RMV, harxhime shtesë në kurriz të qytetarëve të diasporës, fletat e udhëtimit për hyrje në vend do të kushtojnë 30 euro

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në diasporë, të cilët deri më sot (12 shkurt) nuk kanë nxjerrë ende pasaportë me emrin e ri kushtetues të shtetit, do të mund të nxjerrin dokument udhëtimi me të cilin do të mund të hyjnë në  Maqedoni dhe ta nxjerrin një pasaportë e vlefshme këtu. Të ashtuquajtura fletat e udhëtimit do të lëshohet në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore të vendit jashtë vendit dhe do të kushtojë 30 euro. Vlefshmëria e dokumentit të udhëtimit do të jetë 30 ditë nga dita e lëshimit, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimeve në faqet zyrtare në Facebook të disa prej ambasadave të Maqedonisë në vendet evropiane, dokumenti i udhëtimit do të jetë i destinuar vetëm për udhëtim në një drejtim – nga shteti i huaj në Maqedoninë e Veriut. Kjo do të thotë se qytetarët me këtë dokument do të mund të udhëtojnë vetëm në Maqedoninë e Veriut, ku më pas do të aplikojnë për pasaportë me emrin e ri kushtetues.

“Dokumenti i udhëtimit është dokument i vlefshëm për udhëtim në një drejtim në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në vend duhet të dorëzohet kërkesa për lëshimin e dokumentit të ri të udhëtimit (pasaportës) me emrin e ri kushtetues”, njoftojnë nga Ambasada e RMV-së në Mbretërinë e Bashkuar.

Në disa prej ambasadave maqedonase, si ato në Gjermani, dokumentet e udhëtimit do të mund të merren pa termin, ndërsa për shembull, në ambasadat maqedonase në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Holandë, qytetarët do të duhet të caktojnë termin për lëshimin e  dokumentit të udhëtimit përmes postës elektronike të Ambasadës.

“Dokumentet e nevojshme për lëshimin e listës së udhëtimit janë pasaporta, aplikimi i plotësuar për lëshimin e pasaportës, dy fotografi dhe tarifa konsullore prej 30 euro”, thekson Ambasada e RMV-së në Gjermani.

Qytetarët janë konfuzë mbi këtë situatë, pasi ministri i MPB-së Pançe Teshkovski, tha se qytetarët nga diaspora mund të hyjnë në vend edhe me pasaporta me emrin e vjetër të vendit.

Ndryshe, neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Për më tepër, zyrtarë të qeverisë në vitin 2018 deklaronin se qytetarët nuk do të kenë asnjë shpenzim shtesë dhe se dokumentet e udhëtimit do të ndryshohen pas skadimit të afatit të tyre.