Pas mashtrimeve me produktet e qumështit, AUV thotë: “Produktet e mishit janë në rregull”
Pasi një muaj më parë Agjencia për Ushqim dhe Veterinari informoi për një sërë parregullsish lidhur me produktet e qumështit që shiten në raftet e dyqaneve, tani nuk zbulon informacione më të detajuara nga gjetjet për produktet e mishit të përpunuar. Në njoftimin për publikun nga AUV, që lidhej me mashtrimet në produktet e qumështit, ndër të tjera shkruhej: “Pritet kompletimi edhe i rezultateve për produktet e testuara të mishit të përpunuar, për të cilat publiku do të informohet më tej”, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, publiku deri më sot nuk është informuar më hollësisht për gjetjet në atë raport. Për këtë Meta.mk kërkoi dokumentin dhe më shumë informacione për këto produkte, por deri në këtë moment nuk ka përgjigje nga institucioni, edhe pse ato informacione janë me interes publik. Ajo që morëm ishte një përgjigje e shkurtër nga drejtori Oliver Milanov, i cili tha se me produktet e mishit gjithçka është në rregull.
“Me produktet e mishit gjithçka është në rregull. Nuk ka devijime të mëdha, janë në rregull”, tha Milanov.
Në prag të Ditës Botërore të Qumështit, 1 qershor, AUV informoi se nga mostrat e marra dhe të analizuara, 45 mostra të qumështit dhe produkteve të qumështit, te 10 kompani ishte konstatuar se mostrat e analizuara nuk i përmbushnin dispozitat e Rregullores për cilësinë e produkteve bujqësore, përkatësisht me testimet ishte konstatuar se në produkte kishte më pak përqindje të yndyrës së qumështit nga ajo e deklaruar.
Te një kompani, nga e cila ishin marrë 22 kilogramë djathë i imët si mostra, ishte konstatuar se në vend të 20 përqind, siç ishte deklaruar, në djathë kishte vetëm 1 për qind yndyrë qumështi. Për këtë kompanisë i ishte shqiptuar gjobë prej 3.500 euro.
Në tetë kompani të tjera, mes të cilave edhe importues dhe prodhues, për mashtrim të ngjashëm ndaj konsumatorëve, përkatësisht për përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit nga ajo e deklaruar, u ishin shqiptuar gjoba prej nga 1.050 euro.
Në një qumështore tjetër që në vend të yndyrës së qumështit kishte përdorur yndyrë palme, AUV i kishte shqiptuar gjobë prej 1.300 euro. Nga kjo qumështore ishin marrë gjysmë ton (500 kilogramë) “produkt qumështi” dhe ishin asgjësuar në mënyrë të sigurt në deponi.
Drejtori Milanov, në pyetjen e Mea.mk se cilat kompani dhe cilat produkte konkrete janë “të dyshimta”, u përgjigj se në përputhje me Ligjin për të dhënat personale dhe në përputhje me Ligjin për konsumatorët dhe në përputhje me Ligjin për informacionet lidhur me ushqimin, nuk mund të thotë për cilat firma bëhet fjalë.
Lidhur me pyetjen nëse AUV do të iniciojë rritjen e gjobave për raste të tilla, Milanov informoi se në fazë finale ishin ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, në të cilin gjobat do të jenë më të mëdha.
Prof. dr. Sonja Srbinovska nga Instituti për bioteknologji shtazore pranë Fakultetit të shkencave bujqësore dhe ushqimit në UKM, për Metën tha se rregullat në këtë fushë nuk janë të reja dhe se që nga viti 2011 ekziston një rregullore e qartë sipas së cilës një produkt në të cilin yndyra e qumështit është zëvendësuar me yndyrë palme nuk guxon të mbajë emrin “djathë”.
“Është e qartë se rregullorja nuk respektohet. Kjo është mashtrim dhe kompanitë e bëjnë këtë për të fituar. Gjobat që u shqiptohen janë shumë të vogla dhe duhet të jenë shumë më rigoroze”, tha Srbinovska.