Arriti grupi i ri i vullnetarëve amerikanë të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut

Më 21 shtator arriti grupi i ri i amerikanëve në Maqedoninë e Veriut që do të shërbejnë si vullnetarë të Korpusit të Paqes. Ata do të ndajnë njohuritë dhe përvojën e tyre duke shërbyer si vullnetarë nëpër shkolla dhe organizata nëpër gjithë vendin, transmeton Portalb.mk.

Vullnetarët në aeroport u mirëpritën nga drejtori i Korpusit të Paqes në vend, Dejvid Risajd së bashku me të punësuarit në këtë organizatë.

“Sot, Korpusi i Paqes shënon një arritje të rëndësishme pasi festuam 30 vjetorin e funksionimit në Maqedoninë e Veriut dhe mirëpritëm ardhjen e 42 amerikanëve, e grupit të 29-të të vullnetarëve të Korpusit të Paqes që do të shërbejnë në Maqedoninë e Veriut. Këta 42 amerikanë do të caktohen të jetojnë dhe punojnë në komunitete të ndryshme në të gjithë vendin. Korpusi i Paqes është mirënjohës për bashkëpunimin këto 30 vjetët e fundit me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe partnerët tanë me të cilët mbështetëm më shumë se 980 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut që kanë shërbyer këtu që nga viti 1996”, thotë drejtori i Korpusit të Paqes në vend, Dejvid Risajd.

Gjatë qëndrimit të tyre dy vjeçar në Maqedoninë e Veriut, vullnetarët do të punojnë si arsimtarë dhe profesorë të gjuhës angleze dhe si edukatorë për nevoja të veçanta nëpër shkolla, si dhe në zhvillimin e bashkësive – në komuna dhe organizata joqeveritare.

Korpusi i Paqes ka bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët lokalë dhe kombëtarë dhe programet e tij i realizon në partneritet me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë dhe Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale. Ky është grupi i 29-të i vullnetarëve që do të jetojnë dhe punojnë në qytete dhe fshatra në të gjithë vendin. Gjatë tre muajve të parë, vullnetarët do të mësojnë gjuhët dhe kulturën lokale.

Vullnetarët do të fillojnë zyrtarisht shërbimin e tyre në vend në dhjetor 2026, pasi të bëjnë betimin solemn dhe zyrtarisht të bëhen pjesë e pothuaj një mijë amerikanëve që kanë shërbyer në Maqedoninë e Veriut nga viti 1996 kur u hap programi.