Pas shumë zvarritjeve, sot konvikti studentor në Tetovë i hapi dyert për studentët (FOTO)

Konvikti i Tetovës, i cili premtohet me vite të tëra, mëngjesin e sotëm i hapi dyert për të pranuar studentët që do të banojnë në të. Pavarësisht se u tha se do të hapet më 1 tetor, kur edhe filloi viti akademik, studentët aty u futen një muaj me vonesë, shkruan Portalb.mk.

Me fillim në ora nëntë të mëngjesit 129 studentët e pranuar nga konkursi i Ministrisë së Arsimit erdhën te konvikti për të mbaruar procedurat për zhvendosje.

Siç shprehen për Portalb.mk, studentët mezi e kanë pritur këtë ditë për tu vendosur në dhomat e tyre, pasi deri para një jave ata nuk kishin informacion të saktë nga MASh-i se kur mund të vendosen në konvikt.

Gazetari i Portalb.mk mëngjesin e sotëm ishte te konvikti dhe ndoqi nga afër sesi po realizohet ky proces.

Nga drejtoria e Konviktit nga njoftuan se numri studentëve të pranuar në konvikt pritet të rritet.

“Konvikti sot ka filluar me pranimin e studentëve, besoj se së shpejti do të hapet edhe një konkurs tjetër, besoj se do të arrijmë një numër më të madh dhe të kemi numër të plotë afër 300 studentë”, tha drejtori i Konviktit, Tushi Dervishi.

Konvikti studentor në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konvikti studentor në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Konvikti është i pajisur me mobilje të reja dhe është një nga më modernit në Maqedoninë e Veriut. Dhomat janë me nga dy krevate, djemtë do të jenë ndaras dhe vajzat ndaras.

Në konvikt kanë siguruar dhoma të posaçme edhe për personat me nevojat e veçanta, në dhomë ka nga një krevat, ka hapësirë më të madhe për lëvizje si dhe banjë më të gjerë.

Konvikti, siç na njoftuan nga drejtoria do të ofrojë edhe ushqim për studentët.

“Do të ketë edhe ushqim, varet prej udhëheqjes sonë a drekë ose darkë, sido që do ju konvenojë studentëve, është e përfshirë te kontrata”, tha Dervishi.

Ai thotë se studentët në konvikt do të jenë “si në shtëpi”.

“Kemi siguri, studentët do të ndjehen si në shtëpinë e vet”, tha Dervishi.

Në pjesën e jashtme mbetet pa përfunduar oborri, megjithatë aty vijonin punimet.

“Oborri është duke u punuar, mendoj se për studentët janë në rregull krejt për banim, kushtet janë krejt, oborri është duke u punuar dhe do të jetë gati për rreth dhjetë ditë”, tha Dervishi.

Mungesa e konviktit studentor përbënte problem për shumë studentë nga qytetet tjera dhe nga Kosova, pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë kolegëve për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.

Për këtë konvikt janë bërë maratonë premtimesh

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë.

Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Premtimi më i fundit ishte se konvikti do të lëshohej në përdorim në fillim të tetorit të këtij viti për vitin akademik 2023/24, megjithatë nuk u bë.

Premtimi i fundit për konviktin ishte se do të hapet me 1 tetor të këtij viti por nuk u bë, ndërkaq studentët e pranuar në konvikt për një muaj janë endur rrugëve për të gjetur akomodim alternativ apo kanë udhëtuar.