Konsultime sa për sy e faqe, pse shumica e ligjeve në RMV anashkalojnë qytetarët
Maqedonia e Veriut ende nuk po e shfrytëzon sa duhet mekanizmin përmes të cilit qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara mund të marrin pjesë në hartimin e ligjeve. Raporti i fundit i Komisionit Evropian vlerëson se transparenca dhe konsultimi në procesin legjislativ kanë shënuar vetëm përmirësim të kufizuar, ndërsa potenciali i platformës ENER për politikëbërje gjithëpërfshirëse mbetet i pashfrytëzuar, raporton Portalb.mk.
Sipas të dhënave të Qeverisë të cituara nga KE-ja, gjatë vitit 2025 Qeveria përcaktoi gjithsej 133 projektligje. Prej tyre, 74 iu nënshtruan vlerësimit të ndikimit rregullator, ndërsa vetëm 27 projektligje, ose 36.5 përqind, u publikuan në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve – ENER – për konsultim me palët e interesuara.
ENER është mekanizmi kryesor për konsultimin publik për propozimet ligjore para se ato të hyjnë në procedurë qeveritare. Sipas raportit, afati për dorëzimin e komenteve është 30 ditë. Megjithatë, KE-ja konstaton se cilësia dhe ndikimi i konsultimeve publike mbeten të dobëta.
“Vetëm rreth një e treta e projektligjeve që i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit rregullator publikohen në ENER, ndërsa organizatat e shoqërisë civile përbëjnë 10% të komenteve të dorëzuara. Potenciali i ENER-it dhe mekanizmave të tjerë për hartimin gjithëpërfshirës dhe të bazuar në dëshmi të politikave ende nuk shfrytëzohet sa duhet. Për më tepër, në gusht 2025 u krijua një njësi e re për të kryer shqyrtime ex ante të projektligjeve të propozuara nga deputetët dhe shqyrtime ex post të ligjeve të miratuara gjatë vitit të fundit”, thuhet në raport.

Edhe pjesëmarrja në konsultime mbetet e ulët. Për 27 projektligjet e publikuara në ENER, palët e interesuara dorëzuan gjithsej 199 komente, por vetëm 20 prej tyre, ose 10.1 përqind, erdhën nga organizatat e shoqërisë civile.
Raporti vëren se përqindja e projektligjeve të publikuara në ENER është rritur me vetëm 2.5 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, kur ishte 34 përqind. Pra, edhe pse ka një përmirësim të vogël, shumica e projektligjeve që iu nënshtruan vlerësimit të ndikimit rregullator nuk u publikuan në ENER për konsultim.
KE-ja gjithashtu thekson se organizatat e shoqërisë civile kanë raportuar se konsultimet me Qeverinë ndonjëherë zhvillohen me afat të shkurtër, pa agjendë të qartë dhe kryesisht në mënyrë formale. Kjo, sipas raportit, kufizon mundësinë që konsultimet të ndikojnë realisht në procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve.
“Organizatat e shoqërisë civile vunë në dukje se konsultimet me Qeverinë ndonjëherë zhvillohen në afate të shkurtra, pa agjendë të qartë dhe kryesisht në mënyrë formale. Për më tepër, disa organizata të shoqërisë civile që punojnë për çështje të ndjeshme kanë raportuar gjuhë të urrejtjes me bazë gjinore, përfshirë kërcënime ndaj grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut, veçanërisht në rrjetet sociale”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se Qeveria ka ndërmarrë disa hapa për përmirësimin e transparencës. Në dhjetor 2024 u ndryshuan Rregullat e Procedurës së Qeverisë, ndërsa afati për publikimin e projektligjeve dhe vlerësimeve përkatëse të ndikimit u zgjat nga 20 në 30 ditë. Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se mekanizmat ekzistues për konsultim dhe përfshirje të publikut ende nuk po shfrytëzohen në potencialin e tyre të plotë.
Raporti i KE-së nuk thotë tekstualisht se ligjet “bëhen pa qytetarët”, por konstaton qartë se potenciali i ENER-it dhe mekanizmave të tjerë për politikëbërje gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në dëshmi mbetet i pashfrytëzuar.
Kujtojmë se raporti i progresit vitin e kaluar kritikoi se procesi i hartimit të ligjeve shënoi rritje të përdorimit të procedurave të shkurtuara, veçanërisht për projektligjet e propozuara nga deputetët për harmonizimin e legjislacionit me ndryshimet në Ligjin për organizimin shtetëror.
“Procedura e “flamurit të BE-së” u zbatua në mënyrë të vazhdueshme për ligjet që synonin harmonizimin e legjislacionit kombëtar me acquis-in e BE-së. Përdorimi i procedurave të shkurtuara duhet të kufizohet dhe të mos keqpërdoret”, u tha në raport.