Marketet në RMV duhet t’i etiketojnë produktet vendase për t’i dalluar më lehtë nga ato të importuara

Marketet në të gjithë vendin duhet të vendosin tashmë etiketa të veçanta për produktet vendase, në mënyrë që qytetarët t’i dallojnë më lehtë ato nga ato të importuara. Kjo është pjesë e fushatës qeveritare, e cila synon të mbështesë prodhimin vendas dhe të rrisë ndërgjegjësimin për cilësinë e tij, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, sot informoi se është duke u zhvilluar edhe regjistrimi i platformës online makedonskonajdobro.mk. Përmes saj, prodhuesit do të jenë në gjendje të promovojnë produktet e tyre, ndërsa konsumatorët do të kenë informacion mbi vendndodhjet e pikave të shitjes.

Sipas ministrit, marrëveshjet me marketet janë në fazën përfundimtare dhe pritet që etiketat të vendosen në rafte në ditët në vijim.

“Fushata tashmë ka filluar, materialet informative po shpërndahen intensivisht dhe qëllimi është të kemi dukshmëri të qartë se çfarë është prodhimi vendas dhe çfarë prodhim i importuar. Kemi produkte cilësore që duhet të jenë të dukshme për konsumatorët tanë. Me etiketat, qytetarët do të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhje”, tha Tripunovski.

Fermerët dhe shoqatat bujqësore, përpunuesit dhe prodhuesit e vegjël vendas dhe objektet e shitjes, tregjet, tregtarët e frutave dhe perimeve dhe tregtarët që ofrojnë produkte vendase mund të regjistrohen në platformën makedonskonajdobro.mk.

Platforma ofron një hartë “Ku të blejë”, e cila përdor gjeolokacionin për të gjetur pikat më të afërta të shitjes për produktet vendase.

Ministri njoftoi gjithashtu se së shpejti do të publikohet aplikacion celular, i cili do të lehtësojë më tej aksesin në këtë informacion për konsumatorët.

Qëllimi i kësaj iniciative, siç theksoi Tripunovski, është forcimi i ekonomisë vendase dhe inkurajimi i blerjes së produkteve vendase.

Qeveria nuk ka treguar se sa do të kushtojë fushata.