Mariçiq-Saracin: Periudhë kyçe në negociatat me BE-në është përpara, nuk duhet të humbet koha dhe shansi

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Bojan Mariçiq ka zhvilluar sot takim me Manuel Saracin, përfaqësues special i Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ku është diskutuar për negociatat e anëtarësimit, amendamentet kushtetuese, reformat dhe sigurinë e perspektivës evropiane për rajonin, transmeton Portalb.mk.

Manuel Saracin në takim theksoi qartë se anëtarësimi në BE është i sigurt dhe se koha dhe ky shans nuk duhet humbur kot. Në këtë drejtim, Saracin shtoi se në Bashkimin Evropian ka një debat aktiv për zgjerimin e ardhshëm, i cili duhet të japë një plan konkret dhe kornizë kohore në muajt në vijim, dhe tha se duhet të ecim shpejt kur është fjala për hapin e ardhshëm në procesin e negociatave dhe kapjen e korsisë së shpejtë, me vendet kandidate që tashmë po negociojnë.

Zëvendëskryeministri Mariçiq tha se Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut në rrugën evropiane, duke theksuar se si vend kemi bërë shumë për rrugën drejt BE-së, por edhe se periudha kyçe është duke ardhur.

“Si Qeveri e mbajmë fokusin në përmbushjen me sukses të obligimeve dhe një qasje të re ndaj BE-së, për të bërë edhe më shumë në fushën e reformave dhe me shpejtësi më të madhe të hyjmë në vitet kyçe për evropianizimin e shoqërisë maqedonase, tha Mariçiq në takim.

Në takim u konfirmua edhe një herë se Republika Federale e Gjermanisë mbetet e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të rajonit dhe se angazhimi i saj është të mbetet aktive në procesin e anëtarësimit dhe pa komplikime dhe vonesa të mëtejshme, për të përfunduar efektivisht negociatat me BE.

Zëvendëskryeministri Mariçiq falënderoi Gjermaninë që është partneri ynë politik dhe ekonomik, si dhe aleat në përmbushjen e agjendës së reformave dhe qëllimeve strategjike.

Saracin, porosi të ngjashme dha edhe në takimin e djeshëm me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ku nënvizoi se me rëndësi është mos nënçmohet periudha kohore për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Vështrimi i tij është se është humbur shumë kohë në rajon, ndërsa dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit nuk guxon të lëshohet.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet. Kryetari i Kuvendit e ndërpreu seancën me informimin se nuk ka më të regjistruar për diskutim dhe vazhdimi, siç tha ai, do të caktohet në mënyrë shtesë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.