Grup kriminal për kontrabandë dhe korrupsion në RMV: 6 të arrestuar, mbi 100 mijë euro të sekuestruara
Më 21.09.2026, nën drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, në koordinim me Departamentin për Operacione Speciale Policore – Njësinë për Vendosje të Shpejtë, kanë zhvilluar një aksion policor për shkatërrimin e një grupi kriminal të përfshirë në kontrabandë me mallra dhe vepra penale korruptive, transmeton Portalb.mk.
Në bazë të urdhrave të Gjykatës Themelore Penale Shkup, janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, me ç’rast janë privuar nga liria gjashtë persona. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar mbi 100 mijë euro, 16 pllaka me ngjyrë ari, cigare dhe duhan pa pulla të akcizës, sasi e madhe ilaçesh dhe suplementesh, të cilat ishin futur ilegalisht në vend, disa telefona celularë dhe sende të tjera.
“Njësia për Kriminalitet Financiar pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz ka dorëzuar në PTHP NKOK kallëzim penal kundër tetë personave: M.S. (52) nga Tetova, Z.S. (42) nga Gjevgjelia, A.S. (38) nga Shkupi, B.L. (46) nga Tetova, E.A. (55) nga Shkupi, D.Xh. (46) nga Tetova, B.A.K. (34) dhe S.S. (42), të dy shtetas të Republikës së Turqisë, për disa vepra penale, mes të cilave “kontrabandë”, “fshehje të mallrave që janë objekt kontrabande”, “shmangie të pagesës së akcizës”, “marrje ryshfeti”, “dhënie ryshfeti”, “prodhim dhe hedhje në qarkullim të mjeteve të dëmshme për trajtim” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2026, personi i parë i kallëzuar, M.S., ka organizuar futjen dhe magazinimin ilegal të mallrave të akcizës – cigare dhe duhan, si dhe rishitjen e tyre të mëtejshme.
Në kuadër të aktiviteteve kriminale, përmes dhënies së ryshfetit zyrtarit doganor Z.S., anëtarëve të grupit u është mundësuar transportimi i papenguar i mallrave të akcizës përmes vijës doganore, pa deklarim dhe pa pagesën e detyrimeve ligjore, si dhe futja ilegale e ilaçeve dhe suplementeve të destinuara për shitje.
Me një pjesë të veprimeve të konstatuara është shkaktuar dëm material ndaj buxhetit të shtetit, përkatësisht janë shmangur detyrimet doganore, akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar në shumë të konsiderueshme, ndërsa me hedhjen në qarkullim pa autorizim, udhëzim dhe recetë të një pjese të produkteve, është shkaktuar rrezik për shëndetin e njerëzve.
Nga ana tjetër, Prokuroria gjithashtu njoftoi se aksioni është rezultat i dëshmive të siguruara përmes analizës së të dhënave të nxjerra nga telefoni celular i të dyshuarit të parë, i sekuestruar gjatë një bastisjeje të kryer në janar të këtij viti, bazuar në të dhëna operative të siguruara më herët
“Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij u gjetën sasi të mëdha cigaresh, si dhe 30.000 dollarë kanadezë, 35.000 dollarë australianë, 12.950 euro dhe 69.000 denarë. Në varësi të veprimeve të ndërmarra, të dyshuarit janë përfshirë për veprat penale Kontrabandë, Shmangie të pagesës së akcizës, Fshehje të mallrave që janë objekt kontrabande dhe mashtrim doganor, Shkelje të të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim të paautorizuar të emrit të një firme tjetër, Prodhim dhe hedhje në qarkullim të mjeteve të dëmshme për trajtim, Dhënie ryshfeti, Marrje ryshfeti dhe Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”, thonë nga Prokuroria.
Sipas dëshmive të siguruara gjatë procedurës së deritanishme, në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2026, i dyshuari i parë, duke shmangur kontrollin doganor, përmes vijës doganore ka transportuar mallra akcize të padeklaruara – cigare. Në kontrabandë e kanë ndihmuar disa të dyshuar, mes tyre edhe një zyrtar doganor, i cili e informonte për ndërrimet e tij, korsinë në të cilën ishte caktuar dhe kontrollet e shtuara doganore, duke mundësuar transportimin e papenguar të mallrave. Cigaret e kontrabanduara më pas janë hedhur në qarkullim pa pulla të akcizës, ndërsa disa nga të dyshuarit i kanë blerë dhe rishitur edhe pse e dinin se e kishin origjinën nga kontrabanda.
