Pa kritere të qarta, mediave në RMV po u jepen para të qytetarëve për reklama politike, thonë nga QMN

Shuma milionëshe nga buxheti i RMV-së ndahen për reklamim të paguar politik në mungesë të procedurës dhe kritereve të qarta, me çka lihet hapësirë për keqpërdorime. Kështu shkruhet në analizën “Autorizim diskrecional gjatë financimit të reklamimit të paguar politik”, të publikuar nga Qendra për Menaxhim me Ndryshimet me titull, shkruan Portalb.mk.

Të rishqyrtohet nevoja e ekzistimit të reklamimit të paguar politik me paratë e qytetarëve, është rekomandimi i QMN-së në analizën e saj kushtuar mangësive të reklamimit të paguar politik.

“Kodi Zgjedhor i lejon diskrecion të plotë KSHZ-së gjatë pagesës së shpenzimeve për reklamim të paguar politik, pasi që edhe pse ligji përmban rregulla të përgjithshme për shpërndarjen e atyre harxhimeve, nuk ka kritere konkrete dhe procedurë nëpërmjet të cilës do të konstatohet nëse shpenzimet të cilat janë paguar janë bërë realisht”, thuhet në konkluzat e analizës.

Ata rekomandojnë që nëse nuk shfuqizohet reklamimi i paguar politik, atëherë Ministria e Drejtësisë dhe KSHZ, nëpërmjet akteve të posaçme nënligjore, të caktojnë kritere të qarta në lidhje me pranimin e faturave dhe pagesave të shpenzimeve për reklamimin e paguar politik.

Autorët e analizës, trajtojnë edhe çështjen e mungesës së kornizës ligjore për mediat elektronike dhe lëshimin e mjeteve buxhetore për të njëjtat.

“Kodi Zgjedhor lejon që mjete buxhetore të jepen për reklamim të paguar politik në internet portale, të cilët nuk janë të rregulluara si media me Ligjin e veçantë për Media. Për shkak lëshimeve për t’i rregulluar me ligj, Kodi Zgjedhor lejon që me mjete buxhetore të financohet media elektronike me çka potencialisht rrezikohet siguria nacionale, mund të nxitet rrënim i dhunshëm i rendit kushtetues, të thirret në agresion të armatosur dhe konflikt ose të nxit diskriminim, intolerancë dhe urrejtje”, thuhet në analizë.

Rekomandimi i tyre është që nëse nuk shfuqizohet reklamimi i paguar politik, atëherë duhet të rregullohet statusi i mediave elektronike në kuptimin që t’i kenë të gjitha obligimet sikur edhe radiodifuzerët, që të mund t’i kenë të drejtat e njëjta si radiodifuzerët.

“Kjo do të nënkuptonte regjistrim i obligueshëm në regjistër, i cili do të rregullohej me ligj, media të ketë redaktor përgjegjës dhe të punësuar, impresum, politikë të korrigjimeve, mbajtje përgjegjësi për shpifje dhe ofendim, por edhe obligim që të kujdesen për mbrojtjen e interesit publik”, thuhet në analizë.

Të dhënat e ESHR-së nga raportet e dorëzuar nga mediat dhe subjektet tjera për reklamim politik në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2021 tregojnë se në bazë të autorizimit diskrecional nga buxheti shtetëror janë paguar gjithsej 167.441,762 denarë apo rreth 2.722.630 euro.

Media, televizion, mediume
Media, foto: Meri Jordanovska

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e 84-të, më 29 shkurt, e ka miratuar regjistrin e radiodifuzerëve, mediave të shtypit, mediat elektronike dhe internet portalet, në të cilat do të kryhet reklamim i paguar politik për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në regjistër janë 249 portale, 37 televizione, 35 radio dhe 11 gazeta.

Partitë nuk do të mund të porosisin reklamim të paguar politik në mediat të cilat nuk janë në regjistrin e KSHZ-së dhe në to nuk do të mund të paguhet nga llogaria bankare për fushatën zgjedhore.

Këtë vit, zgjedhjet parlamentare dhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 8 maj. Sipas llogaritjeve të KSHZ-së, për reklamim të paguar politik do të nevojiten 10,6 milionë euro, e cila është shumë rekorde.

Fushatat e partive politike i paguajnë qytetarët, gjegjësisht financohen me paratë e buxhetit shtetëror. Modeli i këtillë i reklamimit të paguar politik i favorizon katër partitë më të mëdha, gjegjësisht ata marrin më shumë para.

Ligji parashikon nga 45% nga shuma e fituar të marrin dy partitë në pushtet dhe dy partitë më të mëdha opozitare, 7% do të shkojnë te partitë që në zgjedhjet paraprake kanë fituar ndonjë deputet, megjithatë nuk kanë mjaftueshëm përfaqësues për grup të deputetëve, ndërkaq vetëm 3% parashihen për partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.