Maqedonia nuk ka sistem të përgatitur dhe efikas për mbrojtje dhe shpëtim, konstatoi Revizioni
Maqedonia nuk ka një sistem të përgatitur që mund t’u përgjigjet dhe të përballet në mënyrë efikase me katastrofat. Këtë e konstaton raporti i ri i Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), në të cilin është bërë analizë e temës “Ndërtimi i sistemit për menaxhimin e krizave, mbrojtjen dhe shpëtimin përmes investimeve në pajisje dhe resurse, mirëmbajtjen e mjeteve me qëllim rritjen e operacionalitetit, efikasitetit dhe efektivitetit”, transmeton Portalb.mk.
Pyetja që duhet, përkatësisht të cilës i përgjigjet raporti i Revizionit Shtetëror, i publikuar sot, është nëse sistemi i mbrojtjes civile në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i përshtatshëm për një përgjigje efikase dhe përballje me katastrofat.
Revizioni evidenton dobësi në planifikimin strategjik, koordinimin dhe menaxhimin e resurseve, kapacitete të pamjaftueshme njerëzore dhe materiale, si dhe investime të kufizuara në modernizimin dhe pajisjet e reja për shërbimet që përbëjnë sistemin e mbrojtjes civile.
Sipas revizionit, nga aspekti normativ, përkatësisht sa u përket ligjeve që e rregullojnë këtë fushë në vend, nuk ka mungesë. Ato janë të vendosura. Megjithatë, përkundër kësaj, sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit nuk funksionon si mekanizëm i integruar dhe efikas për parandalimin, gatishmërinë, reagimin në kohë dhe përballjen me katastrofat.
Dobësitë dhe nevoja për reforma në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit, siç është konstatuar, janë evidentuar edhe para tetë vitesh, me shqyrtimin e realizuar nga Bashkimi Evropian (BE), përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2018. Por, sipas raportit, deri në ditën e revizionit, edhe pse kishte dhe ishin ndërmarrë disa iniciativa, reformat e nevojshme nuk janë zbatuar.
Nuk ka strategji kombëtare
Në këtë drejtim, nuk është miratuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje dhe Shpëtim si dokument strategjik që do t’i përcaktonte qëllimet dhe prioritetet e sistemit, ndërsa strategjia e fundit kishte vlefshmëri deri në vitin 2018.
Ndërkohë, është hartuar Draft-strategjia për periudhën 2026–2030, por ajo nuk është miratuar, ndërsa nuk është miratuar as Programi Vjetor për Mbrojtje dhe Shpëtim për zbatimin e strategjisë.
Për më tepër, theksojnë nga ESHR-ja, nuk është përditësuar as Plani për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa, siç thonë nga institucioni, para revizorëve nuk është paraqitur dëshmi se Plani është miratuar nga Qeveria.
Situatë identike është edhe me dokumentin për “Vlerësimin e rrezikshmërisë nga fatkeqësitë natyrore dhe aksidentet e tjera në territorin e Republikës”. I miratuar në vitin 2007, dokumenti nuk është përditësuar në mënyrë që të mund t’u përgjigjet rreziqeve të reja dhe kushteve bashkëkohore.
“Gjithashtu, nuk është miratuar Metodologji e re për përmbajtjen dhe mënyrën e vlerësimit të rreziqeve dhe planifikimit të mbrojtjes dhe shpëtimit”, thuhet në raport.
Në këtë kontekst, Revizioni konstaton se mungesa e këtyre dokumenteve strategjike kontribuon në mungesën e prioriteteve të përcaktuara qartë, udhëzimeve për zhvillim dhe skenarëve për veprim, gjë që ndikon në mënyrën e menaxhimit të rreziqeve dhe katastrofave.
Sipas raportit, forcat operative në kuadër të sistemit përballen me numër të pamjaftueshëm të burimeve njerëzore, mungesë të pajisjeve, ndërsa, sipas revizorëve, nuk ekzistojnë as mekanizma për monitorimin e efikasitetit të tyre.
