Mexhiti: Ndërtimi i Poliklinikës së Sarajit është në fazën përfundimtare, do ta vëmë në përdorim në ditët në vijim
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot njoftoi se Poliklinika e Sarajit është në fazën përfundimtare dhe se në ditët në vijim do të vendoset në funksion, duke mos konkretizuar datën. Ndërkaq, rikujtojmë se drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Vullnet Selimi në fund të muajit dhjetor për Portalb.mk tha se Poliklinika e Sarajit do të hapet më 10 janar.
“Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti njofton se ndërtimi i Poliklinikës Saraj në Shtëpinë e Shëndetit – Shkup është në fazën përfundimtare dhe duhet të vihet në përdorim në ditët në vijim.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Polikinika e Sarajit, sipas ministrit Mexhiti ishte e përfunduar që në nëntor të vitit 2023 por pritej nga Ministria e Financave që t’i miratojë punësimet. Nga Shtëpia e Shëndetit – Shkup hapja e poliklinikës paralajmërohej për në muajin dhjetor mirëpo sipas Drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Vullnet Selimi, hapja e poliklinikës u vonua për shkak të ankesave që kanë pasur në lidhje me punësimet dhe se hapja e poliklinikës do të jetë më së voni më 10 janar të vitit 2024.
Poliklinika e Sarajit është paraparë të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore të Shkupit e cila do të disponojë me ambulantë ditore, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rentgeni dhe farmaci që do ju shërbejë pothuajse 40 mijë banorëve të Sarajit. Që kjo Poliklinikë të vendoset në funksion duhej të ketë rreth 52-54 të punësuar. 26 punonjës veçmë janë pranuar në konkursin e mëhershëm dhe që të përmbushen kriteret e kërkuara me ligj, do të duhet të punësohen edhe 26 të tjerë.

Përndryshe, në shkurt të vitit 2019 është prezantuar projekti për ndërtimin e Poliklinikës së Sarajit dhe atëherë Ministria e Shëndetësisë ndau 40 milionë denarë nga buxheti dhe që atëherë ishte premtuar se në verën e vitit 2019 do të fillonin ndërtimet.
Ndërtimi i spitalit ishte paraparë të mbarojë në shkurt të vitit 2022, por punimet në terren e kanë zgjatur deri në shtator ku pastaj është pritur nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë furnizim me mjete.
Në maj të vitit 2023 edhe pse objekti ka qenë i përfunduar serish ndërtime ka pasur përreth oborrit dhe hapësirës së poliklinikës.
Në nëntor të vitit 2023, ministri i Shëndetsisë tha se Poliklinika e Sarajit është përfunduar mirëpo ende nuk kishin miratim nga Ministria e Financave për punësim të personelit mjekësor.
Në fund të muajit nëntor, 2023, Ministria e Financave për Portalb.mk konfirmoi miratimin e punonjësve mjekësor. Ministria e Shëndetësisë gjithashtu konfirmoi dorëzimin e dokumentave te Shtëpia e Shëndetit – Shkup e cila është përgjegjëse për punësimet.
Në fillim të muajit dhjetor, 2023, Shtëpia e Shëndetit – Shkup konfirmoi se ka punësuar 26 punonjës në Poliklinikën e Sarajit dhe se pritej që gjatë muajit dhjetor të vendosej në funksion poliklinika.
- LEXO: Poliklinika e Sarajit pritet të vendoset në funksion 10 ditët e para të janarit, ankesat gjatë punësimeve vonojnë hapjen
- LEXO: Javën e ardhshme do të publikohet lista e 26 të punësuarve në Poliklinikën e Sarajit, këtë muaj pritet të vendoset në funksion
- LEXO: Ministria e Financave ka siguruar mjete për punësime në Poliklinikën e Sarajit, pritet të hapet konkursi
- LEXO: Poliklinika e Sarajit është gati, por s’mund të lëshohet pasi s’ka para për staf mjekësor
- LEXO: Edhe pse kryetari Bexheti premtoi, punimet në poliklinikën në Saraj nuk përfunduan në muajin shkurt