Informatat kthyese të lexuesve herë-herë na kumtojnë se shkrimet i kemi të një fryme apo kategorie afër artikujve shkencorë, se gëlojnë nga terma profesionalë dhe se deri diku përjashtojnë lexuesin e qejfit dhe që s’ka kohë për të lexuar gjatë. Këtë radhë vendosëm të bëjmë një shkrim të shkurtër, më me shpirt, me porosi shumëndimensionale. Nën lupë kemi vënë sekuenca të shkresave të gjigantit të letërsisë ruse, Tolstoi ( 1862–1910), autor i veprave monumentale Lufta dhe paqja, Ana Karenina, i cili vdiq në një stacion treni teksa ishte rrugës për në Stamboll, “kryeqytetin e botës”, ku dëshironte t’i kalonte ditët e fundit të jetës. Në kuadër të thesarit të vet la fjalë që cilësohen si mësime jete, si xhevahirë që ndriçojnë të gjithë ata që janë të hapur për të pranuar të vërtetat e një kulture apo filozofie praktike. 17 thëniet në vijim mund t’i quajmë edhe aksioma, “fjalë të shenjta” të një profeti laik, të një “të jshtëzakonshmi” që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në analet e historisë. Besojmë se s’ka nevojë për shumë komente e ekzegjezë të këtyre thënieve. Ato më mirë flasin ashtu siç i ka shprehur një person si Tolstoi, me staturë të lartë intelektuale, që ka jetuar në kërkim të kuptimit të jetës, të vetëpërmirësimit të vazhdueshëm.
- Ka disa gjela që mendojnë se dielli lind sepse ata këndojnë.
- Jeta as nuk e sjell atë që ka shkuar, as nuk ta kthen kohën që ke humbur. Ose do t’i përjetosh gjërat në kohën e duhur, ose mos qaj që nuk i ke përjetuar.
- Monedha e vogël ta shpon xhepin, njeriu i prishur – zemrën. Prandaj harxhoji të dyja dhe shpëto.
- Për ta operuar njeriun trupërisht, duhet ta vësh në gjumë; për ta operuar shpirtërisht, duhet ta zgjosh.
- Të gjithë pranojnë që njerëzimi po shkon drejt së keqes, por askush nuk pranon se vetë po bëhet më i keq. Të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën, por askush nuk mendon ta ndryshojë veten.
- Njerëzit që nuk sjellin asgjë me praninë e tyre, nuk të mungojnë fare kur largohen.
- Pse të zemërohesh me djallin? Bëj një të mirë, që të zemërohet ai me ty.
- Dije mirë: nuk do të kujtohesh për ato që ke jetuar, por për ato që i ke bërë të tjerët të jetojnë. Dhe mos harro: çfarë u ke bërë të tjerëve, do ta përjetosh edhe vetë një ditë.
- Një njeri nuk duhet gjykuar sipas pozitës ku ndodhet, por sipas pozoitës ku synon të arrijë.
- Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
- Nëse një njeri ndien dhimbje, është gjallë. Nëse ndien dhimbjen e tjetrit, është njeri.
- Fuqia e vërtetë e njeriut nuk është te kërcimi, por te qëndrimi i palëkundur.
- Njeriu që nuk ka tjetër synim veç lumturisë së vet, është njeri i keq.
- Edhe nëse shumica e njerëzve e bën një të keqe, ajo nuk pushon së qeni e keqe.
- Askush nuk është aq i madh sa të përçmojë dikë tjetër. Mbaje mend: për çdo gjë që përçmon, do të paguash një çmim një ditë.
- Para se t’i hedhësh baltë dikujt, mendo mirë dhe mos harro: së pari përlyhen duart e tua.
- Mëso nga jeta e të tjerëve. Njeriu nuk jeton aq gjatë sa t’i bëjë vetë të gjitha gabimet.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.