Me ndihmën e BE-së Komuna e Tetovës do digjitalizojë shërbimet për qytetarët

Shërbimet komunale urbanistike dhe inspektoriale të  cilat i marrin qytetarët në Komunën e Tetovës, do të digjitalizohen dhe qasja do të jetë më e lehtë për ata. Kjo do të bëhet përmes projektit “Zgjidhje inovative digjitale komunale në Komunën e Tetovës” të financuar nga Bashkimi Evropian, shkruan Portalb.mk.

Ky projekt si qëllim ka aplikimin e zgjidhjes digjitale për përmirësimin e shërbimeve komunale urbanistike dhe inspektoriale, ku përmes tij do të digjitalizohen shumica e shërbimeve komunale dhe do të trajnohet personeli dhe qytetarët/bizneset. Kjo pritet të rezultojnë në nivel më të lartë të mbledhjes së fondeve të dedikuara të komunës dhe të krijojë hapësirë për investime të mëtejshme.

Shefi i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në RMV, Steffen Hudolin theksoi se ky projekt bëhet për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në shërbime digjitale dhe të përfitojnë prej tyre.

“Ne kemi mobilizuar më shumë se gjysmë milioni euro si grant për këtë projekt, për ta realizuar këtë. Digjitalizimi nuk është askund i lehtë për t’u bërë, të gjithë e dimë se kjo është një përpjekje shumë sfiduese në këtë vend, por edhe në shumë prej shteteve tona anëtare. Ne kemi dashur të shfrytëzojmë rastin që së bashku me Komunën e Tetovës të shërbejmë edhe si një lloj pilot projekti dhe të fillojmë diçka që mund të zbatohet edhe në komunat tjera”, tha Hudolin.

Ai theksoi se ky nuk është angazhimi i vetëm që BE-ja ka për Komunën e Tetovës, duke përmendur edhe projektet tjera.

Steffen Hudolin - shef i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në RMV, foto: Komuna e Tetovës (faqja në Facebook)
Steffen Hudolin – shef i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në RMV, foto: Komuna e Tetovës (faqja në Facebook)

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaroi se ky projekt mund të mos jetë më i rëndësishmi nga aspekti financiar por nga përmbajtja është më i rëndësishmi.

“Për të cilin ne si pushtet lokal jem të përkushtuar që të realizohet në përpikëri, pasi digjitalizimi është e ardhmja e të gjithë administratës, por edhe si Komunë jemi të interesuar që shërbimet e komunës së Tetovës të jenë qind përqind të digjitalizuara. Me këtë vlerësojmë se do të kemi llogaridhënie, transparencë më të lartë ndaj qytetarëve.  Përmes këtij projekti në fund të tij të jenë gati se të gjitha shërbimet digjitale me çka qytetarët në kohë dhe në mënyrën më të mirë të mund t’i marrin shërbimet e tyre”, tha Kasami.

Ai theksoi se kjo përkrahje nga BE-ja dhe ky partneritet është shumë i rëndësishëm në mungesë të decentralizimit fiskal dhe të fushave tjera.

Bilall Kasami, foto: Komuna e Tetovës (faqja në Facebook)
Bilall Kasami, foto: Komuna e Tetovës (faqja në Facebook)

Përfitues të këtij projekti së bashku me Komunën e Tetovës është edhe Fondacion Albiz.

Drejtori i këtij fondacioni, Besir Dernjani theksoi se ky projekt përmes bashkëpunimit ndërsektorial dëshmon që mundet të shtyhen vlerat përpara për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Ky trekëndësh i bashkëpunimit mund të ju bëjë ballë sfidave të ndryshme, gjithashtu edhe sfidave të digjitalizimit. Ky projekt do përmirësojë shërbimet nga ana e Komunës së Tetovës dhe në anën tjetër t’i edukojmë qytetarët për të shfrytëzuar këto shërbime që do ofrohen nga kjo platformë”, tha Dernjani.

Besir Dernjani - drejtor i Fondacionit Albizi, foto: Komuna e Tetovës (faqja në Facebook)
Besir Dernjani – drejtor i Fondacionit Albizi, foto: Komuna e Tetovës (faqja në Facebook)

Projekti kap vlerën 616,055 euro në kohëzgjatje prej 40 muajsh, duke filluar prej më 17.01.2022.