Nga pyll në tokë ndërtimi: Si u pozicionuan njerëzit e lidhur me pushtetin në zonën ekskluzive të Vodnos
“E morën të gjithë Vodnon”, tha Ljupço Shapçevski, duke parë nga mali që ngrihet mbi shtëpinë e tij mbi kompleksin hotelierik Panorama. Miratimi i draftit të ri të PDU-së për rajonin Barutana ku ai jeton ka shkaktuar një ortek reagimesh. Revolta e tij nuk është pa arsye, sepse në atë zonë po ndërtohet me shpejtësi. Dhe në vendet e shtëpive të vjetra, por gjithnjë e më shumë edhe në parcelat e zbrazëta, në atë zonë të pjerrët janë planifikuar të ndërtohen edhe pesëmbëdhjetë shtëpi të reja, praktikisht ndërtesa nga 500 deri në 1.000 metra katrorë, shkruan BIRN.
Iniciativa për të vazhduar me ndërtimet pavarësisht rrezikut nuk buron nga planet e ekspertëve dhe ato afatgjata për zhvillimin e Qendrës së Shkupit, siç e kërkon urbanizmi modern, sepse sipas Planit të Përgjithshëm Urbanistik për Shkupin Barutana tashmë është e mbindërtuar.
Por, kjo është rezultat i presionit nga investitorët, të cilët kohët e fundit janë pozicionuar në Vodno duke blerë një pjesë të parcelave.
E ata nuk janë njerëz të rastësishëm. BIRN i hulumtoi lidhjet e disa prej tyre me kryesinë e partive që kanë numër dominant të këshilltarëve komunalë në Qendër, LSDM dhe VMRO-DPMNE, dhe nga vendimi i të cilëve varet fati i kësaj pjese të Vodnos.
Barutana zë një sipërfaqe të vogël, rreth 7 hektarë, ose pothuajse sa madhësia e dhjetë fushave të futbollit. Por lokacioni konsiderohet ekskluziv dhe ka presion të madh për ndërtim. Nga ana tjetër, sipas dëshmive të banorëve të kësaj zone, kushtet për banim në këtë pjesë të Vodnos janë modeste.
Shapçevski, i cili jeton këtu që nga vitet 1960, tregon për sistemin e dobët të kanalizimeve që kalon nën oborret e shtëpive, për rrugën që po shkatërrohet njësoj si oborri i tij, për borën që nuk është pastruar kurrë nga rruga sepse kamionët nuk mund të ngjiten nëpër të, por edhe për mënyrën se si pas çdo shiu nga Vodno uji rrjedh si lumë, duke bartur me vete një sasi të madhe të gurëve.
Kjo është arsyeja e frikës së tij nga një PDU i tillë, i cili lejon që në terrenin e pjerrët të Barutanës, në vetë pyllin e Vodnos, të mbijë një numër i madh i objekteve.
Projekt-plani hapi hapësirë për finalizimin e tij. Muajin e kaluar ai u miratua me votat e këshilltarëve të LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së në Komunën Qendër. Vendimi u prit me rezistencë në publik dhe në mesin e pakicës së këshilltarëve nga të pavarurit Shans për Qendrën, por edhe nga këshilltarët nga partia “E Majta” dhe ZNAM-i.
“Kjo është ndonjë marrëveshje mes investitorëve privatë dhe komunës – të bëjnë çfarë të duan dhe të jetojnë në Vodno ku nuk ka absolutisht asnjë kusht”, tha Shapçevski.
Ai, me peticionin në të cilin janë nënshkruar një numër i madh i banorëve të Barutanës, po përpiqet ta parandalojë miratimin e PDU-së së ri, përgatitja e së cilit paguhet nga kompani private.
Për momentin për atje nuk mund të lëshohen leje për ndërtime të reja, sepse në fund të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi PDU-në e mëparshëm për Barutanën, sepse në vitin 2014 u miratua me më pak vota të këshillit sesa kërkohet me ligj.
Nëse miratohet PDU i propozuar, atëherë nuk do të ketë pengesë për ndërtimin.

