Me dua dhe tortë, e gjithë BDI u mblodh në Sellcë për nisjen e punimeve të stërvonuara për shkollën e fshatit

Pas shumë zvarritjeve, punimet për ndërtimin e shkollës fillore komunale “Rilindja” në Sellcë të Tetovës filluan sot. Për të hedhur gurthemelin, BDI-ja tuboi shumë funksionarë në këtë fshat, duke filluar nga kryeministri, zëvendëskryeministri i parë, ministri i Arsimit dhe zëvendësi, drejtorë, kryetarë komune, funksionarë, deputetë dhe të tjerë. Nuk pati përfaqësues nga Komuna e Tetovës, thanë se nuk kanë pasur ftesë. Reagoi Lëvizja Besa, thonë se aktiviteti përdoret për zgjedhje. Ndërtimi i shkollës pritet të përfundojë në vitin 2025, shkruan Portalb.mk.

Banorët e Sellcës, objektin e ri të shkollës e presin me vite të tëra pasi objektet ekzistuese ku nxënësit ndjekin mësimin janë në kushte të këqija. Nëse punët shkojnë sipas parashikimeve, problemi i tyre pritet të zgjidhet vitin e ardhshëm.

Kryeministri Talat Xhaferi theksoi se fëmijët nuk do të mësojnë më në klasa të vjetra që janë ndërtuar në vitin 1954 dhe në kushte të këqija, por do e vijojnë mësimin në një shkollë bashkëkohore.

“Projekti do të kushtojë 100.000.000 denarë dhe pritet që ndërtimi të përfundojë gjatë vitit 2025”, tha Xhaferi.

Para se të hidhej gurthemeli, të pranishmit bënë edhe dua.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së Sellcës është edhe pjesë e programit zgjedhor me të cilin garoi BDI-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare. Konkretisht në faqe 134 thuhet se “vlera do të jetë 1.153.000 euro ndërsa do të fillojë në vitin 2020 dhe do të përfundojë në vitin 2022”, por që kjo nuk u realizua në këtë afat.

Portalb.mk pyeti Xhaferin për këtë premtim, pse u vonua, a do përfundojë në kohë apo do të ketë fatin si shkolla fillore në Reçicë të Vogël dhe Konvikti i Tetovës për të cilët punimet u vonuan.

Xhaferi u përgjigj kështu:

“Nga sot e tutje i gjithë fati i këtij objekti varret nga punë kryerësi i cili duhet të respektojë dinamikën e kryerjes së punëve dhe gjithsesi duke pasur parasysh faktin se mjetet financiare janë të siguruara, dinamika e punës varen nga punë kryerësi. Ne si institucion e kemi për obligim të inspektojmë të mbikëqyrjen mbarëvajtjen e kryerjes së punëve. Unë jam i bindur se kjo do të kryhet në afatin e paraparë me kontratë”.

Pas kësaj u pre edhe torta në të cilën qëndronte fotografia e Xhaferit.

Prerja e tortës me foton e Talat Xhaferit në Sellcë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Prerja e tortës me foton e Talat Xhaferit në Sellcë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në ngjarje përveç funksionarëve të BDI-së, nuk pati përfaqësues nga Komuna e Tetovës.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Jeton Shaqiri. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Jeton Shaqiri. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk pyeti ministrin e Arsimit, Jeton Shqirin nëse kanë ftuar dikë nga komuna në shënimin e kësaj ngjarjeje, ai theksoi se komunikimi i Ministrisë së Arsimit ka qenë me drejtorin e shkollës dhe i është kërkuar drejtorit të shkollës si institucion që bashkë qeverisin që të komunikojë me përfaqësuesit e pushtetit lokal.

“Deri në momentin e fundit kemi pasur konfirmimin që do të jetë drejtori i shkollës prezent në prezantimin e këtij projekti, por ka dorëzuar deri te përfaqësuesit e Ministrisë informimin se kam një moment të rëndësishëm për firmosjen e një dokumenti-raporti në Inspektoratin Arsimor nuk mund të vijë në prezantimin e projektit“, tha Shaqiri.

Validin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Validin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Por nga Komuna e Tetovës, udhëheqësi i Njësisë së Arsimit në Komunën e Tetovës, Valedin Ademi për Portalb.mk tha se nuk kanë pasur ftesë.

“Nuk ka pasur përfaqësues nga komuna pasi që nuk kemi pasur ftesë nga ana e kryeministrit teknik. E njëjta vlen edhe për drejtorin e shkollës, ai është drejtor i institucionit arsimor nuk është anëtar partiak, ndërsa promovimi atje është vetëm partiak aspak institucional”, tha Ademi.

Për këtë aktivitet të sotëm, reaguan nga Lëvizja Besa, thonë se gurthemeli i Shkollës së Sellcës, nuk është asgjë tjetër pos një gurthemel para zgjedhor për të fituar më shumë vota në zgjedhje.

“Qytetarët shqiptar, por edhe banorët e Sellcës, ishin dëshmitar se si BDI i gënjeu për 20 vite dhe nuk e ndërtoj shkollën”, thanë nga Lëvizja Besa.

Godina e re shkollore do të jetë me sipërfaqe të përgjithshme prej 2400 metra katrorë, e ndarë në dy kate. Janë projektuar 9 klasa me nga 24 nxënës, një klasë për fëmijët e moshës parashkollore, 2 kabinete për realizimin e programit mësimor-shkencor, si dhe një klasë për shkencat informatike.

Aktualisht nxënësit e fshatit Sellcë mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion.

Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023, pas së cilës ministrat e BDI-së u lavdëruan në rrjetet e tyre sociale.

Hedhja e gurthemelit u premtua se do bëhej në vitin 2023, por kjo nuk ndodhi në vitin e kaluar.

Kritika për këtë shkollë ndaj pushtetit, konkretisht ndaj BDI-së kishin banorët e fshatit Sellcë, të cilët në fillim të vitit 2023 ripërsëritën kërkesën e tyre shumë vjeçare për shkollën ndaj funksionarëve të BDI-së në një tubim partiak po në këtë fshat. Madje ata thanë se nëse shkolla dhe kërkesa të tjera nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, ata do t’i dënojnë me votë.