Petkoviq: Biseduam për draftstatutin e Asociacionit, energjinë, të zhdukurit

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se në takimin e të enjtes në Bruksel kanë biseduar për drafastatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për energjinë dhe po ashtu për temën e të pagjeturve, raporton Koha.net.

Petkoviq ka thënë se formimi i Asociacionit është “hapi i parë konkret që populli serb në Kosovë e M. e ka pritur për më shumë se 10 vjet”. Ai tha se diskutimet do të vazhdojnë.

Petkoviq i ka thënë gazetarëve se u është mirënjohës ekspertëve që ishin në delegacionin e Beogradit.

“Ata folën qartë për të gjitha aspektet e draftstatutit, veçanërisht për pjesën që i referohet pushtetit ekzekutiv. Në radhë të parë planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe që të financohet nga Beogradi”, tha Petkoviq.

Ai ka thënë se në rend dite ka qenë edhe çështja e energjisë dhe po ashtu e të pagjeturve. Tha se pret përparim.

“Bisedimet janë bërë me ekipin e Miroslav Lajçakut, por edhe me ekspertët e BE-së për këto tema. Pritet që t’i vazhdojmë bisedimet në periudhën në vijim. Statuti është shumë i rëndësishëm, sepse përfaqëson shtyllën kurrizore të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pas më shumë se pesë orësh bisedime që patëm sot në Bruksel, kthehemi me bindjen se përmes dialogut dhe zgjidhjeve të kompromisit mund të arrijmë përparim të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviq, duke shtuar se “Serbia është palë e përkushtuar në dialog”.

Petkoviq ka thënë se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në territorin e Kosovës. Zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor.

E kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit tha se nuk ka pasur diskutim për Asociacionin.

Ai ka thënë se pa nënshkrim nuk ka zbatim.

Sot në Bruksel nuk pati takim trepalësh.