RMV ka paguar mbi 64 milionë euro për kontestet e punës në pesë vjet, 48% për kamata dhe shpenzime, konstatoi Revizioni

Mungesa e një qasjeje efikase dhe sistematike në trajtimin e kontesteve të punës ka shkaktuar dalje të mjeteve nga buxheti i shtetit në vlerë prej mbi 64 milionë eurosh gjatë një periudhe pesëvjeçare, konstaton Enti Shtetëror i Revizionit në revizionin e performancës kushtuar efekteve të këtyre procedurave gjyqësore mbi arkën e shtetit. Sipas gjetjeve të revizorëve, gjatë periudhës 2020–2025, në bazë të këtyre kontesteve janë paguar gjithsej 3.971.570 mijë denarë, përkatësisht rreth 64,4 milionë euro, nga të cilat pothuajse gjysma kanë përfunduar për kamata, shpenzime gjyqësore dhe shpenzime përmbarimore, transmeton Portalb.mk.

Struktura e mjeteve buxhetore të paguara tregon se borxhi kryesor arrin në 2.049.648 mijë denarë, përkatësisht rreth 33,2 milionë euro ose 51,61 përqind të shumës së përgjithshme. Pjesa tjetër prej 1.921.922 mijë denarësh, përkatësisht pothuajse 31,1 milionë euro, që përbën 48,39 përqind të mjeteve, janë shpenzuar për mbulimin e kamatave, shpenzimeve të procedurave gjyqësore dhe shpenzimeve përmbarimore. Për më tepër, madje 95,36 përqind e mjeteve janë arkëtuar me detyrim përmes urdhrave për përmbarim, ndërsa pagesat vullnetare nga institucionet kanë përbërë vetëm 4,64 përqind.

Raporti i revizionit evidenton rritje të vazhdueshme të numrit të lëndëve gjyqësore në procedurë, i cili brenda katër vitesh është rritur për më shumë se dy herë e gjysmë. Në vitin 2021 kishte 9.361 lëndë aktive, ndërsa në vitin 2025 ky numër u rrit në 24.556 lëndë. Këta tregues janë marrë nga institucionet e përfaqësuara nga Avokatura e Shtetit, ndërsa nga 85 organet e kontaktuara, të dhëna kanë dorëzuar 69, kurse 12 kanë njoftuar se nuk kanë pasur pagesa mbi këtë bazë.

Këto pasoja financiare për buxhetin janë rezultat i dobësive serioze në funksionimin e sistemit. Legjislacioni dhe aktet nënligjore përmbajnë paqartësi dhe mospërputhje që krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe zbatim jo të barabartë, ndërsa mungojnë edhe analiza për shkaqet për të cilat punonjësit padisin institucionet, në mënyrë që të iniciohen ndryshime përkatëse ligjore. Në institucione rrallë zbatohen mënyra alternative për zgjidhjen e konflikteve, ndërsa Avokatura e Shtetit kryesisht vepron në mënyrë reaktive përmes përfaqësimit para gjykatave, pa një rol mjaftueshëm të zhvilluar këshillues dhe parandalues. Gjithashtu, mënyra e papërshtatshme e evidentimit dhe pagesës nuk ofron të dhëna të strukturuara, gjë që vështirëson ndjekjen e detyrimeve dhe menaxhimin e rreziqeve financiare.

Enti Shtetëror i Revizionit, përmes rekomandimeve të dhëna, kërkon nga autoritetet që urgjentisht të vendosin një sistem funksional për menaxhimin e kontesteve të punës, të saktësojnë kornizën ligjore, të përmirësojnë ndjekjen analitike të lëndëve dhe të forcojnë mekanizmat për parandalimin e daljeve të panevojshme financiare nga buxheti i shtetit.

Ndryshe, paraprakisht, Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) ka konstatuar një sërë dobësish dhe parregullsish në planifikimin, zbatimin dhe realizimin e prokurimeve publike në SHA EMV – Shkup. Me revizionin e përputhshmërisë janë përfshirë 27 procedura për prokurime publike me detyrime të marra në vitin 2024 në vlerë të përgjithshme prej mbi 8,8 miliardë denarësh (rreth 143,5 milionë euro), që përbën 58,42 përqind të detyrimeve të përgjithshme që i nënshtrohen Ligjit për Prokurime Publike, në vlerë prej 5 175 014 mijë denarësh.