“Një pjesë e hetimit ka të bëjë edhe me tregtinë e paligjshme të ilaçeve dhe produkteve të tjera. I dyshuari i parë dhe i treti dyshohet se kanë importuar, magazinuar dhe ofruar për shitje në mënyrë të paautorizuar ilaçe, si dhe produkte për përmirësimin e funksionit seksual dhe potencës. Gjatë bastisjeve janë gjetur sasi të mëdha preparatesh të destinuara për trajtimin e diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, gjendjeve neurologjike dhe psikiatrike, sëmundjeve reumatologjike dhe autoimune, sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes dhe sëmundjeve inflamatore të zorrëve, si dhe antibiotikë, kortikosteroide, preparate hormonale, insulina, antikoagulantë dhe benzodiazepinë. Janë gjetur edhe “KAMAGRA oral jelly”, i cili jepet me recetë mjekësore, si dhe produkte të tjera për përmirësimin e funksionit seksual dhe potencës në formë tabletash, xhelesh, pastash, mjalti dhe çokollatash”, thonë nga Prokuroria.
Me veprimet e ndërmarra i është shkaktuar dëm Buxhetit të shtetit në bazë të shmangies së detyrimeve doganore, akcizës dhe tatimit mbi vlerën e shtuar në një shumë të konsiderueshme. Njëkohësisht, me hedhjen në qarkullim pa autorizimet, udhëzimet dhe recetat e nevojshme mjekësore të ilaçeve dhe mjeteve të tjera për trajtim, është krijuar rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Hetimi përfshin edhe një rast ryshfeti në Pikën Kufitare Doganore Bogorodicë. Ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari i parë i ka premtuar mjete financiare zyrtarit doganor të dyshuar, që ky të mos kryente kontroll doganor të një automjeti në të cilin transportoheshin cigare. Zyrtari doganor e ka pranuar premtimin dhe e ka lejuar automjetin të kalojë pa kontroll, ndërsa në dorëzimin e parave ka ndërmjetësuar i dyshuari i gjashtë, shtetas turk.
“Të dyshuarit të parë i ngarkohet edhe vepra Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale, pasi ekziston dyshim i bazuar se ai i ka fshehur mjetet financiare të përfituara nga aktivitetet kriminale me qëllim fshehjen e origjinës së tyre. Gjatë bastisjeve të kryera në kuadër të aksionit të djeshëm, në dy kasaforta metalike të fshehura në tavanin e varur në shtëpinë e tij janë gjetur 86.200 euro dhe 16 pllaka me ngjyrë ari. Në automjetin e tij janë gjetur gjithashtu 6.465 euro dhe 62.000 denarë. Së bashku me mjetet financiare të gjetura gjatë bastisjes në janar, në dy bastisjet te i dyshuari i parë janë gjetur shuma të konsiderueshme parash të gatshme në disa valuta, si dhe pllaka ari”, thonë nga Prokuroria.
Gjatë bastisjeve te të dyshuarit e tjerë janë gjetur dhe sekuestruar cigare dhe mallra të tjera për të cilat ekziston dyshimi se kanë origjinë nga kontrabanda. Të gjitha sendet dhe mjetet financiare të gjetura që kanë rëndësi për procedurën janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe analizës së mëtejshme.
Për tre nga të dyshuarit, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa për tre të tjerë ka propozuar masa kujdesi. Dy të dyshuar aktualisht janë të paarritshëm për organet e ndjekjes.
Mbrëmë në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke komentuar aksionin tha se suplementet ilegale për mbështetjen e potencës ishin në fokus të aksionit policor që nga mëngjesi i djeshëm po zhvillohej në kuadër të një hetimi ndaj një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente ushqimore.
“Nuk bëhet fjalë për ilaçe, por për suplemente dhe produkte të mjekësisë alternative. Rasti është i lidhur me aksionin e mëparshëm, i cili nuk ka të bëjë me botoksin, ndërsa të gjitha së bashku lidhen me luftën kundër kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme me ilaçe dhe suplemente, si dhe mjete të tjera që për një kohë të gjatë, supozoj, janë toleruar, ndërsa mund të çojnë në pasoja të mëdha të padëshiruara te ata që i konsumojnë”, tha ai.
Sipas tij, këto suplemente mund të shkaktojnë jo vetëm pasoja financiare, por edhe probleme shëndetësore, pasi bëhet fjalë për suplemente ilegale.
Duke përshkruar llojin e suplementeve të gjetura gjatë aksionit, ai tha se bëhet fjalë për produkte që përmbajnë bimë në kombinime të ndryshme dhe që shiten për qëllime të ndryshme, nga mbështetja e potencës deri te përmirësimi i funksionimit të organeve të tjera.
“Ato nuk janë të regjistruara në vend për një qëllim të tillë dhe janë plotësisht jashtë ligjit”, shtoi ministri.
Siç njoftuan zyrtarisht nga MPB-ja, aksioni është drejtuar ndaj një grupi kriminal të përfshirë në kontrabandë mallrash dhe kryerjen e veprave penale korruptive.