Mediat në shqip nuk u ftuan në ngjarjen në Tetovë, SHGM reagoi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë

Mediat që raportojnë në gjuhën shqipe nuk ishin të ftuara dje në ngjarjen në Shtëpinë e Shëndetit ku ishte zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva, e cila së bashku me drejtorin e këtij institucioni dhanë deklaratë për mediat, por në ngjarje ishin të pranishme vetëm mediat që raportojnë në gjuhën maqedonase. Reagoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), raporton Portalb.mk.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot i ka dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë së RMV-së lidhur me ngjarjen e djeshme në Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë, gjatë vizitës së zëvendësministres së Shëndetësisë Maja Manoleva.

“Konkretisht, sipas informatave që SHGM i ka siguruar nga zyra rajonale e SHGM-së nga Tetova, mediat që raportojnë në gjuhën shqipe nuk kanë qenë të ftuar në këtë ngjarje – deklaratë ku morën pjesë Manoleva dhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë – Zhika Aleksoski”, thonë nga SHGM.

SHGM apeloi te të gjitha institucionet, përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, që të ftojnë pa dallim të gjitha mediat në ngjarje publike, në mënyrë që të ruhet transparenca e institucioneve dhe të sigurohet që informacioni të arrijë tek të gjithë qytetarët.