Raporti evidenton gjithashtu se funksionimi i shpëtimit malor nuk është i rregulluar me ligj si pjesë e forcave operative në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit, edhe pse praktika në disa vende evropiane tregon se njësitë e zjarrfikësve, Kryqi i Kuq dhe shpëtimi malor përbëjnë shtylla kyçe të sistemit operativ të mbrojtjes dhe shpëtimit.
Shërbime zjarrfikëse me mungesë personeli dhe pajisjesh
Sa u përket forcave të zjarrfikësve, Revizioni ka analizuar gjendjen me Brigadën e Mbrojtjes nga Zjarri (BMPZ) të Qytetit të Shkupit. Ajo, siç thuhet, është përgjegjëse për mbrojtjen dhe shpëtimin e 617 mijë banorëve në një sipërfaqe prej 1.818 kilometrash katrorë dhe gjatë vitit 2024 ka pasur 1.412 intervenime në zjarre dhe 161 intervenime teknike.
Megjithatë, pavarësisht këtyre treguesve, brigada e zjarrfikësve në Shkup mbetet me mungesë personeli dhe me pajisje të vjetruara.
“Nga 384 vende pune të sistematizuara për zjarrfikës, janë plotësuar vetëm 172, ndërsa është konstatuar edhe pajisje e vjetruar kundër zjarrit, e cila ndikon në gatishmërinë operative dhe efikasitetin e Brigadës, e cila është më e madhja si forcë për mbrojtje dhe shpëtim në nivel lokal, rajonal dhe republikan”, thuhet në raportin e ESHR-së.
Sa i përket financimit, sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit merr mjete nga buxheti i shtetit dhe nga buxhetet e komunave, përkatësisht Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, por nuk ka model të vendosur që do të mundësonte gjenerimin e të ardhurave dhe qëndrueshmërinë përmes të hyrave vetanake, si dhe modele për planifikim investues dhe përdorim më efikas të mjeteve nga donatorët, organizatat ndërkombëtare dhe shtetet partnere.
Ndryshe, sipas raportit, në periudhën 2022–2024, për mbrojtjen nga zjarret janë siguruar gjithsej 2,2 miliardë denarë ose rreth 36,6 milionë euro, prej të cilave rreth 1,4 miliardë denarë ose rreth 23 milionë euro kanë qenë dotacione të dedikuara nga Buxheti i Republikës, ndërsa 782.898.000 denarë (12,7 milionë euro) kanë qenë nga buxhetet e komunave. Mjetet nga donacionet gjatë kësaj periudhe kanë qenë rreth 11 milionë denarë ose rreth 180 mijë euro.
Nga gjithsej mjetet, pjesa më e madhe, përkatësisht 98,5 përqind, kanë qenë për paga dhe kompensime, ndërsa vetëm 1,5 përqind janë shpenzuar për shpenzime kapitale. Kjo, siç konstaton Revizioni Shtetëror, e kufizon hapësirën për modernizimin, furnizimin me pajisje dhe automjete dhe forcimin e gatishmërisë operative të forcave të mbrojtjes civile.
Ndryshe, sipas ESHR-së, dotacionet e dedikuara për Njësitë Territoriale të Zjarrfikësve (NJTZ) nga Buxheti në vitin 2026 arrijnë në 1 miliard denarë, që paraqet rritje prej 90,3 për qind krahasuar me vitin 2025, kur dotacionet kanë qenë 5,2 milionë denarë.
“Pajisjet e pamjaftueshme, mungesa e personelit të trajnuar dhe qasja e paunifikuar në organizimin dhe financimin e njësive të zjarrfikësve ndikojnë në gatishmërinë e tyre reale operative”, përfundon Revizioni Shtetëror.
