Me humor kundër totalitarizmit

Kur përmendet Milan Kundera, që tani është bërë pjesë e një përmase tjetër ekzistenciale, mendja na shkon te romani Shakaja (1967). Ky libër kundër utopisë komuniste u përkthye për herë të parë në gjuhën shqipe nga Ramiz Kelmendi dhe u botua nga “Rilindja” e Prishtinës në vitin 1981. Pra, para se të binte sistemi komunist.

Milan Kundera nuk u vlerësua me Nobel për Letërsi, por asnjë çmim letrar, sado i rëndësishëm, nuk mund të ndikojë nëse një vepër do të jetë ose jo pjesë e trashëgimisë së përhershme letrare. Gjykuesi më i pagabueshëm është koha. Tirania e mijëvjeçarëve nuk e zhvleftësoi vlerën e përjetshme të veprave të antikitetit.

 

ROMANI. Kundera e përkufizoi romanin si zhanër letrar ku autori “nëpërmjet egos eksperimentale (personazheve) hulumton disa tema të mëdha ekzistenciale”. Këtë e thotë në librin Arti i romanit nga i cili mësojmë më shumë se nga qindra libra për teori romani. Kundera e shkroi këtë sprovë si romancier dhe jo si teoricien.

Kundera i vlerësoi tezat e François Rabelais-ë dhe Gustave Flaubert-it se romansieri është qenie që fshihet pas veprës së tij. Kur romansieri bëhet person publik, atëherë ai rrezikon që vepra t’i trajtohet si “një shtojcë e thjeshtë e gjesteve, deklaratave dhe qëndrimeve të tij”. “Shkrimtari nuk është zëdhënës i askujt dhe as i ideve të tij”, tha Kundera, që deshi të mbetej vetëm romansier dhe të jetonte në botën ku “të gjithë kanë të drejtë të kuptohen”.

Romansieri, derisa krijon, udhëhiqet nga Urtësia Mbipersonale e romanit, një urtësi jashtë vullnetit dhe moralit të autorit, një forcë që e shtyn drejt të panjohurës dhe lë gjurmë në veprat më inteligjente se romancieri.

“Romansierët që janë më inteligjentë se veprat e tyre duhet të ndërrojnë zanat”.

Për Kunderën, romani është një parajsë iluzore që dallon nga bota e arsyeshme filozofike, kurse mençuria e romanit dallon nga ajo e filozofisë.

“Romani lind nga fryma e humorit dhe jo nga fryma teorike”.

Romanin ai e krahasoi edhe me Penelopën, e cila gjatë natës e shthur pëlhurën që teologët, filozofët dhe dijetarët e thurin ditën.

 

KULTURA EUROPIANE. Për Kunderën, romani ishte “shpikje e Europës që merret me temat e mëdha ekzistenciale”, por Europa asnjëherë s’e kuptoi artin më europian – romanin.

Me kulturë europiane e nënkuptoi respektin për individin, për mendimin e tij origjinal dhe të drejtën e një jete private të padhunueshme.

Në sprovën “Si ta lexojmë njëri – tjetrin” e zbuloi idealin e tij për Europën: “Diversitet maksimal në hapësirë minimale”.

Diversiteti kulturor është vlera më e madhe europiane, për sa kohë europiani, qoftë nacionalist ose kozmopolit, i rrënjosur ose i çrrënjosur, është thellësisht i kushtëzuar nga raporti me atdheun e tij”.

 

HUMORI. Në veprën e Kunderës nuk mungon humori edhe kur flitet për gjëra serioze dhe të trishta. Kundera e kuptoi fuqinë e humorit gjatë periudhës staliniste.

“Përherë munda ta dalloja një person që nuk ishte stalinist, pra personin që nuk duhej t’ia kisha frikën. Ndjenja për humor ishte mënyrë njohjeje. Prej atëherë më ka frikësuar bota që e ka humbur kuptimin për humorin“.

A e keni vënë re se njerëzit shpirtegër nuk kanë ndjenjë për humor?

Pushtetet diktatoriale e luftojnë komiken (pritjen e madhe të kthyer në asgjë) dhe e promovojnë madhështoren (të frikshmen e bukur).

“Optimizmi është opiumi i gjinisë njerëzore! Fryma e shëndoshë kutërbon era budallallëk! Rroftë Trocki!”, thotë me humor personazhi Ludvig. [Ky është përkthimi i Mirela Kumbaros. Ramiz Kelmendi e përktheu: “Optimizmi është opium për popullin! Shpirti i shëndoshë kundërmon erë marrëzie! Rroftë Trocki!”].

Ku ka optimizëm të përgjithshëm, ka edhe verbëri ideologjike. Ku ka pesimizëm të përgjithshëm, ka ligështim. Dy gjendje që një shoqëri e mbajnë në gjendje të ngrirë…

 

EKZILI. Kundera jetoi në ekzil dhe shkroi për ekzilin. Kush e braktis Itakën e tij e ka të pamundur rikthimin. Kush jeton në ekzil është kudo i huaj. Atje dhe Këtu.

Ndryshe nga shumë shkrimtarë disidentë, Kundera nuk shkroi me patetikë për largimin nga atdheu dhe e rrënoi mitin për “kthimin triumfal” nga ekzili.

Kundera nuk iu kundërvu sistemit komunist me deklarata, siç bëri Aleksandër Solzhenicini, kurse temën e ekzilit, siç thanë studiuesit, nuk e trajtoi si problem politik, historik ose personal, por si çështje ekzistenciale.

Personazhet më kot shpresojnë te “kthimi triumfal” nga ekzili dhe te ringjallja e një intime të kaluar. Kthimi nga ekzili është i pamundur. Gjatë kohës sa ka munguar në atdhe ka qenë “një fshesë e padukshme” që ka kaluar nëpër rininë e njeriut në ekzil dhe “ka fshirë gjithçka”.

