobel për Paqe ende përballet me 14 raste gjykate.

Njoftimi i së martës vjen si pjesë e një amnistie të më shumë se 7.000 të burgosurve për ta shënuar Kremtën Budiste.

Junta njoftoi të hënën se do ta zgjasë gjendjen emergjente për gjashtë muaj, që nënkupton shtyrje të zgjedhjeve të caktuara për t’u mbajtur në gusht.

Suu Kyi, e cila ka qenë në paraburgim që nga viti 2021, është dënuar me 33 vjet burgim për një numër akuzash, përfshirë korrupsion, posedim të jashtëligjshëm të radiolidhjeve dhe shkelje të rregullave të koronavirusit.

“Ajo nuk ka mundur të lirohet plotësisht, edhe pse disa dënime iu falën. Ajo ende duhet të përballet me 14 raste. Vetëm pesë nga 19 raste iu falën”, tha një burim ligjor, duke folur në kushte anonimiteti.

Ish-presidenti i Mianmarit, Win Myint, i cili u rrëzua nga pushteti po ashtu gjatë grusht shtetit, do të falet në dy raste, sipas transmetuesit publik.

Ndërkohë, 125 të huaj të burgosur do të falen dhe do të lirohen.

Sipas televizionit, një numri të paspecifikuar të të dënuarve me vdekje u është ulur deri në burgim të përjetshëm.