Premtimi për shtigjet e biçikletave në Kumanovë mbetet ende në letër (VIDEO)
Mungesa e shtigjeve për biçikleta vë në rrezik banorët e Kumanovës. Çiklistët thonë se kanë frikë të përdorin biçikletat e tyre pasi ka gjasa të pësojnë në aksidente rrugore. Përveç mungesës së shtigjeve për biçikleta, lëvizjen e qytetarëve e pengojnë edhe veturat e parkuara në mënyrë të gabuar, si dhe ato që uzurpojnë trotuaret, shkruan Portalb.mk. Nga Komuna nuk dhanë asnjë afat konkret se kur do të zgjidhin këtë problem.
Biçikletat dhe trotinetët janë ndër mjetet më ekonomike dhe miqësore të mjedisit për transport. Megjithatë, mungesa e shtigjeve të dedikuara për biçikleta, që do të mundësonin lëvizje të sigurt dhe të lirë, e vështirëson përdorimin e tyre nëpër rrugët e Kumanovës dhe për këtë arsyeje shpeshherë banorët i anashkalojnë përdorimin e tyre.
Banorët e Kumanovës ankohen për mungesën e shtegut të biçikletave. Një qytetar tha se përdorimi i biçikletave në Kumanovë është i rrezikshëm, pasi nuk kemi një shteg të sigurt për çiklistët.
“Ka shumë pak shtigje biçikletash në qytet. Do të ishte rrezik për këmbësorët dhe për automjetet, madje për vetë ne, të ngasim biçikleta në trotuar apo në rrugë. Lehtësisht mund të vijë deri te një aksident, ndërsa pasojat mund të jenë edhe më të rënda, deri në humbjen e jetës”, thotë një qytetar i Kumanovës”, u shpreh një banor.
Një tjetër qytetar për Portalb.mk, tha se shpeshherë është premtuar ndërtimi i shtegut të biçikletave por deri më tani nuk është realizuar.
“Presim që kryetar ta dërgoj premtimin në vend, pasi do të lehtësoj lëvizjen në qytet dhe kështu edhe komunikacioni nuk do të jetë i dendur siç është tani. Mua më vjen keq që situata është kjo që është, fatmirësisht më ka ruajtur Zoti deri në këtë moment të jem shëndosh e mirë”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në programin e tij zgjedhor për Kumanovën, në faqen 16 dhe 17 premtoi krijimin e shtegut të biçikletave në qytet, ai u zotua për krijimin e një “unaze funksionale të biçikletave”, me qëllim vendosjen e një rrjeti të sigurt dhe të pandërprerë për lëvizjen me biçikleta në qytet.
Në programin zgjedhor të Dimitrievskit, ishte paraparë që në fazën e parë të projektit të ndërtohet shtegu i biçikletave që do të lidhte rrethrrotullimin në hyrje të qytetit me bulevardin “3 MUB”, bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, rrugën “Done Bozhinov” dhe rrugën “11 Tetori”.
Megjithatë, projekti i premtuar nuk është realizuar ende, ndërsa Komuna e Kumanovës nuk ka krijuar këtë lidhje të planifikuar të infrastrukturës për çiklistët.
Portalb.mk pyeti Komunën se deri ku ka arritur realizimi i këtij projekti dhe kur pritet që qytetarët të kenë në dispozicion shtegun e premtuar për biçikleta.
Nga Komuna e Kumanovës, thanë se shtigjet për biçikleta nuk janë përfshirë në programin për zhvillimin e tokës ndërtimore.
“Shtigjet e biçikletave do të zbatohen në përputhje me planin e mobilitetit urban”, thanë shkurt nga Komuna e Kumanovës, duke mos dhënë asnjë detaj konkret.
Ndryshe, në çdo fushatë zgjedhore, hasim premtime infrastrukturore, si parkingje, rrugë të gjëra, shtigje kalimtarësh a biçikletash. Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar në mandatin e kaluar se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhej deri në përfundim të mandatit, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.
- LEXO: Tetova, qyteti pa asnjë shteg biçikletash do të mirëpresë garat e çiklizmit
- LEXO: Mandati po i përfundon pa shteg të biçikletave, Kasami: Me rëndësi që zgjidhja të jetë e qëndrueshme
- LEXO: Policia e Maqedonisë së Veriut e arrestoi qytetarin i cili u largua nga vendi ku e goditi për vdekje një qytetar