Sipas Kunderës, përherë ka keqkuptim mes atyre që ikin dhe atyre që mbeten në atdhe. Njeriu është qenie e humbur përjetësisht ndërmjet ikjes dhe kthimit. Odiseu, pasi kthehet në Itakë, pyet nëse kuptimi i jetës ishte te udhëtimi dhe shpresa për kthim…

Pas shpërbërjes së perandorisë sovjetike dhe demokratizimit të shoqërisë çeke, Kundera fillimisht refuzoi të kthehej në atdheun e parë. Ai nuk iu përgjigj as ftesës së disidentit çek Vaculik, i cili e ndihmoi gjatë diktaturës t’i botonte librat si samizdat-e (botime gjysmë ilegale) edhe pse i premtoi se në Çekinë demokratike “askush s’do ta shihte si armik”.

Kundera mbeti emigrant i përjetshëm. Pyetjes nëse ndjehej çek, emigrant ose intelektual europian, iu përgjigj: “Franca është shtëpia ime e vetme”. Madje kërkoi që vepra t’i konsiderohej si pjesë e letërsisë franceze.

 

DISTANCIMI. Në Paris ai jetoi i distancuar nga publiku dhe e mbrojti privatësinë. Siç thotë për Danilo Kishin, ai qëndroi larg reflektorëve të Hyjneshës Aktualitet. Kundera e dinte çfarë do të thotë humbja e privatësisë. Shteti totalitar synoi ta pronësonte edhe privaten…

Kundera s’jepte intervista, s’lejonte të fotografohej, i refuzonte çmimet letrare, s’merrte pjesë në veprimtaritë që bëheshin për nder të tij. Ai dëshironte të fliste vetëm si shkrimtar. Duke qëndruar larg zhurmës së aktualitetit, ai dukej si një qenie e çuditshme e mbështjellë me njëfarë misteri. Si i tillë, s’mund të paramendohet që të kishte profil në rrjete sociale, të mburrej se filan libri i është botuar në këtë apo në atë gjuhë, se filan kritiku e kishte vlerësuar këtë apo atë vepër të tij. Për një shkrimtar është e bezdisshme të merret me kësi mburrjesh ose me rrahjet e sharjet në parlament, me zënkat për mijëra gjëra kalimtare dhe të parëndësishme, me klishetë e politikanëve që shërbehen me fond të kufizuar fjalësh.

Shkrimtari nuk është as kronist ngjarjesh ditore, as misionar, as pedagog, as ideolog, as “influencer”. Shkrimtarin e shohin si të tillë në provincën ku nuk bëhet dallimi ndërmjet atdhedashurisë dhe letërsisë, siç e pati vërejtur me kohë Faik Konica. Provincializmi, sipas Kunderës, është paaftësia (ose refuzimi) për ta parë kulturën tënde në kontekstin e gjerë.

“Ka dy lloje provincializmi: ai i kombeve të mëdha dhe i atyre të vegjël. Kombet e mëdha i rezistojnë idesë së Goethe-s mbi letërsinë botërore, sepse letërsia e tyre u duket mjaft e pasur saqë nuk duhet të interesohen për atë që njerëzit e shkruajnë diku tjetër. Kombet e vegjël janë të rezervuar ndaj kontekstit të madh pikërisht për arsyen e kundërt: ata e vlerësojnë shumë kulturën botërore, por e ndiejnë atë si diçka të huaj, një qiell mbi kokat e tyre, të largët, të paarritshëm, një realitet ideal me pak lidhje me letërsinë e tyre kombëtare. Kombi i vogël rrënjos te shkrimtari i tij bindjen se ai i përket vetëm atij vendi… Një komb i vogël, thotë Kafka, ka shumë respekt për shkrimtarët e tij, sepse ata i japin krenarinë ‘përballë botës armiqësore përreth’”, shkroi Kundera…

Shpesh e kam menduar distancimin nga zhurma e aktualitetit, jo sepse kështu veproi Kundera. Ai s’ka kurrfarë ndikimi në mënyrën time të jetesës, as në vendimet e mia jetësore dhe as nuk është idhull imi (jam në moshën kur nuk krijoj, por rrënoj idhuj), por pse këtë ma thotë një zë i brendshëm, veçanërisht në këtë periudhë hiperrealiteti, kur gjuha është reduktuar në klishe të mërzitshme dhe shërben vetëm për nevoja ekzistenciale…

 

KIÇI. Përhapja e vazhdueshme e kiçit e shqetësoi Kunderën. Kiçi për të është e keqja supreme estetike. Është “qëndrim i dikujt që dëshiron t’i pëlqejë me çdo kusht shumicës”. Që të pëlqehet ky dikushi nga shumica duhet ta konfirmojë atë çfarë duan ta dëgjojnë të gjithë. Të jetë në shërbim të Ideve të Gatshme (Flaubert-i).

“Kiçi është përkthim i budallallëkut të ideve të gatshme në gjuhën e së bukurës dhe emocionit. Ai na nxjerr lot mallëngjimi për veten, për banalitetet që mendojmë dhe ndjejmë”…

Kundera nuk dëshiroi të pëlqehej nga adhuruesit e refreneve. Ai shkroi për ata që e kuptonin Urtësinë Mbipersonale.

Për Kunderën kishte dy kontekste themelore ku mund të vendosej një vepër arti: në historinë e kombit të saj (konteksti i vogël) ose në historinë mbikombëtare (konteksti i madh). Vepra e Kunderës është e vendosur në historinë mbikombëtare të artit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.