Qeveria e RMV-së llogariti shportë konsumatore për 10.000 denarë më të lirë se ajo e sindikatave

Një familjeje katëranëtarëshe në gusht i nevojiteshin 58.475 denarë, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Prej tyre, 21.132 denarë nevojiteshin për ushqim dhe pije, ndërsa 1.429 denarë për shërbime shëndetësore, transmeton Portalb.mk.

Kjo është rreth 10.200 denarë më pak se shporta minimale sindikale, e cila sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), në gusht arrinte në 68.676 denarë.

Ministri Besar Durmishi thotë se dallimi vjen si pasojë e metodologjive të ndryshme. Ai deklaroi se llogaritja e ministrisë bazohet në të dhënat zyrtare për konsumin real, ndërsa ajo e sindikatave vlerëson shpenzimet e jetesës së një familjeje.

“Nuk duam të hyjmë në një garë se cila shportë është më e lartë apo më e ulët. Qëllimi ynë nuk është t’i minimizojmë shpenzimet e qytetarëve, por të sigurojmë një pasqyrë objektive dhe transparente të konsumit”, tha Durmishi.

Sipas të dhënave që prezantoi ministri, nga janari deri në gusht të këtij viti, vlera e shportës është rritur për 2.095 denarë, përkatësisht për 3,7 përqind.

Llogaritjet e ministrisë tregojnë gjithashtu se shporta konsumatore në gusht ishte rritur për vetëm 29 denarë krahasuar me korrikun, ndërsa shpenzimet për ushqim ishin ulur për 255 denarë.

Kujtojmë se shporta minimale sindikale për muajin shtator arriti në 69.432 denarë – treguan përllogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Krahasuar me muajin e kaluar, kur shporta sindikale ishte 68.675 denarë, vlera e saj për shtatorin është rritur për 757 denarë.