Fondi për Sigurim Shëndetësor i cenueshëm ndaj sulmeve kibernetike, paralajmëroi Revizioni

Nga mungesa e kuadrit profesional dhe procedurat e vjetruara, deri te përdorimi i softuerëve për të cilët prodhuesit kanë ndërprerë prej kohësh përditësimet e sigurisë. Këto janë vetëm disa nga mangësitë që i evidenton Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) në raportin përfundimtar më të ri për gjendjen me sistemin informatik të Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), transmeton Portalb.mk.

Revizioni i performancës, i realizuar nga Revizori Shtetëror me temën “Zbatimi i masave dhe kontrolleve të sigurisë në sistemin e IT-së të FSSH-së”, konstaton se sistemi informatik i Fondit, nga i cili varet funksionimi i përditshëm i shërbimeve shëndetësore për qytetarët, ka dobësi serioze në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin operacional.

Mungesë alarmante e kuadrit të IT-së – nuk ka as zyrtar për siguri

Një nga problemet më serioze që ka identifikuar revizioni është mungesa kritike e burimeve njerëzore. Sipas raportit, gjatë periudhës 2023–2025, në Sektorin e Informatikës ishin plotësuar vetëm shtatë nga gjithsej 42 vende të sistematizuara të punës, përkatësisht vetëm 16,67 përqind.

Situata është edhe më alarmante në Njësinë për Hardware, Softuer Sistemik dhe Komunikime, e cila, sipas raportit të Revizorit Shtetëror, funksionon me vetëm një të punësuar nga 11 sa janë paraparë, që përbën vetëm 9 përqind të vendeve të plotësuara.

Pozitat drejtuese, thuhet më tej, nuk janë plotësuar fare, ndërsa Fondi nuk ka të punësuar asnjë zyrtar për sigurinë e sistemit informatik – pozitë që, siç theksohet në raport, është e detyrueshme me ligj dhe thelbësore për mbrojtjen e bazave të të dhënave dhe monitorimin e politikave të sigurisë.

Për më tepër, FSSH-ja nuk ka miratuar strategji të IT-së dhe as analizë të plotë të rreziqeve, ndërsa procedurat e brendshme të punës datojnë nga viti 2014. Në vitin 2023, sipas raportit, ishin përgatitur procedura të reja, por ato nuk morën kurrë miratim zyrtar.

Pas trajnimit bazë online për sigurinë kibernetike në korrik të vitit 2023, të cilin e përfunduan 556 nga 830 të punësuarit, nuk janë organizuar trajnime të vazhdueshme dhe as simulime të sulmeve përmes mesazheve mashtruese (phishing), për të testuar gatishmërinë e të punësuarve.

“E-thesari” i vjetruar nga viti 2012 dhe bazat e pasigurta të të dhënave

Në nivel teknik, revizorët kanë konstatuar se sistemi është i ekspozuar ndaj rreziqeve serioze nga sulmet e jashtme dhe humbja e të dhënave.

Raporti evidenton se sistemi “E-thesari” funksionon në një platformë me kod të hapur, të publikuar në vitin 2012, të cilën prodhuesi e ka tërhequr prej kohësh dhe për të cilën nuk ka përditësime të sigurisë për më shumë se një dekadë. Në server përdoret edhe një bibliotekë e gjuhës programuese e njohur për dobësi kritike, gjë që e bën sistemin objektiv të lehtë për sulme të automatizuara. Ndërkaq, serveri i bazës së të dhënave nuk është përditësuar që nga viti 2023.

Gjithashtu, konstatohet se numri i llogarive të administratorëve tejkalon rekomandimet e sigurisë, autentifikimi me shumë faktorë nuk zbatohet për të gjithë përdoruesit, ndërsa rrjeti nuk është i segmentuar në mënyrë adekuate. Po ashtu, nuk regjistrohen ditarët e auditimit (log-et) të bazës së të dhënave dhe nuk ka persona përgjegjës për kontrollin e tyre.

