Drejtori i Spitalit të Tetovës kërkon të ruhet prezumimi i pafajësisë për mjekun që MPB dorëzoi padi penale për keqpërdorime në Traumatologji

Në Spitalin e Tetovës nuk ka arritur shkresë zyrtare nga Policia dhe Prokuroria në lidhje me padinë penale për keqpërdorim të detyrës kundër shefit të Repartit të Repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme – Traumatologjisë me inicialet I.B. dhe për rastin jam njoftuar nga portalet. Kështu deklaroi drejtori i Spitalit të Tetovës, Ilir Demiri në pyetjen e Portalb.mk në lidhje me rastin në të cilin MPB ka dorëzuar padi penale kundër mjekut, një avokati dhe një personi tjetër për kryerjen e një sërë veprash penale serioze, mes tjerash “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale” të 6 pacientëve, shkruan Portalb.mk.

“Ne nuk jemi të njoftuar me atë, do duhet të merrni në Polici dhe Prokurori deklarata, nuk kemi ne – nuk kam shkresë oficiale, është vetëm në portale që e kam dëgjuar, nuk kam shkresë oficiale prej prokurorisë dhe policisë, deri sa nuk ka unë nuk mund të marr, çdonjëri mund të jetë i dyshuar për çdo gjë, duhet të kem letër prej prokurorisë, unë nuk jam as prokuroria as policia, ata duhet të më sjellin se ky është kështu, në bazë të ligjit kështu duhet të veprohet, kjo është”, tha Demiri për Portalb.mk.

Por, rasti nuk është “në portale”, siç thotë drejtori, por i njëjti është në buletinin zyrtar të MPB-së ku publikohen raporte në bazë ditore dhe policia nuk ka për detyrë t’i informojë drejtorët e institucioneve për ndonjë shkelje eventuale, por drejtorët, në bazë të parimit të llogaridhënies dhe transparencës, në këso raste duhet të mbledhin informata dhe ta informojnë publikun për qëndrimin e institucionit.

I pyetur nëse e sheh të arsyeshme të interesohet për rastin në fjalë, pasi është drejtor i Spitalit, Demiri përsëritet duke theksuar se pret informim zyrtar dhe se duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë (shkrim i redaksisë: çdokush është i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia).

“Çdokush mund të ngre padi dhe përderisa nuk vërtetohet me aktgjykim, për të gjithë vlen parimi i prezumimit të pafajësisë”, shton Demiri.

Duke e pasur parasysh se inicialet I.B. përkasin me emrin dhe mbiemrin e Y(I)lber Besimit, ish udhëheqësit të Traumatologjisë të Spitalit të Tetovës, Portalb.mk, kontaktoi me mjekun në fjalë i cili na tha se nuk është në dijeni për çështjen në fjalë.

“Nuk e di, nuk kam lexuar diçka të tillë as jam i informuar se për çfarë bëhet fjalë. Mund të ju them se derisa kam qenë unë udhëheqës nuk ka pasur, keqpërdorim të të dhënave personale të pacientëve”, tha për Portalb.mk Besimi.

Gazetari i Portalb.mk ia shpjegoi në pika të shkurtra padinë e Policisë, ndaj të cilës ai tha se “e tmerrshme, as kam marrë ndonjë para e as njoh ndonjë njeri që i përmend”, duke injoruar se ai ka bërë ndonjë vepër penale.

Ilber Besimi ka qenë nënkryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë prej vitit 2017-të deri në fillim të vitit 2022.

Si udhëheqës i Traumatologjisë, për Besimin mund të gjenden informacione publike se ka qenë në këtë pozitë prej vitit 2018-të deri në mes të vitit 2021.

Ndryshe, më 28 korrik 2023, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se SPB Tetovë ka dorëzuar padi penale kundër I.B. (51) nga Tetova për shkak të ekzistimit të dyshimit për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, “keqpërdorim të të dhënave personale”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndihmë” në lidhje me veprën penale “mashtrim të sigurimit”, kundër A.N.M. (41) nga Shkupi për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “ofrim të provave të rrejshme” dhe ndihmë në lidhje me veprën penale “mashtrim sigurimi” dhe kundër A.L. (29) nga Tetova për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale “raste të veçanta të falsifikimit të dokumenteve” dhe “ndihmë” në lidhje me veprën penale “mashtrime sigurimi”.

Sipas MPB-së, i paraqituri në cilësinë e mjekut dhe udhëheqësit të Repartit të Traumatologjisë – Kirurgjia në Qendrën Klinike Tetovë, pa pajtueshmëri dhe njohuri i ka shfrytëzuar të dhënat personale të gjashtë pacientëve dhe ka krijuar raporte mjekësore në emër të mjekëve të punësuar në qendrën klinike pa miratim dhe duke i keqpërdorur faksimilet e tyre dhe sistemin “Termini  im”, por edhe nëpërmjet koordinimit dhe lëshimit të raporteve mjekësore me përmbajtje të pavërtetë.

“Këto raporte, me ndërmjetësim të të paraqiturit të tretë A.L. janë dorëzuar deri tek i paraqituri i dytë A.N.M., i cili në cilësinë e avokatit në mënyrë të kundërligjshme ka përgatitur autorizim të pacientëve në të cilat ata nuk janë nënshkruar dhe bashkë me dokumentacionin tjetër i ka dorëzuar deri te një kompani sigurimi, në bazë të të cilës është paguar dëmshpërblim jomaterial me vlerë prej 297.000 denarë (4.800 euro) në llogarinë e personave. Mjetet janë tërhequr nga i paraqituri i tretë, i cili paraprakisht ka arritur që prej tyre të marrë autorizim për tërheqjen e parave në filialet e bankave në Tetovë, pa ua treguar qëllimin e vërtetë për përgatitjen e atyre autorizimeve”, informuan  nga MPB.

Nga Prokuroria na njoftuan se lënda ende nuk ka arritur te ato.

Portalb.mk pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Dhomën e Mjekëve në lidhje me rastin në fjalë, por deri në publikimin e lajmit nuk na janë përgjigjur.