Mbi 330 portale, televizione, radio dhe gazeta në RMV u paraqitën për reklama të paguara politike për zgjedhjet lokale

333 media u paraqitën në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për reklamim politik të paguar për zgjedhjet lokale të 19 tetorit brenda afatit të përcaktuar (tre ditë nga shpallja e zgjedhjeve), por Komisioni thekson se lista nuk është përfundimtare sepse aplikimet po kontrollohen, dhe afati për dorëzimin e listave të çmimeve skadon gjithashtu sonte në mesnatë. Sipas Planifikuesit të KSHZ-së, listat e çmimeve duhet të konfirmohen dhe të publikohen në faqen e internetit të KSHZ-së jo më vonë se 24 gushti, transmeton Portalb.mk.

Sipas MIA-s, numri më i madh i portaleve të internetit – 257 – kanë aplikuar për reklamim politik të paguar, dhe katër portale e kanë bërë këtë jashtë afatit. 43 radio stacione, 33 stacione televizive dhe tetë media të shtypura gjithashtu kanë aplikuar brenda afatit.

KSHZ tha për MIA-b se këto aplikime janë subjekt i shqyrtimit nga shërbimet e Komisionit, prandaj numri nuk mund të konsiderohet përfundimtar. Ata shpjegojnë se mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet e internetit) janë të detyruara të dorëzojnë listat e çmimeve për reklamat e paguara në KSHZ, Entin Shtetëror të Revizionit (ESHR) dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) brenda pesë ditëve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa transmetuesit duhet t’i dorëzojnë ato në AShMAA, KSHZ, ESHT dhe KSHPK brenda pesë ditëve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, jo më vonë se 14 gusht, ora 24:00. Ky afat, thekson KSHZ, është ende në fuqi.

“KSHZ-ja është e detyruar të konfirmojë dhe publikojë në faqen e saj të internetit listat e çmimeve të paraqitura me çmimet mesatare të llogaritura të përcaktuara nga transmetuesit dhe mediat e shkruara, si dhe të publikojë listat e çmimeve me çmimet e përcaktuara nga mediat elektronike (portalet e internetit), në përputhje me nenin 75-f paragrafi (3) dhe (9) të Ligjit për internetin, brenda 10 ditëve nga skadimi i afatit për dorëzimin e listave të çmimeve, jo më vonë se 24 gusht. Duke marrë parasysh sa më sipër, theksojmë se lista në tabelë nuk është përfundimtare”, thekson KSHZ-ja për MIA-n.

Kujtojmë se analiza “Autorizim diskrecional gjatë financimit të reklamimit të paguar politik” e Qendrës për Menaxhim me Ndryshimet, tregonte se shuma milionëshe nga buxheti i RMV-së ndahen për reklamim të paguar politik në mungesë të procedurës dhe kritereve të qarta, me çka lihet hapësirë për keqpërdorime.

“Kodi Zgjedhor i lejon diskrecion të plotë KSHZ-së gjatë pagesës së shpenzimeve për reklamim të paguar politik, pasi që edhe pse ligji përmban rregulla të përgjithshme për shpërndarjen e atyre harxhimeve, nuk ka kritere konkrete dhe procedurë nëpërmjet të cilës do të konstatohet nëse shpenzimet të cilat janë paguar janë bërë realisht”, thuhet në konkluzat e analizës.

Rekomandimi i tyre është që nëse nuk shfuqizohet reklamimi i paguar politik, atëherë duhet të rregullohet statusi i mediave elektronike në kuptimin që t’i kenë të gjitha obligimet sikur edhe radiodifuzerët, që të mund t’i kenë të drejtat e njëjta si radiodifuzerët.