Reportazhë nga Greqia: Qershitë, dredhëzat dhe disa perime me çmime më të ulëta se në RMV

Çmimet e frutave, pjeshkëve, luleshtrydheve, qershive, mollëve nga 2 euro deri në 9 euro. Çmime më të larta për produktet e çokollatës, kafesë, disa produkte higjienike. Vendet tërheqëse në Greqi që vizitohen më shumë nga qytetarët e Maqedonisë tashmë po mbushen me turistë, transmeton analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Çmimet në shitore, kafene, plazhe

 Një pjesë e madhe e restoranteve, shitoreve, tavernave, vilave, hoteleve në vendet më të njohura turistike në Greqi janë tashmë të hapura – ato pritën mysafirët e parë në këtë sezon veror. Edhe pse fillimi i sezonit zakonisht shoqërohet me pushimet verore në shkolla, në vendet më të vizituara greke nga qytetarët e Maqedonisë tashmë ka turistë, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga Bullgaria, Gjermania, Rumania.

Në pritje të pikut të verës disa çmime në shitore dhe në plazhe kanë mbetur në nivelin e vitit të kaluar, por disa çmime, sipas menaxherëve të tregtisë, janë rritur tashmë dhe do të ketë rritje të reja të çmimeve.

Nëpër markete ishte i dukshëm shtrenjtimi i kafesë, çokollatës, por edhe produkteve për higjienë. Kështu, çokollata e njohur greke Lacta këtë vit kushton 2,75 euro, 200 gramë hallvë greke kushton 2,35 euro, një pako me 4 kanaçe birre në një sasi të përgjithshme prej 500 ml shitet për 5,20 euro. “Portalb” i regjistroi edhe çmimet e disa produkteve ushqimore bazë së bashku me frutat dhe perimet.

Gjysmë kilogrami bukë e paketuar kushton nga 1,50 euro deri në 2,98 euro për kilogram dhe ullinjtë në kavanoz shiten nga 3,95 euro deri në mbi 5 euro, varësisht nga pesha dhe marka. Çmimet e frutave dhe perimeve në markete të ndryshme shiten kryesisht me të njëjtin çmim, por prapë se prapë kishte dallime të dukshme në çmime prej një deri në dy euro.

Një kilogram qershi kushton nga 8,9 euro deri në 11 euro.

“Qershitë janë ndër frutat më të shtrenjta, çmimi i furnizimit është shumë i lartë, por këto çmime këtu janë kryesisht më të larta se ato në Selanik për shembull, atje mund të blesh qershi për 4 euro, por këtu është një destinacion turistik dhe çmimet janë më të larta. Zakonisht ne i ulim disa nga çmimet e perimeve kur fillon sezoni”, thotë pronari i një marketi të vendosur në një nga destinacionet turistike në gishtin e parë, atë të Kasandrës.

Një kilogram pjeshkë shitet për 2,50 euro, një kilogram luleshtrydhe për 2,90 euro, një kilogram portokall për 2,80 euro, ndërsa mollët nga 2 euro deri në 3 euro. Një kilogram speca kushton 2,60 euro, kastravecat për 0,39 euro, ndërsa një kilogram domate shitet për 2 euro.

Kafeja, espreso, kapuçino, frape, shiten nëpër markete nga 2,20 euro deri në 2,80 euro, por disa shitës thonë se nga ky muaj çmimet do të rriten.

“Çmimi i kafesë po rritet vazhdimisht, do të na duhet ta shtrenjtojmë, me këto çmime jo vetëm që nuk kemi fitim, por jemi edhe me humbje” – thotë një punonjës në një market.

Çmimet e çokollatës dhe produkteve të tjera të çokollatës gjithashtu janë rritur ndjeshëm.

“Unë shes akullore këtu dhe nuk e di se si e blejnë turistët, i pyes pse e blini kur është kaq e shtrenjtë” – thotë një shitës tjetër në një market.

Në plazhet e pjesës më të madhe të vendeve turistike të Kasandrës, dy shezlongje dhe një çadër ju jepen nëse blini një pije që kushton të paktën 5 euro. Një pjatë sallatë dhe një picë e vogël në restorantet pranë plazhit shiten nga 10 euro, çmimi i sanduiçëve varion nga 4,50 euro deri në 9 euro dhe një pjatë me ushqime deti nga 15 euro deri në 17 euro. Një pjatë sufllaqe ose giro në restorante shitet për 9 euro.

Inflacioni nuk e ka kursyer as Greqinë, rritja e çmimeve ndjehet dukshëm edhe në turizëm, i cili është një nga sektorët strategjikë mbi të cilët mbështetet ekonomia greke. Gjeografikisht afër, Greqia, së bashku me Shqipërinë dhe Bullgarinë, të cilat poashtu kanë dalje në det, janë destinacionet më të vizituara nga qytetarët tanë.