Mbi idhujt e rrejshëm

Në rini shumica kanë pasur idhuj. Ne krijojmë idhuj të ndikuar nga familja, rrethi, shkolla, veçanërisht nga mediet.

Secila kohë i ka patur mediet mbizotëruese që ndikuan në mënyrën e jetesës së njerëzve. Në antikë ndikim të madh kishte teatri, prandaj bëhej kujdes çfarë do të shfaqej në skenë. Filozofët e lashtësisë kanë shkruar edhe për efektet e padëshirueshme që një shfaqje mund të kishte te një pjesë e publikut. U kritikuan edhe Eskili, Sofokliu dhe Euripidi.

Nga periudha e romantizmit e kemi “efektin Verter”. Të rinjtë, duke e ndjekur shembullin e protagonistit në veprën Vuajtjet e djaloshit Verter nga Gëte, përfunduan tragjikisht.

Media mbizotëruese për brezin tim ishin libri, gazeta, radioja dhe televizioni. Shpesh ishin të censuruara dhe kishin funksion ideologjik, propagandistik e indoktrinues. Ato ndikuan që të krijonim idhuj të kotë, me të cilët sot qeshim.

Sot media mbizotëruese janë televizioni dhe interneti, që ndikojnë te një pjesë e madhe e të rinjve, të cilët i kanë si modele jetësore “vipat”. Nëse vetëm pak gërryen në jetët e “vipave”, fillon të përhapet duhma e parave të pista. Me kësi parash bëhesh protagonist mediesh nga agu deri në muzg. Në kohën e internetit mund të bëhesh i famshëm, por përkohësisht. Pas shumë vitesh “vipat” askush s’ka për t’i kujtuar.

Ndodh që edhe zyrtarë të lartë të fotografohen me “vipat”, sepse kanë të njëjtin formim. Ata i dekorojnë “vipat”, por jo edhe njerëzit e mendimit, shkencës, artit, kulturës, arsimit, shëndetësisë, të cilët i mban gjallë vepra e tyre.

Le të shpresojmë se do të vijë dita kur modele jetësore të një rinie s’do të jenë “vipat” që përsëritin refrene të mërzitshme. Kjo mund të ndodh nëse jeta nuk kuptohet vetëm si argëtim, por edhe përgjegjësi për jetën e përbashkët. Nëse njeriu do të kishte jetuar vetëm për vete, sa për ta shijuar çastin, sot do të ishim në kohën e gurit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.