Dobësi në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim
Revizioni, siç është evidentuar në raport, ka konstatuar dobësi edhe në menaxhimin e forcave ajrore për përballjen me zjarret pyjore. Dobësitë janë konstatuar në pjesën e burimeve njerëzore, logjistikës dhe prokurimeve.
Analiza e shpenzimeve për mjetet ajrore tregon se në periudhën 2023–2025 për servisimin, furnizimin me pjesë rezervë dhe sigurimin e mjeteve ajrore janë shpenzuar gjithsej rreth 150 milionë denarë. Ndërkaq, në vitet 2023 dhe 2024, shpenzimet vjetore kanë qenë 59,5 dhe 59,6 milionë denarë, që paraqet 7,4 përqind të vlerës së vlerësuar të mjeteve ajrore prej 800 milionë denarësh, përkatësisht nga 3,7 përqind për servisimin dhe 3,7 përqind për sigurimin.
Dobësi të konsiderueshme revizioni ka konstatuar edhe në menaxhimin e mjeteve materiale në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Konkretisht, sipas raportit, Drejtoria disponon me mbi 30 depo nëpër departamente rajonale, për të cilat nuk është vendosur sistem i integruar për evidencë materiale dhe financiare, ndërsa ka mungesë të magazinierëve dhe kontrolleve përkatëse.
Revizioni vlerëson se sistemi i menaxhimit të krizave në vend funksionon kryesisht në mënyrë reaktive, përmes aktivizimit gradual të resurseve nga niveli lokal në atë kombëtar, ndërsa në kushtet e kapaciteteve të pamjaftueshme lokale shpallet gjendje krize dhe angazhohen resurset e Armatës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndihma ndërkombëtare.
Në vitet 2024 dhe 2025, siç thuhet, disa herë janë shpallur gjendje krize për shkak të zjarreve, gjë që tregon për kapacitete të pamjaftueshme për përballje efikase me katastrofat.
“Njëkohësisht, nuk është vendosur sistem për analizimin, monitorimin dhe vlerësimin e efektivitetit të veprimit të forcave për mbrojtje dhe shpëtim, ndërsa në Raportet Vjetore për punën e DMSH-së nuk sigurohen informacione të mjaftueshme për funksionimin e sistemit”, thuhet në raport.
Ndryshe, si shembull pozitiv, revizioni veçon Komunën e Ohrit dhe Shërbimin e Shpëtimit Malor të Kryqit të Kuq të Ohrit, ku, siç theksojnë nga ESHR-ja, është vendosur organizim funksional, koordinim dhe gatishmëri operative, me financim të siguruar, burime njerëzore dhe shpëtues të trajnuar në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Pak inspektorë
Kapacitete të kufizuara janë konstatuar edhe te mbikëqyrja inspektuese. Çdo vit realizohen nga 1.168 deri në 1.369 mbikëqyrje me vetëm 14 deri në 17 inspektorë.
“Në shkurt të vitit 2026, DMSH-ja i ka dorëzuar Qeverisë një informacion në të cilin është theksuar se me mënyrën aktuale të punës dhe realizimin mesatar të rreth 1.300 mbikëqyrjeve në vit, do të nevojiteshin përafërsisht 55 vjet për kontrollimin e të gjitha subjekteve juridike. Për mbikëqyrje të rregullt dhe kontrolluese inspektuese një herë në vit, sipas vlerësimit të DMSH-së, do të nevojiteshin 322 inspektorë, për 72.181 ndërmarrje aktive”, thonë nga ESHR-ja.
Me qëllim tejkalimin e dobësive të konstatuara, ESHR-ja rekomandon zbatimin e reformave për vendosjen e një sistemi të integruar dhe funksional për mbrojtje dhe shpëtim, përmes miratimit të Strategjisë Kombëtare, një kornize të qartë normative, financimit të qëndrueshëm, forcimit të kapaciteteve dhe vendosjes së një sistemi efikas të monitorimit dhe mbikëqyrjes.