Lidhjet nga Strumica
Mes të tjerash me projekt-planin për Barutanën janë paraparë hacienda në pyll, të shënuara në terren të pjerrët, në të cilin për momentin nuk ka kurrfarë qasje. BIRN zbulon se katër nga lokacionet më ekskluzive, ato që ndodhen në pikën më të lartë të kodrës, janë blerë në të njëjtën ditë, në shtator të vitit 2023.
Të dhënat nga kadastra shtetërore tregojnë se ato janë blerë nga tre kompani.
Përballë katër haciendave në projekt-planin janë shënuar edhe tre pulla të tjera për hacienda, njëra është në parcelë shtetërore, ndërsa dy në tokë që tani ka 25 trashëgimtarë së bashku me shtetin. Në kadastër ato janë të shënuara si “pyll”.
Dy parcela ka blerë kompania e ndërtimit “Energo Maksystem”, ndërsa nga një “International Group” dhe “Ensof Capital”. Këto kompani janë të lidhura me njëra tjetrën, ndërsa disa nga pronarët e tyre kanë edhe raporte me majën e establishmentit politik. Paraprakisht pronarë të parcelave ishin individë privatë, të cilët i kishin trashëguar ato nga gjyshërit e tyre, të cilët këtu kanë poseduar pyje dhe kullota, ndërsa një pjesë më e vogël ka qenë edhe në pronë shtetërore.
Nga viti 2023 deri në vitin 2026, pronarët e rinj e kanë blerë pjesën në pronësi të shtetit në tokën e tyre, por edhe i kanë zgjeruar parcelat duke e blerë tokën shtetërore në afërsi të tyre, e cila në atë periudhë në kadastër u transferua nga “pyll” në “tokë ndërtimi të pandërtuar”.
Për “Energo Maksystem” publiku për herë të parë mësoi vitin e kaluar kur nga Agjencia Shtetërore për Menaxhimin e Pronës të Sekuestruar bleu një parcelë atraktive prej pothuajse 19 mijë metrash katrorë në Gjevgjeli, pikërisht përpara pikës kufitare Bogorodica. Kjo tokë ishte sekuestruar nga ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, pas marrëveshjes së tij me gjykatën.
Edhe pse kompania u themelua në vitin 2014 dhe tani është në pronësi të Sanja Kostovski, deri para dy vitesh ajo ka qenë në emër të primabalerinës Tanja Vujisiq-Todorovska, bashkëshortes të Ljupço Todorovski-Radnikot, bashkëpunëtor i ngushtë i Mijallkovit në kohën kur të dy ishin zyrtarë të lartë të policisë.
Sanja Kostovski, bashkë me bashkëshortin e saj Sasho Kostovski, kanë disa kompani në sektorin e ndërtimit dhe energjetikës, ndërsa janë edhe themelues të shoqatës për mbrojtjen e kishës “Shën Kostandini dhe Elena”, e cila u ndërtua në qendër të Shkupit me kërkesë të ish-kryeministrit dhe kushëririt të Mijallkovit, Nikolla Gruevski.
Në hapjen e kishës bashkëshortët Kostovski u prezantuan si themelues.
Kompania e dytë që në të njëjtën ditë në vitin 2023 bleu parcelë në pikën më të lartë të Barutanës është “International Group” me seli në Strumicë. Struktura e saj e pronësisë është e lidhur me Strumicën dhe Bullgarinë, sepse themeluesit e kompanisë janë dy kompani bullgare.
Pronarët e njërës prej tyre janë babai Simeon dhe i biri Goran Krstev, banor i Strumicës i cili për vite me radhë ishte pjesë e rrjetit të biznesit në të cilin shfaqen kompani dhe individë të lidhur me familjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev. Për marrëdhëniet e ngushta midis Krstevit dhe Zaevit dihet prej kohësh, që nga viti 2008, kur të dy u falën për rastin e “Global” të Strumicës.
Kompania e dytë bullgare është e regjistruar në emër të Vllatko Jovanovskit, i cili është i regjistruar si shtetas i Bullgarisë dhe ka themeluar disa kompani për tregti, transport dhe shpedicion në Bullgari.
