Mashtrime edhe me produktet e mishit në RMV, inspektorët gjetën mospërputhje në ujin, proteinat dhe yndyrën e deklaruar
Shtatëmbëdhjetë prodhues të mishit dhe produkteve të mishit nuk kanë deklaruar përbërjen e saktë të përmbajtjes së ujit, yndyrave dhe proteinave. Këtë e kanë zbuluar analizat e përgjegjësve në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari (AUV). Fillimisht, drejtori Oliver Millanov për “Meta” kishte deklaruar se analizat kishin treguar se me mishin dhe produktet e mishit “gjithçka është në rregull”.
Siç thuhet në përgjigjen e Agjencisë për “Meta”, janë marrë 46 mostra nga produkte dhe përgatitje prej mishi.
“Janë marrë 17 rezultate të pakënaqshme nga testimet e produkteve dhe përgatitjeve prej mishi nga 46 mostra të marra. Mostrat e testuara janë të sigurta për konsum nga qytetarët, edhe pse për to janë marrë rezultate të pakënaqshme në aspektin e cilësisë, përkatësisht, siguria e tyre nuk është vënë në pikëpyetje. Për mospërputhjet e konstatuara janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 24.500 eurosh”, informojnë nga AUV.
Inspektorët gjatë muajve mars dhe prill kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese për të verifikuar cilësinë e ushqimit me prejardhje shtazore në objektet e shitjes me pakicë. Mostrat janë marrë nga shitja me pakicë.
AUV tashmë ka njoftuar se nga 45 mostrat e marra dhe të analizuara të qumështit dhe produkteve të qumështit, te 10 kompani është konstatuar se mostrat e analizuara nuk përputhen me dispozitat e Rregullores për cilësinë e produkteve bujqësore, përkatësisht, nga testimet është konstatuar se në produkte ka përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit nga ajo e deklaruar.
Te një kompani, nga e cila ishin marrë 22 kilogramë djathë i imët si mostra, është konstatuar se në vend të 20 përqind yndyrë qumështi, siç ishte deklaruar, në djathë kishte vetëm 1 përqind yndyrë qumështi. Për këtë kompanisë i është shqiptuar një gjobë prej 3.500 eurosh. Tetë kompanive të tjera, ndër të cilat edhe importues dhe prodhues, për mashtrim të ngjashëm ndaj konsumatorëve, përkatësisht për përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit nga ajo e deklaruar, u janë shqiptuar gjoba prej 1.050 eurosh secilës. Një qumështoreje tjetër, e cila në vend të yndyrës së qumështit ka përdorur yndyrë palme, AUV i ka shqiptuar gjobë prej 1.300 eurosh. Nga kjo qumështore janë konfiskuar gjysmë ton (500 kilogramë) “produkt qumështi” dhe janë asgjësuar në mënyrë të sigurt në deponi.
“Në kuadër të këtyre kontrolleve janë marrë 10 rezultate të pakënaqshme nga testimet e mostrave të qumështit të papërpunuar dhe produkteve të qumështit, nga gjithsej 45 mostra të marra. Janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 13.200 eurosh në kundërvlerë denarësh. Në pjesën më të madhe të mospërputhjeve të konstatuara te kjo kategori produktesh që janë kontrolluar dhe testuar në laborator, ato kanë të bëjnë me devijime në përqindjen e yndyrave të qumështit, si dhe me përdorimin e yndyrave bimore si zëvendësim për yndyrat e qumështit (yndyrë palme), të cilat nuk janë deklaruar, ndërsa produkti është shitur si i tillë, duke i çuar konsumatorët në mashtrim. Në përputhje me Rregulloren për kërkesat e cilësisë së qumështit të papërpunuar, standardet për cilësinë e qumështit të konsumit, produkteve të qumështit dhe përdorimin e emërtimeve të tyre, cilësinë dhe aktivitetin e kulturave fillestare, mullëzave dhe substancave të tjera specifike dhe mënyrën e përdorimit të tyre, mënyrën e shënimit shtesë të qumështit dhe produkteve të qumështit, si dhe devijimin e lejuar të peshës në raport me atë të deklaruar dhe Ligjin për cilësinë e produkteve bujqësore”, informon AUV.
Prof. dr. Sonja Srbinoska nga Instituti për Bioteknologji të Kafshëve pranë Fakultetit të Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit në UKM, për “Meta” deklaroi se rregullat në këtë fushë nuk janë të reja dhe se që nga viti 2011 ekziston një rregullore e qartë, sipas së cilës një produkt në të cilin yndyra e qumështit është zëvendësuar me yndyrë palme nuk mund të mbajë emërtimin “djathë”.
“Është e qartë se rregullorja nuk respektohet. Kjo është mashtrim dhe kompanitë e bëjnë këtë për të fituar. Gjobat që u shqiptohen janë shumë të ulëta dhe duhet të jenë shumë më rigoroze”, tha Srbinoska.