Mbi fëmijët, diturinë dhe kompromiset

Qytetet gjermane në përgjithësi kanë një sharm të veçantë dhe bëhen të afërta për ne sa herë që i vizitojmë. Njëra ndër arsyet kryesore për këtë është fakti që kemi aq shumë njerëz në ato vende sa shpesh na ndodh që të dëgjojmë gjuhën tonë shqipe dhe dialektet tona të veçanta rrugëve të qytetit, në metro e në autobusë, dhe kjo të krijon një ndiesi sikur ndihesh në shtëpi. Për më tepër, Gjermania si vend i rëndësishëm që jep kontributin kryesor në ekonominë e gjithë Unionit Evropian, na ka mundësuar edhe neve që të përparojmë në më tepër fusha dhe të mundësojmë që gjeneratat e reja të ecin përpara dhe të kenë më shumë perspektivë në jetën e tyre. Sa mirë do të ishte ta bëjmë edhe shtëpinë tonë si Gjermani, dhe ato perspektiva që ekzistojnë atje, të jenë të mundshme edhe për ne që jetojmë këtu! Rruga e vetme për këtë është integrimi ne UE dhe puna e vazhdueshme për të arritur ato standarde që vendet si Gjermania kanë kohë që i kanë vendosur.

Javën e kaluar pata rastin të marrë pjesë në një punëtori dyditore të organizuar nga Universiteti Teknik i Hamburgut. Ajo që më bën gjithmonë përshtypje është organizimi dhe realizimi i punëve hulumtuese në universitetet evropiane. Kur jemi te puna hulumtuese, kemi edhe ne shumë të rinj të aftë që me të vërtetë bëjnë studime shumë të avancuara dhe të nevojshme, por ajo që i dallon vendet e përparuara evropiane është mënyra se si ata e ndërlidhin industrinë me hulumtimet që zhvillohen në universitet. Të gjitha universitetet evropiane e përdorin të njëjtin sistem të ndërlidhjes së industrisë dhe hulumtimit në qendrat ekselente universitare. Hulumtimet më të rëndësishme në universitetet e tyre financohen nga gjigantët industrialë të cilët duan të gjejnë mënyrat më të mira dhe më të qëndrueshme të prodhimit, dhe për këtë nuk ngurojnë të investojnë shuma të mëdha në projekte shkencore ku të rinjtë e talentuar së bashku me profesorët dhe mentorët e tyre i zhvillojnë idetë e tyre kreative, të bazuara në aplikimin e njohurive teorike dhe praktike që i fitojnë pikërisht gjatë studimeve të tyre universitare. Një ndërlidhje e tillë përmbush dy qëllime: puna në universitet bëhet interesante, e qëndrueshme dhe kuptimplote, dhe nga ana tjetër, industria është gjithnjë në hap me kohën dhe me zbulimet më të reja të cilat bëhen sipas kërkesës dhe nevojave të asaj që kohërat moderne e kërkojnë.

Dy gjëra e kanë bërë Gjermaninë atë që është sot, shembull për të gjithë dhe burim jo vetëm i eksistencës por edhe i mirëqenies së përgjithshme të shumë njerëzve: puna dhe dituria. Si që e dimë, gjermanët nuk i frikësohen punës dhe as nuk kërkojnë që ta anashkalojnë atë. Është interesante se si edhe ata që nuk janë shumë të punës, kur shkojnë të jetojnë e punojnë atje, bëhen njerëz tjerë, ndryshojnë dhe hynë në sistem. Sikur të punojnë të gjithë aq shumë edhe në vendin tonë, kushedi sa shumë do të kishim përparuar gjer më tani. E dyta, gjermanët nuk bëjnë kompromis me diturinë. Atje mund të biesh nga provimi pas plot katër vitesh mësimi dhe nuk është se ke shumë mundësi për ta përmirësuar këtë. Kompromisi me diturinë na ka bërë ne këtu të tolerojmë paditurinë bile edhe ta vlerësojmë dhe ta shpërblejmë atë. Kompromisi me diturinë na bën të jemi humbës në këto kohë ku bota e çmon dijen ndërsa ne ende i çmojmë diplomat.

Kompromisi me diturinë tek ne fillon shumë herët, që në moshën e mitur. Sot që e festojmë me shumë gëzim ditën e fëmijëve, le të kujtohemi sa herë bëjmë kompromis me ta pikërisht lidhur me diturinë. Sa herë e sakrifikojmë leximin e tyre për punë tjera pa kuptim, sa herë i sakrifikojmë orët e mësimit të tyre për festa, sa herë ua cenojmë të drejtën e diturisë duke mos u angazhuar seriozisht në punën arsimore dhe edukuese për ta. Dhe një ditë, si pasojë e kësaj, ata rriten dhe bëhen analfabetë funksional. E ne vazhdojmë ta festojmë ditën e fëmijëve të cilët edhe në shkollë të mesme mund të ndodhë të kenë probleme me shkrim-leximin.

Tani që qershori filloi, dita e fëmijëve u festua dhe pushimet e verës po afrohen, le të mendojmë pak më thellë për kompromiset që i bëjmë në jetët tona. Dhe kur jemi te fëmijët, të mos harrojmë që ata mësojnë më së shumti nga shembulli i prindërve të tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.