“International Group” ndërton ndërtesa në Strumicë, ndërsa kohëve të fundit ka blerë pjesë edhe në “Ski Kozhuf Invest”, kompania që në procedurë falimentimi e bleu tokën e qendrës së skijimit “Kozhuf”.
Informacioni i siguruar nga BIRN tregon se ndoshta nuk është rastësi që të dy kompanitë kanë blerë njëkohësisht parcela në Vodno.
Dy kompanitë, “Energo Maksystem” dhe “International Group” me seli në Strumicë – nga rivalë për tokë ndërtimore në Gjevgjeli u shndërruan në biznes – partnerë. Fillimisht ata konkurruan për tokën atraktive në Mijallkovit pranë Bogorodicës dhe dhanë oferta për të pranë Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar. Pastaj, pasi fitoi “Energo Maksystem”, ajo ia shiti gjysmën e parcelës kompanisë “International Group”. Në fund ato themeluan edhe një kompani të përbashkët.

Kompania e tretë me parcelë në kodrën mbi Barutanë është “Ensof Capital”, kompani në pronësi të Robert Noveskit, shtetas i Gjermanisë i cili, përveç në ndërtimtari, ka qenë aktiv edhe në biznesin me marijuanë.
Edhe ai parcelën e ka blerë në të njëjtën ditë, në shtator të vitit 2023, që pastaj të themelojë kompani të përbashkët me Sanja Kostovskin, pronaren e “Energo Maksystem”.
Këtij grupi në fund të dhjetorit të vitit 2025 i bashkëngjitet Masar Omeragiq përmes kompanisë familjare për transport “Rule Tours”, e cila është koncesionare e stacionit të autobusëve ndërqytetar në Shkup. Konkretisht, “Energo Maksystem” ia ka shitur “Rule Tours”-it një nga dy parcelat e saj në këtë pjesë të Vodnos disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi planin për Barutanën dhe ndaloi ndërtimin e objekteve të reja deri në miratimin e një PDU të ri.
Omeragiq njihet për atë që ia shiti një nga kompanitë e tij Mijallkovit. Për momentin është në postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), por është edhe investitor i ndërtesave përballë qendrës tregtare East Gate. Ky pozicion i mundëson Omeragiqit kontakte të shpeshta me vetë elitën politike.
Iniciativa private për Barutanën
Në anën e kundërt të këtyre katër parcelave në kodrën mbi hotelin “Panoramika” dy parcela janë blerë që më parë nga një kompani tjetër, “Llutariko”, e cila që të mund të fillojë të ndërtojë në vitin 2024 nga komuna ka kërkuar që të miratojë PDU të ri dhe ta finacojë vetëm përgatitjen e tij.
Në fund të fundit nga kjo iniciativë përfitojnë të gjithë investitorët e pozicionuar në mikrolokacionin e njohur si Barutana.
Në draftin e PDU-së dy parcelat e “Llutariko” që shtrihen në 4.000 metra katrorë, janë shënuar me pesë shtëpi, të gjitha më të mëdha se 500 metra katrorë.
Megjithatë, gjatë vizitës tonë në terren vumë re se kishte vetëm shkurre dhe drunj.
Të shënuara në kadastër si “park” toka në afërsi të Ambasadës Franceze, e cila paraprakisht ishte në pronësi të Republikës së Francës, është blerë prej saj në vitin 2016 dhe i është transferuar “Llutariko”-s po atë vit, tregojnë të dhënat nga kadastra shtetërore të cilat i siguroi BIRN.
Kompania ka arritur ta regjistrojë si tokë ndërtimore në vitin 2024, pas çka që të mund të ndërtojë hacienda private kërkon përgatitjen e një PDU të ri, sepse në të vjetrin në këto parcela ishin planifikuar objekte shtetërore.
“Llutariko” ka dy pronarë, Momir Simiq dhe Gjorgji Vukov. Krahas me ndërtim, ky i pari merret edhe me shpedicion, ndërsa i dyti është i njohur për fitimin e një game të gjerë tenderash, përfshirë këtu edhe nga Komuna Qendër.
