Ashpërsia e ndryshimeve klimatike: nga stuhi dhe përmbytje në vapë ekstreme (Infografik)

Shira të dendur, stuhi dhe përmbytje, që vetëm shtatë ditë më vonë të shpallet fazë portokalli e temperaturave të larta. Dy ekstreme të motit brenda një periudhe shumë të shkurtër e goditën Maqedoninë e Veriut këtë verë, gjë që, sipas ekspertëve, tregon se edhe vendi po e ndjen ndikimin shkatërrues të ndryshimeve klimatike. Parashikimet e motit për periudhën që vjen në territorin e Maqedonisë janë valë më të shpeshta të të nxehtit dhe numër më i vogël i ditëve me ngrica, pasojat e të cilave më shkatërruese do të jenë për bujqësinë, shkruan Meta.mk.

Kah fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut në vendin tonë u evidentuan dy ekstreme klimatike. Në fillim patëm shira të dendur, stuhi dhe përmbytje që në disa raste shkaktuan vështirësi në trafik, përmbytën shtëpi, rrugë dhe makina, shkatërruan pyje, dëmtuan infrastrukturën rrugore, rrënuan ura për këmbësorë dhe shkaktuan dëme të tjera materiale. Vërshime kishte pothuajse në të gjitha pjesët e vendit, përkatësisht në Prilep, Ohër, Berovë, Dellçevë, Koçan, Kriva Pallankë, Shtip, Veles, Kavadar dhe Strumicë.

Vetëm një javë pas përmbytjes së fundit në Berovë7 korrik, në vendin tonë kumboi alarmi i parë për kalimin në fazën portokalli për këtë verë. Më 12 korrik u publikuan masat dhe rekomandimet për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta, të cilat janë ende në fuqi.

Fenomene të tilla atipike për vendin tonë e konfirmojnë ekzistencën e ndryshimeve klimatike, ndërkohë që tek ne manifestohet vetëm një pjesë e vogël e asaj që mund të pasojë dhe që do të jetë veçanërisht e rrezikshme për mjedisin dhe njerëzit, thonë ekspertët.

Nga Shoqata për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor “Go Green” thonë se mbikëqyrja e klimës në vitet e fundit padyshim që flet për një ndryshim të plotë të saj.

“Fenomene të tilla klimatike definitivisht nuk janë karakteristike për periudhën e verës në këtë rajon, por që të mund të thuhet se është për shkak të ndryshimeve klimatike manifestimet e këtilla të motit duhen monitoruar në një periudhë më të gjatë (5 deri në 10 vjet) për të thënë se me të vërtetë bëhet fjalë për një ndryshim të plotë të klimës. Tani, nëse u hedhim një vështrim temperaturave të viteve të fundit në vendin tonë, do të vëmë re një rritje të temperaturave të verës, një zvogëlim të sasisë së reshjeve gjatë gjithë vitit, një zvogëlim të sasisë së reshjeve të borës – dhe me këto të dhëna mund të vërtetojmë se në vendin tonë po ndodhin ndryshimet klimatike”, thonë nga Go Green.

Sipas tyre, raporte të shumta tregojnë se në të ardhmen nuk do të mund të parashikohen ngjarjet e këtilla të motit apo përshkallëzimi i tyre nëse ngrohja nuk kufizohet në 1.5 gradë Celsius.

“Ajo që dimë sot është se ndryshimet klimatike në vendin tonë po shkaktojnë thatësira për shkak të reduktimit të reshjeve, të cilat nga ana e tyre shkaktojnë kushte ideale për zjarre. Ndryshimi i klimës nuk është shkaktar i drejtpërdrejtë i zjarreve, por krijon kushte ideale për to. Një zjarr mund të ndodhë nga një cigare e hedhur nga një makinë gjatë vozitjes, ndërsa në disa zona mund të shkaktojë djegie spontane, veçanërisht tek deponitë e egra”, thonë nga Go Green.

Dimër më i ngrohtë dhe verë më e lagësht

Por jo vetëm këto dy muajt e fundit u karakterizuan nga një klimë atipike për periudhën e verës. Të dhënat nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) tashmë për një kohë më të gjatë tregojnë për devijime nga temperaturat mesatare të ajrit dhe të sasisë së reshjeve.

Edhe nëse shihen raportet vetëm për këtë vit, vihen re ndryshime drastike në krahasim me klimën mesatare që ka mbizotëruar në këto zona në tre dekadat e fundit.

Konkluzioni kryesor që mund të nxirret nga të dhënat e DPHM-së është se muajt e dimrit në vend janë duke u ngrohur, ndërsa në muajt e pranverës është vënë re një ftohje e lehtë, si dhe reshje më të shpeshta.

