Gur-themeli për shkollën e Sellcës nuk u hodh në vitin 2023 siç paralajmëroi Shaqiri, MASh thotë se do bëhet ditët në vijim

Punimet ndërtimore për objektin e ri të shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës assesi të fillojnë, pavarësisht zotimeve të autoriteteve. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri në fillim të muajit nëntor 2023 deklaroi se gur-themeli pritej të hidhej deri në fund të vitit 2023. Por kjo nuk u bë. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) thonë se punimet do të fillojnë ditëve në vijim por pa theksuar se kur, shkruan Portalb.mk.

Objektin e ri të shkollës, banorët e Sellcës e presin me vite të tëra pasi objektet ekzistuese ku nxënësit ndjekin mësimin janë në kushte të këqija.

MASh për Portalb.mk informoi se punimet pritet të fillojnë ditëve në vijim, por pa treguar se kur konkretisht dhe kur do të përfundojnë të njëjtat.

“Ndërtimi i objektit të ri shkollor për shkollën fillore “Rilindija” në Sellcë të Tetovës, është pjesë e programit të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore, për të cilën janë ndarë 45 milionë denarë. Fillimi i aktiviteteve ndërtimore pritet në ditët në vijim”, thanë nga MASh.

Fillimin e punimeve për këtë shkollë ministri i Arsimit Jeton Shaqiri dhe zëvendëskryeministri Artan Grubi e paralajmëruan edhe me 22 janar 2024.

Nga ana tjetër Valedin Ademi, udhëheqës i Njësisë për Arsim në Komunën e Tetovës për Portalb.mk theksoi se nuk kanë asnjë njoftim nga MASh për këtë shkollë.

“Në lidhje me shkollën e re në fshatin Sellcë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk kemi marrë asnjë njoftim si themelues i shkollave se kur do të fillojë ndërtimi i shkollës së re”, tha Ademi.

Nxënësit e fshatit Sellcë mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion.

Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023, pas së cilës ministrat e BDI-së u lavdëruan në rrjetet e tyre sociale.

Nga Komuna e Tetovës theksuan se shpresojnë që kjo të realizohet dhe mos të mbetet vetëm premtim.

Kritika për këtë shkollë ndaj pushtetit, konkretisht ndaj BDI-së kishin banorët e fshatit Sellcë, të cilët në fillim të këtij viti ripërsëritën kërkesën e tyre shumë vjeçare për shkollën ndaj funksionarëve të BDI-së në një tubim partiak po në këtë fshat. Madje ata thanë se nëse shkolla dhe kërkesa të tjera nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, ata do t’i dënojnë me votë.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së Sellcës është edhe pjesë e programit zgjedhor me të cilin garoi BDI-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare. Konkretisht në faqe 134 thuhet se “vlera do të jetë 1.153.000 euro ndërsa do të fillojë në vitin 2020 dhe do të përfundojë në vitin 2022”, por që kjo nuk u realizua në këtë afat.