Gur-themeli për shkollën e Sellcës pritet të hidhet deri në fund të vitit, paralajmëroi ministri Shaqiri

Sapo të mbarojë përzgjedhja e operatorit ekonomik do të hidhet gur-themeli për objektin e shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës, kështu ka paralajmëruar sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Këtë objekt banorët e fshatit Sellcë e presin me vite të tëra pasi objektet ekzistuese ku nxënësit ndjekin mësim janë në kushte shumë të këqija, shkruan Portalb.mk.

Gur-themeli pritet të hidhet brenda këtij viti i cili po mbaron në më pak se dy muaj.

“Është në procedurë të përzgjedhjes së operatorit ekonomik, nuk e di edhe sa ditë kanë mbetur, 15 ose 20, do të jemi transparent me opinionin dhe shpresoj që brenda këtij viti, sa të mbarojnë punët e operatorit ekonomik të kemi mundësinë që të hedhim gurë themelin për shkollën e Sellcës”, tha Jeton Shaqiri për mediat.

Nxënësit e fshatit Sellcë mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion.

Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023, pas së cilës ministrat e BDI-së u lavdëruan në rrjetet e tyre sociale.

Nga Komuna e Tetovës theksuan se shpresojnë që kjo të realizohet dhe mos të mbetet vetëm premtim.

Kritika për këtë shkollë ndaj pushtetit, konkretisht ndaj BDI-së kishin banorët e fshatit Sellcë, të cilët në fillim të këtij viti ripërsëritën kërkesën e tyre shumë vjeçare për shkollën ndaj funksionarëve të BDI-së në një tubim partiak po në këtë fshat. Madje ata thanë se nëse shkolla dhe kërkesa të tjera nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, ata do t’i dënojnë me votë.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së Sellcës është edhe pjesë e programit zgjedhor me të cilin garoi BDI-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare. Konkretisht në faqe 134 thuhet se “vlera do të jetë 1.153.000 euro ndërsa do të fillojë në vitin 2020 dhe do të përfundojë në vitin 2022”, por që kjo nuk u realizua në këtë afat.