Mariçiq: Tani ka ardhur koha të sillen vendime për BE-në, në dhjetor pritet pakoja për zgjerim

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq deklaroi se në dhjetor në Bruksel pritet të debatohet dhe të sillet vendim për fillim të negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, në të cilën do të shtohen edhe katër shtete të cilat tashmë negociojnë për anëtarësim me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.

“Kjo nuk do të thotë se dikujt i është garantuar diçka ose se duhet të jetë, por thjeshtë jepet rast, mundësi që këto shtete të kapin hapin dhe t’i përfundojnë negociatat para vitit 2030. Këtu është rasti jonë, këtu është shansi ynë dhe duhet momentin e parë kur do të hapet porta për anëtare të reja të Bashkimit Evropian, ndërsa ai do të jetë viti 2030, ne të jemi në skenën me shtetet-anëtare të reja. Ky është qëllimi ynë dhe ne duhet të qëndrojmë në atë korsi”, porositi Mariçiq në lajmet në Alsat.

Për mesazhet që i dërgoi kryetari i Këshillit të Evropës Sharl Mishel nga Bledi dhe Makroni i cili foli për Evropën në disa shpejtësi, zëvendëskryeministri Mariçiq, siç kumtoi SÇE, tha se asnjëra nga këto ide nuk është e re, por ajo që është e re dhe është kthesë është se për herë të parë pas anëtarësimit të Kroacisë jepet përcaktim kohor vitin 2030 për zgjerimin e ardhshëm, duke theksuar se këtë duhet ta shfrytëzojmë sepse jemi kategori e shteteve që negociojnë së bashku me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi dhe se duhet të lëvizim në atë korsi të shpejtë që sa më shpejtë, gjegjësisht siç tha zëvendëskryeministri “jo më vonë se viti 2030 të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian”.

Në pyetjen se çfarë mund të presin autoritetet në Shkup nga Samiti i ardhshëm në Granadë, Mariçiq theksoi se e presin listën e shteteve të cilat janë potenciale për anëtarësim në vitin 2030 dhe planin detajor për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, të cilin tashmë e paralajmëroi kryetarja e Komisionit Evropian, Fon der Lajen.

Ai potencoi se VMRO-DPMNE dhe të gjithë deputetët në Kuvend duhet që t’i pranojnë ndryshimet kushtetuese si përgjegjësi kyçe të këtij mandati, për çka siç thotë ai “të mundemi që vitin e ardhshëm të shkojmë në zgjedhje dhe të bisedojmë për tema të tjera, se si mund të ofrohet politikë më e mirë ekonomike, politikë më e mirë për qeverisje të së drejtës, etj.”.

Ai potencoi se në qoftë se ndodhë mossukses me ndryshimet kushtetuese, gjeneratave të ardhshme për shtatë vite kur do të ketë anëtare të reja në BE do të duhet t’u shpjegohet se “nuk jemi midis anëtareve të reja sepse në vitin 2023 nuk kemi dashur t’i fusim bullgarët në Kushtetutë” dhe se kjo tha Mariçiq “do të na duket tragjike për shtatë vite”.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.