Deklaratat e Vuçiqit, BDI: Ndikimi i “botës serbe” në RMV sot është më i madh se asnjëherë më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, dhe kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, LSDM-ja opozitare në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar respektimin e vendimit të gjykatës dhe e ka cilësuar reagimin e Gashit si “jashtëzakonisht të papërshtatshëm”, transmeton Portalb.mk.

Vuçiq, duke iu referuar deklaratave të Salit dhe Gashit, i ka krahasuar reagimet e tyre me mënyrën se si, sipas tij, do të priteshin deklarata të ngjashme në rast se do të bëhej fjalë për persona serbë të dënuar në Hagë. Ai ka ironizuar deklaratat e zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se priste që të dënuarit të trajtoheshin si persona të shpallur fajtorë dhe jo si “çlirimtarë, heronj dhe trima”.

Gashi, pas aktgjykimit, kishte deklaruar se për popullin shqiptar ish-krerët e UÇK-së “janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës”, ndërsa Sali kishte thënë se në Hagë është dënuar lufta e UÇK-së dhe se historia e lirisë së Kosovës nuk mund të zhbëhet.

Në Maqedoninë e Veriut, për këtë çështje reagoi edhe LSDM-ja. Nga partia opozitare thanë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen, pavarësisht kombësisë së të akuzuarve apo kontekstit politik. Sipas tyre, vendimi nuk duhet të interpretohet si akt kundër popullit shqiptar apo të drejtës së Kosovës për liri, pasi gjykata ka gjykuar individë.

LSDM-ja gjithashtu e cilësoi reagimin e Gashit si të papërshtatshëm, duke argumentuar se ai mban një funksion shtetëror dhe se Maqedonia e Veriut, si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë vendimet gjyqësore dhe të shmangë standardet e dyfishta.

Ndërkohë, për aktgjykimin kanë reaguar edhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Ata shprehën keqardhje për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe deklaruan se lufta e UÇK-së në Kosovë ishte luftë për liri dhe pjesë e historisë kombëtare shqiptare.

BDI: Reagimi i Vuçiqit është “tymnajë politike”

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ata thonë se është shqetësuese që ndikimi i Beogradit dhe i botës serbe në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot është më i madh se asnjëherë më parë. BDI thekson se kjo nuk është vetëm perceptim politik, por një çështje që është evidentuar edhe në raporte dhe vlerësime të institucioneve relevante ndërkombëtare.

“Deklarata e Vuçiqit është në vazhdën e krijimit të një tymnaje politike dhe zhvendosjes së vëmendjes nga thelbi i çështjeve. Ky tentim për manipulim dhe defokusim të opinionit publik është i ngjashëm edhe me përpjekjet e partive politike maqedonase gjatë ditës së djeshme për të barazuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, të themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 1993, me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Bëhet fjalë për dy institucione krejtësisht të ndryshme për nga statusi juridik dhe institucional: Tribunali për ish-Jugosllavinë ishte tribunal ndërkombëtar i krijuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion gjyqësor i themeluar në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, me bazë në Kushtetutën dhe legjislacionin e saj”, thuhe në reagim.

Aktgjykimi i 16 shtatorit i shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa vepra penale. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18, Selimi me 13 dhe Krasniqi me 25 vjet. Për një pjesë të akuzave për krime kundër njerëzimit ata u shpallën të pafajshëm, ndërsa vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

 Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “ShëSavës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq. Kjo temë u hap edhe më 12 shtator 2025 me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit nga delegacioni serb dhe mesazhet që u përcollën.

Kujtojmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.