Xhaferi: Do të kërkojmë zgjidhje me deputetët dhe në Qeveri për problemin me dokumentet personale

Pasi Ministria e Brendshme dje njoftoi se nga sot pas mesnate lejet e vozitjes me emrin e vjetër të shtetit nuk do të vlejnë dhe qytetarët nuk mund të vozisin me to, u shkaktua revoltë dhe huti te qytetarët nga fakti se zyrtarët më herët thanë se dokumentet do të vlejnë.  Kryeministri teknik Talat Xhaferi, duke u përgjigjur në pyetjen gazetareske për këtë problem tha se sot do të ketë takim me deputetët në Kuvend për të kërkuar zgjidhje, por nuk përjashtoi as mundësinë që të merren vendime edhe nga ana e Qeverisë, raporton Portalb.mk.

Xhaferi deklaroi se sot në Kuvend do të ketë takim me deputetët, për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme, pra një vendim që do të ishte në favor të qytetarëve që kanë emrin e vjetër të shtetit.

“Ne kemi marrë të gjitha mundësitë dhe zgjidhjet e mundshme që do të ishin në favor të qytetarëve dhe sigurisht po mendojmë edhe për një zgjidhje ligjore dhe gjatë ditës do të kemi vendim të duhur, duke pasur parasysh që sot unë duhet të jem në Kuvend për shkak të detyrimeve të tjera. Natyrisht, tashmë është rënë dakord që të ketë një takim të përbashkët me deputetët dhe të përcaktohen zgjidhjet e mundshme përmes ligjit”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se mund të merren edhe vendime nga Qeveria lidhur me dokumentet personale.

“Pjesa tjetër e zgjidhjeve janë të mundshme me vendim të Qeverisë. Natyrisht, ne jemi duke punuar në atë që është e përshtatshme dhe e mundshme për t’u zbatuar me vendim të Qeverisë dhe do të kemi vendim këshillues dhe zgjidhje për çështjet që janë aktuale. Tani duhet të shikojmë në të gjitha aspektet ku ka mundësi të shtyhet afati, ku ka nevojë për një lloj tjetër vendimi për të zbatuar një vendim tjetër, tha Xhaferi.

Për këtë problem, ministri i Brendshëm teknik, Pançe Toshkovski mbrëmë në Kanal 5 theksoi se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për dokumentet e udhëtimit dhe ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor është përgatitur dhe urgjentisht do t’i dorëzohen Qeverisë, si e vetmja zgjidhje për krizën aktuale në të cilën Qytetarët e Republikës së Maqedonisë nga 13 shkurti 2024, do të mbeten të bllokuar në vend.

Ka një zgjidhje për problemin dhe është shumë e thjeshtë. Nëse ka vullnet politik brenda një dite do të zgjidhin shqetësimet e njerëzve. Kemi një Projektligj për ndryshimin e Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit të Qytetarëve, ja ky është gati, është gati dhe ja tjetri. Madje këtë e kam nënshkruar. Projektligji për ndryshimin e ligjit për sigurinë në trafikun rrugor. Ka zgjidhje për një ditë, vetëm duhet të kenë vullnet politik”, tha Toshkovski.

Edhe partia LSDM nga ana tjetër njoftoi se do të dorëzojë ndryshime ligjore për vazhdimin e vlefshmërisë së lejeve të vozitjes, trafikut dhe polisave të sigurimit. Grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë propozim për ndryshime ligjore me të cilat do të vazhdohet vlefshmëria e patentë shoferëve, lejeve të komunikacionit, policave të sigurimit dhe librezave të shoferëve. Me ndryshimet në ligj, qytetarët mund të vazhdojnë t’i përdorin ato në territorin e shtetit.

Kujtojmë se më 6 shkurt të këtij viti, në një intervistë për televizionin Alsat, ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski deklaroi se në vend do të vlejnë patentë shoferët e qytetarëve me emrin e vjetër – Republika e Maqedonisë. Vetëm pesë ditë pas kësaj deklarate, dje Ministria e Brendshme njoftoi se patentat e shoferit me emrin e vjetër të shtetit do të jenë të pavlefshme dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos vozisin me patentë shofer të vjetër.

Sipas Ligjit për dokumentet e udhëtimit i cili është i vlefshëm nga data 13.02.2024 ose nga e hëna deri të martën ora 00:00, dokumentet e udhëtimit me emrin e vjetër nuk do të jenë të vlefshme. Sipas ligjit për siguri në komunikacion, nga data 13.02.2024 patentë shoferët me emrin e vjetër nuk do të jenë më të vlefshme, as për përdorim të brendshëm dhe as për përdorim të jashtëm. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë shtetësi të dyfishtë do të mund të udhëtojnë dhe të hyjnë dhe dalin nga Republika e Maqedonisë.

Infografik: Portalb.mk
Infografik: Portalb.mk

Sot, 12 shkurt, skadon periudha tranzitore e Marrëveshjes së Prespës.

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë ndryshuar dokumentet personale deri më sot. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.