Edhe pse Fondi ka sistem për kopje rezervë (backup) dhe lokacion sekondar për funksionim në rast të ndërprerjes së sistemit primar, Revizori konstaton se nuk ekziston politikë e miratuar për rikthimin e të dhënave. Gjithashtu, asnjëherë nuk është testuar nëse lokacioni sekondar dhe rikthimi i të dhënave funksionojnë realisht në situata krize. Deri më tani nuk është kryer as testim i depërtimit (penetration testing) në të gjithë sistemin.

Mangësi në kontratat e mirëmbajtjes dhe mungesë e të dhënave për “recetat elektronike”

Analiza e tetë kontratave kryesore për mirëmbajtjen e sistemit të IT-së (2023–2025) ka treguar se kanë ekzistuar periudha kohore kur sistemi nuk ka qenë fare i mbuluar me mbështetje teknike. Me disa nga kompanitë e jashtme që kanë privilegje administratori, sipas ESHR-së, nuk janë lidhur kontrata për ruajtjen e konfidencialitetit, ndërsa gjobat e parapara për dëmet në rast të mosrealizimit të obligimeve janë simbolike – maksimumi 15 përqind e mirëmbajtjes mujore, përkatësisht nga 18 deri në 52 mijë denarë.

“Kështu të përcaktuara, gjobat nuk ofrojnë garanci se operatori ekonomik do t’u përmbahet kushteve të kontratës dhe lënë hapësirë për rrezikun e shkaktimit të dëmeve reale në rast të humbjes së të dhënave ose pamundësisë së qasjes në sisteme të caktuara për një periudhë më të gjatë kohore”, paralajmëron ESHR-ja.

Revizioni vë në pah edhe një problem funksional në sistemin e lëshimit të barnave me recetë. Edhe pse mjekët dhe farmacitë janë të lidhur përmes sistemit “Termini Im”, FSSH-ja nuk ka informacione në kohë reale se sa dhe cilat barna janë lëshuar. Farmacitë i dorëzojnë specifikimet vetëm në fillim të muajit pasardhës, gjë që e vështirëson monitorimin dhe planifikimin e buxhetit të Fondit, si dhe i ngarkon burimet për shkak të kontrolleve shtesë dhe trajtimit të ankesave.

FSSH: Tashmë po ndërmarrim masa, plani i veprimit do të zbatohet deri në fund të vitit 2027

Pas publikimit të raportit, nga Fondi për Sigurim Shëndetësor njoftuan se gjetjet e ESHR-së i pranojnë me përgjegjësi të plotë institucionale. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Zlatko Perinski, më 26 tetor 2026, u ka dorëzuar revizorëve një plan veprimi për mënjanimin e mangësive të konstatuara.

Nga Fondi bëjnë të ditur se disa nga masat tashmë janë realizuar, ndër të cilat segmentimi i rrjetit në qendrën e të dhënave dhe emërimi i personave përgjegjës për administrimin e autentifikimit dhe kontrollin e qasjeve të përdoruesve.

Paralelisht, siç thonë nga Fondi, po punohet për përditësimin e politikave të sigurisë, hartimin e strategjisë së IT-së, përmirësimin urgjent të serverëve virtualë për sistemet “E-thesari” dhe DSG, si dhe plotësimin e vendeve kritike të punës në sektorin e IT-së. Zbatimi i plotë i të gjitha aktiviteteve nga plani i veprimit parashihet të përfundojë më së voni deri më 31 dhjetor 2027.

“Përmirësimi i sigurisë së informacionit nuk trajtohet si aktivitet i njëhershëm, por si përcaktim i përhershëm institucional, që nënkupton investime të vazhdueshme, modernizim teknologjik, menaxhim parandalues të rreziqeve dhe respektim të vazhdueshëm të standardeve të përcaktuara. Fondi mbetet plotësisht i përkushtuar për zbatimin e rekomandimeve të ESHR-së, brenda afateve të përcaktuara dhe në përputhje me dinamikën e paraparë”, thuhet në njoftimin e FSSH-së.

Kujtojmë se në raportin paraprak të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) mbi “Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transport” për vitin 2024, thuhej se nga 62 lokomotiva që disponon ndërmarrja, vetëm nëntë janë funksionale. Humbja për vitin 2024 arrin në 331,8 milionë denarë, ndërsa së bashku me humbjet e bartura nga vitet paraprake arrin në 6,75 miliardë denarë, përkatësisht mbi 109 milionë euro.