Mbi kualitetin e drejtësisë

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg solli një aktgjykim të rëndësishëm dy ditë më parë. Bëhet fjalë për rastin Janakievski kundër Maqedonisë së Veriut ku ish ministri Mile Janakievski kishte ngritur ankesë para kësaj gjykate lidhur me paraburgimin e zgjatur në dy lëndët ku ai ndiqej penalisht: “27 Prilli” dhe “Shkallët spanjolle”. Në momentin kur Gjykata e Strasburgut si mekanizmi më i fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në truallin evropian sjell një vendim në favor të individit më të përfolur që është i akuzuar në numrin më të lartë të lëndëve penale që lidhen me procesin e përgjimit, në opinionin publik bie hije mbi kualitetin e proceseve gjyqësore që udhëhiqen në këtë vend. Fatkeqësisht, në momente të tilla vihet në dyshim drejtësia, veçanërisht duke u keqinterpretuar ashtu siç ju konvenon disave që duan ti relativizojnë një sërë krimesh që patën pasoja të rënda për të gjithë ne, pasoja nga të cilat assesi nuk mund të rehabilitohemi edhe tani, vite më vonë.

Në opinion u përhapën fjalë se Gjykata Evropiane ka vendosur në favor të Janakievskit dhe ka shpallur se vendosja e tij në paraburgim në rastet që udhëhiqen ndaj tij ka qenë e padrejtë dhe e jashtëligjshme. Të thjeshtësosh një aktgjykim të një gjykate prestigjioze të shkruar në 103 paragrafe me një fjali të vetme është vërtet e pamundur dhe shumë e gabuar. Ky aktgjykim duhet lexuar me shumë kujdes dhe nga i njëjti duhen nxjerrur mësime nga të gjithë, e në veçanti nga gjyqtarët që duhet të menaxhojnë me raste komplekse si ato të ngritura nga ish Prokuroria Speciale.

Të qartësojmë që në fillim, Gjykata e Strasburgut nuk e shpall të lashtëligjshëm vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Janakievskit. Përkundrazi, nga analiza e thellë që u bëhet ligjeve vendase dhe vendimeve të sjella nga gjykata vendase, Gjykata vlerëson se veçanërisht, në rastin e 27 Prillit, vendosja e masës së paraburgimit ka qenë më se e arsyeshme dhe e bazuar juridikisht. Gjykata konstaton që paraburgimi në atë rast është dhënë për të parandaluar arratisjen e të dyshuarit si dhe ndërhyrjen dhe pengimin e procedurës hetimore që ka qenë në zhvillim e sipër. Këto baza juridike për vendosje të masës së paraburgimit janë legale dhe legjitime, dhe si të tilla të parapara jo vetëm në ligjet tona, por edhe në ligjet dhe praktikën gjyqësore të të gjitha vendeve evropiane.

Gjykata evropiane e sheh problemin tjetërkund, pra jo në vendosjen fillestare të masës së paraburgimit, por në kohëzgjatjen e paraburgimit, pra vazhdimin e kësaj mase për një kohë të gjatë, si dhe në mënyrën e vendosjes dhe arsyetimit të vazhdimit të kësaj mase nga ana e gjykatës.

Paraburgimi është masa më e rëndë që merret me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurën penale. Duhet të jepet kur nuk ka mënyra tjera si të sigurohet kjo prezencë, dhe ç’është më e rëndësishmja, nevoja për paraburgim duhet të vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme nga gjykata dhe vendimet eventuale për vazhdim të paraburgimit duhet të sillen në kohë dhe të jenë të arsyetuara në mënyrë precize. Pikërisht këtu qëndron problemi në rastin në fjalë. Gjykimi në këto dy raste ka zgjatur për një kohë të gjatë, si edhe tek rastet tjera të Prokurorisë Speciale të cilat i shohim të vjetërsohen çdo ditë. Sa herë që është prolonguar gjykimi, është vazhduar edhe masa e paraburgimit, dhe këtu qëndron problemi kryesor. Rregulla e paraparë në Ligjin tonë të procedurës penale përcakton që nevoja për paraburgim duhet të vlerësohet vazhdimisht nga ana e gjykatës, dhe në momentin kur kjo masë nuk do të jetë më e nevojshme, e njëjta të zëvendësohet me masë tjetër më të lehtë. Gjykata vendase ka trajtuar aq shumë raste për Janakievskin në seanca të panumërta kohore sa që e ka pasur si duket të vështirë që gjithmonë të sjell vendimin e duhur dhe adekuat për kohëzgjatjen e këtij paraburgimi. Për më tepër, Gjykata e Strasburgut konstaton se arsyetimi i dhënë për vazhdimin e paraburgimit nuk ka qenë sa duhet bindës dhe ka qenë shpesh herë i përsëritur nga vendimet e mëparshme. Me fjalë të tjera, gjykata shpesh ka kopjuar arsyetimet e mëparshme në vendimet e reja me të cilat e ka vazhduar këtë paraburgim, duke mos i arsyetuar siç duhet arsyet pse personi në fjalë duhet edhe më tej të qëndrojë në paraburgim.

Aktgjykimi i Gjykatës së Strasburgut në këtë rast i nxjerr në pah problemet shumëvjeçare të gjyqësorit në Maqedoninë së Veriut: Gjykatat janë të mbingarkuara me raste komplekse që në shpesh duhet t’i udhëheqë një gjyqtar i njëjtë. Për këtë shkak, gjyqtarët nuk arrijnë që rastet t’i përfundojnë në afat të arsyeshëm kohor. Brenda secilit prej atyre rasteve, gjyqtarët dhe këshillat gjyqësore duhet të sjellin vendime të shumta që kanë të bëjnë me paraburgimin por edhe me çështje tjera. Këto vendime shpesh sillen pa u arsyetuar mirë dhe në shpejtësi, duke kopjuar dhe pasuar paragrafët e vendimeve paraprake. Kualiteti i vendimeve dhe aktgjykimeve shihet në gabimet e shumta teknike, por shpesh edhe esenciale te ato. Dhe krejt kjo kontribuon në kualitetin e ulët të drejtësisë, ku edhe kur fajtorët dënohen me të drejtë, mbeten dyshimet lidhur me atë se sa e rregullt ka qenë e gjithë procedura në të cilën ata janë dënuar.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut duhet analizuar me shumë kujdes jo vetëm nga gjyqtarët por edhe nga të gjithë vendimmarrësit dhe politikbërësit të cilët vendosin për gjërat esenciale të gjyqësisë: sa gjyqtarët duhet të ketë, sa nëpunës profesionalë, sa duhet të zgjasin dhe si duhet të menaxhohen proceset gjyqësore. Me investime minimale në gjyqësor, gjithmonë nën buxhetin e paraparë dhe gjithmonë me deficit nëpër gjykata e prokurori publike, kualiteti i drejtësisë do të mbetet edhe gjatë kohë diskutabil. Në mënyrë që drejtësia të zbatohet nuk mjafton më që të fajshmit të dënohen, por kjo duhet bërë në procedurë precize dhe të saktë, ku vendosja e drejtësisë do të jetë e pakontestueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.