I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor: Të mos nënvlerësohet afati kohor për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me të dërguarin special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin. Në takim ishte e pranishme ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.S. Petra Dreksler dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova, transmeton Portalb.mk

I dërguari special Saracin, e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer me Bundestagun gjerman, sidomos këmbimin e përvojave për sigurimin parlamentar. Në kuadër të funksionit të vet, e ofroi ndihmën dhe mbështetjen për avancimin e procesit të eurointegrimeve, duke theksuar se Republika Federale Gjermane dëshiron që procesi i ndryshimeve kushtetuese të rrumbullakohet sa më shpejtë.

Duke e pasur parasysh mundësinë për hapjen e negociatave me Ukrainën në dhjetor të këtij viti, rreziku nga veçimi i vendit tonë nga vendet tjera, pa përmbushjen e kërkesave të duhura evropiane, është i paevitueshëm. Për këto arsye, me rëndësi është se si do të formulohet pyetja e nxjerrjes së ndryshimeve kushtetuese, por akoma më me rëndësi është mos nënçmohet periudha kohore për nxjerrjen e tyre. Vështrimi i tij është se është humbur shumë kohë në rajon, ndërsa dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit nuk guxon të lëshohet.

U potencua bashkëpunimi dukshëm i theksuar parlamentar me Bundestagun gjerman në disa vitet e fundit në të gjitha nivelet, përfshirë edhe programi bursist IPS dhe projekti për sigurimin e pavarur parlamentar. Kryetari Xhaferi informoi edhe për aktivitetet të cilat si vend i ndërmarrim në raport me obligimet nga anëtarësimi në NATO për mbështetjen e Ukrainës, si edhe për procesin aktual të fillimit të ndryshimit të Kushtetutës si parakusht i vetëm i cili duhet të rrumbullakohet për hapjen e krerëve të negocimit.

Të dy bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin e shkëlqyer në planin ekonomik dhe diasporën në Republikën Federale të Gjermanisë që paraqet një bazë të shkëlqyer për afrim dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet dy shteteve.

Kryetari i Kuvendit e ndërpreu seancën për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht me informimin se nuk ka më të regjistruar për diskutim dhe vazhdimi, siç tha ai, do të caktohet në mënyrë shtesë.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.