“Link Media Plus” e tij, e cila njihet më së miri për dekorimin e komunave për Vitin e Ri, ka bërë edhe furnizim me uniforma për nxënësit e shkollave fillore dhe policinë, materiale për zyra, madje edhe pllaka çeliku për termocentrale, ndërsa ka fituar tendera edhe për larjen e rrugëve dhe automjeteve zyrtare nëpër institucione.
Barutana tashmë është e mbindërtuar
Por që e gjithë kjo të fillojë të ndërtohet, pas miratimit të draftit këshilltarët do duhet të votojnë për PDU-në final. Nëse mbetet njësoj si drafti, atëherë do duhet të hapet një rrugë e re në kodrën mbi Barutanë që pronarët e rinj të mund të arrijnë deri te haciendat e tyre në Vodno. Ekspertët paralajmërojnë se jo vetëm që komuna do të jetë në humbje, por edhe se do jetë e vështirë që të ndërtohet rruga për shkak të terrenit të pjerrët.
Problemi është se edhe në PDU-në e ri janë përfshirë ndërtesa disa herë më shumë sesa lejohet nga PPU për këtë pjesë të Shkupit. Praktikisht, ndërtesat tashmë të ndërtuara e kanë tejkaluar limitin për ndërtim në këtë pjesë të Vodnos.
Përballë katër haciendave në projekt – plan janë projektuar tre pulla të tjera për hacienda – njëra është në parcelë shtetërore, ndërsa dy në tokë që tani ka 25 trashëgimtarë, së bashku me shtetin. Në kadastër janë shënuar si “pyll”.
Ndërsa Vodno është një zonë potencialisht erozive, kështu që prerja e dhjetëra mijëra metrave katrorë pyll për ndërtimin e rrugëve dhe ndërtesave të reja në shpate të pjerrëta mund ta rrisë këtë rrezik. Komuna tashmë e ka pranuar këtë rrezik.
Për ta bërë situatën më të komplikuar ndërtesat e reja problematike, shumica e të cilave janë në vetë kufirin e planit, në pikën më të lartë të pyllit, janë shënuar prej shumë kohësh dhe planifikuesit nuk duan t’i fshijnë ato që investitorët të mos e padisin komunën.
Ato në pyllin e Barutanës janë shënuar në vitin 2009, si shtëpi të gjera njëkatëshe me nënkulm. Në PDU-në e vitit 2014 ato u bënë edhe me nga një kat më shumë. Në projekt – planin aktual u është hequr nënkulmi, por u është lënë e njëjta lartësi.

Përndryshe, argumenti kryesor i planifikuesve me të cilin ata mbrojtën draft PDU-në ishte se ai lejonte sipërfaqe më të vogël për ndërtim sesa PDU tashmë i shfyqizuar. Për vërejtjet se ai binte ndesh me PPU-në, i cili është akt më i lartë, ata përsëritën se tashmë ekzistonte PDU me parametra më të mëdhenj, i cili ishte miratuar nga institucionet.
Nga shëtitja nëpër Barutana mund të shihet edhe se investitorët janë shumë të gjindshëm. Kështu, në njërën nga rrugët e ngushta për momentin po ndërtohet ndërtesë, e cila praktikisht ka gjashtë kate, edhe pse plani sipas të cilit është dashur ta merrte lejen, parasheh që të aty të ndërtohet shtëpi dykatëshe me nënkulm.
Por, parcela ka qenë në një gropë, kështu që ndërtesa është bërë me “bodrum” me tre kate.
Deri tek ndërtesa arrihet përmes një rruge të ngishtë, e cila ndërsa ngjitesh lart ngushtohet edhe më shumë, kështu që arritja deri në lokacion paraqet sfidë për automjetet më të mëdha, siç janë zjarrfikësit. Edhe para votimit të planit të ri kjo gjë ka qenë problematike, kështu që është bërë pa pëlqimin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Banori Shapçevski është i shqetësuar për gjithë këtë gjendje. Thotë se tani po jeton keq. Me një plan të këtillë ai druan se do jetojë edhe më keq.