Në një intervistë të botuar në librin ”Zoti nuk është shqiptar”, poeti dhe intelektuali i shquar Azem Shkreli (1938-1997), mes tjerash, flet për të ardhmen e Kosovës, pas çlirimit nga kthetrat serbe.
Ai e njihte filozofinë e politikanëve shqiptarë, që postet i shfrytëzojnë shpesh për interese e privilegje meskine, jo për formimin dhe afirmimin e qenies dhe subjektit kombëtar, me gjithë limitet dhe hilet e politikës së tjetrit. Kjo e dhënë ia bënte më të qarta historitë e trishta shqiptare, të vërtetat e hidhura se një pjesë jona ka qenë dem baba dem kleçka dhe shkaktari i fatkeqësive të pësuara, me vetëdije apo pa të. Në këtë kontekst poeti përmend: mungesën e prirjes për të mësuar nga pësimet, mosdijen dhe bredhjen para ngjarjeve, pasjen më shumë besim tek të tjerët se tek vetja, vonimet kronike nëpër kohë, teket e huqet që e bëjnë anën e zymtë të imazhit tonë, i cili, megjithatë nuk është folklorisht epik dhe i bukur siç na pëlqen ta pandehim.
Në vitet kur Kosova mbeti me dhunë nën okupimin e ri të Jugosllavisë së reduktuar, Azem Shkreli kundërshtoi profkat serbe, me të cilat tentohej njëfarë restaurimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Ai ishte kundër të drejtave të “dhuruara” e të dozuara nga të tjerët dhe besonte se vetëm shpirtlirët janë ata që mund ta zgjidhnin përfundimisht çështjen e Kosovës. Zgjidhjet tjera i aspironte vetëm një numër simbolik shqiptarësh, në mesin e të cilëve sigurisht kishte dhe të tillë që mjaftoheshin me gjendjen e okupimit të egër e poshtërrues.
Katandisjen e gjithanshme poeti ia faturonte sidomos mungesës së unitetit brendaetnik. Për këtë ai thoshte: Nuk janë të pashkak shqetësimi dhe zhurma rreth unitetit. Është ngushëllim naiv se të tjerët nuk e dinë se s’kemi mjaft unitet. Ata e dinë këtë dhe na njohin si paranë e kuqe. Prandaj dhe e shfrytëzojnë mosunitetin tonë si instrument dhe armë kundër nesh.
Natyrisht, kur fliste për çështjen në fjalë, Azemi nuk e kishte për unitetin e shpallur nëpër tubime spektakulare e patetike, po për unitetin e ndërtuar në vetëdijen e njerëzve, që arrihet me shumë mundim, durim, tolerancë dhe kulturë komunikimi. Për bindjet e tij: një unitet të tillë e arrijnë ndërtuesit jo proklamatorët.
Përkundër problemeve me të cilat po përballej Kosova, Ai ishte i sigurt se ajo një ditë do të çlirohet nga dhuna e Kasapëve të Ballkanit. E dinte gjithashtu se Kosova do të jetë e tillë çfarë do ta meritojnë shqiptarët, se Ajo do të jetë e lirë, për aq sa ata do të jenë në gjendje ta ndërtojnë me mendjet dhe me duart e tyre. Kjo, thoshte ai, është ABC-ja e parë dhe më e madhe, të cilën nuk e mësuam dhe nuk po e mësojmë dot…
Çfarë profecie për situatën në të cilën është kolovitur Kosova edhe pas shpalljes shtet i pavarur dhe çlirimit nga çizmja serbe! Pikërisht duke e pasur parasyshë këtë papjekuri dhe mosnxënie nga pësimet e vazhdueshme, po e mbyll shkrimin me shqetësimin që Azem Shkrelit ia shprehu dikur një plak i urtë Kosove: Eu, po si na poqën e s’u poqëm?!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.