Sapo u shpërndanë, trotinetët elektrik në Shkup filluan të vidhen dhe shkatërrohen

Debate të mëdha po bëhen në opinion, veçanërisht për shkak mungesës së informatave që shpërndahen mes qytetarëve të Shkupit, pasi që u panë nëpër rrugët e Shkupit trotinetët e kaltër, të cilët janë të vendosur në trotuare, hapësira të gjelbra, përskaj gardheve e kështu me radhë. Në rrjetet sociale, me të madhe po diskutohet nëse në vend nuk është zhvilluar mjaftueshëm vetëdija për projekte të këtij lloji, pasi që po shpërndahen fotografi nga trotinetët elektrik të dëmtuar, hedhur në kosh të plehrave, apo të vjedhur, shkruan Meta.mk.

Mëdyshjet për shfrytëzimin e këtyre trotinetëve edhe më shumë po zmadhohen duke e pasur parasysh se nëpër qytet mund të shihet se këto trotinetë i përdorin dhe persona të mitur, por edhe vozitën nga dy persona.

Në një pjesë të mediave u publikua se kompania nga Turqia që menaxhon me këto trotinetë elektrik “Bin Bin” më 19 maj është paraqitur edhe në tregun e RMV-së, gjegjësisht në Shkup duke shpërndarë gjithandej 500 trotinetë elektrik.

Trotinetët elektrik mund të kërkohen në aplikacionin celular Bin Bin. Pas transportit në destinacionin e preferuar, trotinetin mund ta parkoni kudoqfotë, të fotografohet dhe më pas do të gjendet nga kompania nëpërmjet sistemit GPS.

Pagesa gjithashtu bëhet nëpërmjet aplikacionit, 9 denarë për një minutë, por nëse në aplikacion lëshoni 300 denarë, fitoni 45 denarë plus, ndërkaq për 500 denarë, fitoni 100 denarë gratis. Kështu çmimi, del se është rreth 7,3 denarë për një minutë vozitje.

Visar Duran, menaxher i kompanisë Bin Bin në Maqedoni, në bisedë me Meta.mk thotë se me të vërtetë kanë ndodhur vjedhje dhe dëmtime të trotinetëve elektrik, por se shpreson që do të zhvillohet vetëdija dhe përgjegjësia te qytetarët.

“Është paraqitur vjedhja e trotinetit që ka ndodhur dje, është bërë procesverbal në polici dhe do të ndërmerren masa. Plotësisht, si dëshmi i kemi fotografitë e bëra nga qytetarët derisa ndodh vjedhja. Sot kemi edhe një vjedhje, kështu që edhe ajo do të paraqitet. Është e saktë se ka dëmtime të qëllimshme ose të paqëllimta të trotinetëve elektrik. Patjetër duhet të kuptojmë se duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme pasi që kjo është për të mirën e të gjithave. Bin Bin, paraqet metodë alternative që të arrihet deri te një vend i caktuar dhe shfrytëzohet në shumë shtete të botës”, thotë Durak.

Personat e mitur nuk duhet t’i shfrytëzojnë trotinetët, por ka keqpërdorim

Pesë hapat konkret për marrjen dhe shfrytëzimin e trotinetit elektrik Bin Bin në Shkup janë si vijojnë:

  1. Shkarkohet aplikacioni celular në telefon;
  2. Vendosen para në aplikacionin;
  3. Hapet harta e aplikacionit ku mund të shihet se ku ka trotinet të lirë në afërsinë tuaj;
  4. Trotineti kyçet nëpërmjet aplikacionit dhe mund të vozitet në kuadër të kufizimeve të lejuara të cilat janë të shënuara në hartën e aplikacionit dhe e përfshinë thuajse tërë zonën e Shkupit;
  5. Në fund të vozitjes, trotineti parkohet dhe shfrytëzuesi del nga aplikacioni. Trotineti fotografohet dhe e njëjta vendoset në aplikacion.

Meta.mk e instaloi aplikacionin dhe e testoi procedurën. Në aplikacion kërkohet emri dhe mbiemri, numri i telefonit, posta elektrike, numri i kartelës bankare dhe lokacioni. Në afërsi të lokacionit, menjëherë u paraqitën disa trotinetë të cilët për momentin ishin të qasshëm. Për të njëjtit, aplikacioni jep të dhëna shtesë rreth përqindjes së baterisë dhe kohëzgjatjes së vozitjes.

Në udhëzimin për shfrytëzim, thuhet se në trotineti mund të përdoret vetëm nga një person dhe rekomandohet të mbahet helmetë. Gjithashtu nuk duhet të vozitet me shpejtësi më të madhe në vendet ku shpejtësia e lëvizjes është e kufizuar. Trotineti nuk duhet të parkohet në stacione të autobusëve ose trotuare, por kjo aspak nuk respektohet në terren. Mund të dëshmojmë se këto ditë, qytetarët këto trotinete i kanë lënë gjithandej në trotuare, hapësira të gjelbra, por edhe në korsi për biçikleta.

Aplikacioni nuk lejon të vendoset datë të ditëlindjes së personit, e cila do të konfirmojë se personi që e shfrytëzon është i mitur. Megjithatë, qytetarët vendosin data të gabuara, kështu që ka edhe fëmijë që i shfrytëzojnë këto trotinetë.

“Që t’i shfrytëzojnë fëmijët e mitur, do të thotë se kanë vendosur datë të gabuar të lindjes dhe prindi u ka dhënë kartelë bankare. Për atë, apelojmë për përgjegjësi nga të gjithë qytetarët dhe nëpërmjet mediave të ngritët vetëdija se vetëm prej nesh varet se si do të pozicionohemi për diçka që na është në dispozicion për qëllime të mira”, thotë Durak për Meta.mk dhe shton se në rast se aplikacioni paraqet ndonjë gabim, paratë i kthehen shfrytëzuesit.

Ai thotë se kanë marrë mbështetje nga Qyteti i Shkupit për zbatimin e këtij projekti, ndërkaq kompania ka marrë parkingje me qira nga Qyteti i Shkupit për zbatimin e projektit.

Përveç se në RMV dhe Turqi, Bin Bin, siç thonë nga kompania e ka zgjeruar projektin edhe në 6 shtete tjera, gjegjësisht në Kroaci, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Trotinetët elektrik të "Bin Bin", foto: Meta.mk
Trotinetët elektrik të “Bin Bin”, foto: Meta.mk