Temperaturat e ajrit dhe sasia e reshjeve për muajt e vitit 2023
Temperaturat e ajrit dhe sasia e reshjeve për muajt e vitit 2023

Sipas raporteve të DPHM-së muaji janar i këtij viti karakterizohet si një muaj jashtëzakonisht i ngrohtë dhe nga mesatar deri në të lagësht krahasuar me vlerat mesatare shumëvjeçare. Temperatura më e lartë për këtë muaj, 19.9 gradë celsius, është matur më 18 janar në Demir Kapi.

Shkurti ishte mesatar deri në i ngrohtë dhe jashtëzakonisht i thatë. Temperatura nën zero gradë celsius janë shënuar në 15 ditët e para të muajit, por nga data 16 deri më 26 në të gjithë territorin e vendit ka pasur një valë të të nxehtit, ndërsa temperatura në Gjevgjeli ka arritur në 22.8 gradë celsius.

Marsi është përshkruar si mesatar dhe më i ngrohtë dhe mesatar deri në shumë i lagësht në nivel lokal. Sasia mujore e matur e reshjeve ka qenë 5 mm mbi mesataren në nivel shtetëror.

Prilli karakterizohet si muaj më i ftohtë dhe me më shumë reshje në krahasim me vlerat mesatare shumëvjeçare. Në datat 6 dhe 7 prill ka pasur ngrica, ndërsa sasia e matur mujore e reshjeve ka qenë 48 përqind mbi nivelin mesatar.

Maji është regjistruar si shumë i ftohtë me sasi normale të reshjeve, por me lagështi relative më të lartë. Temperatura minimale më e ulët për këtë muaj është matur në Llazaropole më 5 maj dhe ka qenë 1 gradë celsius.

Qershori në këto raporte është renditur si muaj më i ftohtë se zakonisht dhe jashtëzakonisht i lagësht krahasuar me vlerat mesatare shumëvjeçare. Krahasuar me mesataren e qershorit për periudhën 1981-2020, sasia e përgjithshme e reshjeve mujore ka qenë 88 përqind mbi mesataren.

Temperaturat mesatare deri në 3 gradë celsius më të larta se në tre dekadat e fundit

Projeksionet klimatike të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike dhe hulumtimet tregojnë se na pret një klimë edhe më e ngrohtë dhe më e thatë. Sipas tyre, pritet rritje e numrit të ngjarjeve të të nxehtit ekstrem dhe rënie e atyre të ftohtit.

Ka shumë probabilitet që temperaturat t’i tejkalojnë vlerat mesatare shumëvjeçare, të cilat mund të arrijnë një diferencë edhe deri në 3 gradë celsius në të gjithë territorin e vendit.

“Amplituda e këtij ndryshimi do të lidhet kryesisht me përqendrimin e ardhshëm të gazrave serrë. Kjo nënkupton rritje të numrit të ditëve të verës dhe numrit të netëve tropikale, rritje të kohëzgjatjes dhe frekuencës së valëve të të nxehtit në të gjithë territorin dhe rënie të numrit të ditëve me ngrica dhe akullnaja, valë më të shkurtra të ftohta në të ardhmen, me mundësi për zhdukjen e plotë të tyre”, shpjegon këshilltari për ndryshime klimatike pranë DPMH-së, Aleksandar Prodanov.

Përveç kësaj, nga DPHM-ja thotë se një rritje e mundshme e reshjeve ekstreme ditore pritet të shkaktojë një rrezik më të madh nga përmbytjet, por kohëzgjatja e ditëve të njëpasnjëshme pa reshje do të rrisë rrezikun nga thatësira.

“Si rezultat i kushteve më të ngrohta të motit do të rritet edhe kohëzgjatja e periudhës së vegjetacionit”, thotë Prodanov.

Pjesa tjetër e verës, parashikon DPHM-ja, do të jetë më e ngrohtë dhe reshjet pritet të jenë mesatare. Sipas analizave të të gjithë rajonit juglindor të Evropës, temperaturat pritet të tejkalojnë vlerat mesatare të mëparshme.

Devijimi më i madh negativ i reshjeve parashikohet në gusht, ndërsa në pjesët malore ka një probabilitet të lartë për tejkalimin e mesatares së reshjeve për shkak të episodeve të konvekcionit të shtuar dhe reshjeve të dendura. Priten periudha me mot jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë.

Ekstremet klimatike që po i përjetojmë aktualisht janë dëshmi e pamohueshme e ndryshimeve klimatike dhe pasojat e tyre janë serioze dhe sidomos shkatërruese për bujqësinë.

Numri i reshjeve do të bjerë, por kur të bjerë shi, do të jenë shira të rrëmbyeshëm dhe të dendur që mund të shkaktojnë përmbytje ose rrëshqitje të dheut, thonë nga Go Green.

“Më të prekura do të jenë ujërat. Reshjet do të bien për 3% deri në vitin 2025 dhe për 5% deri në vitin 2050. Prandaj, pasojat më të mëdha do t’i vuajë bujqësia. Temperaturat në periudhën e verës do të rriten posaçërisht në pjesën jugore ku do të arrijnë temperatura subtropikale”, thonë nga Go Green.