Taravari: 16 të lënduar nga Koçani do të lirohen në shtëpi, katër në gjendje kritike pasi janë në fazën e infeksioneve
Një ekip i kirurgëve plastikë do të dërgohet në Koçan për të lehtësuar procesin e rehabilitimit të pacientëve të lënduar nga zjarri tragjik që ndodhi së fundmi në këtë qytet, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai theksoi se një pjesë e madhe e të lënduarve janë nga Koçani, për këtë arsye është duke u shqyrtuar opsioni për dërgimin e ekipit të specializuar të kirurgëve në rajon, i cili do t’u mundësonte pacientëve të mos kenë nevojë të udhëtojnë vazhdimisht në qytete të tjera për trajtim, transmeton Portalb.mk.
“Në spitalin e Shtipit tashmë janë katër kirurgë plastikë, dhe varësisht nga gjendja individuale, disa pacientë do të kenë nevojë për rehabilitim prej dy javësh, ndërsa për të tjerët mund të zgjasë me muaj”, tha ministri i Shëndetësisë.
Aktualisht në institucionet shëndetësore jashtë vendit po trajtohen gjithsej 115 pacientë të lënduar nga zjarri tragjik në Koçan, ndërsa në spitalet e Shkupit janë shtruar 46 pacientë.
Nga të lënduarit që po trajtohen në Shkup, 16 së shpejti do të lirohen për mjekim shtëpiak, pasi të jenë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme, ndërsa 30 pacientë do të mbeten në kushte spitalore.
Nga pacientët e trajtuar në spitalet e Shkupit, 26 janë në Qendrën Klinike, nga të cilët 3 në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL), 6 në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, 11 në Klinikën e Toksikologjisë, dy në Klinikën e Pulmologjisë dhe Alergologjisë, dy në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, 1 pacient në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe 1 në Klinikën e Oftalmologjisë.
10 pacientë janë duke u trajtuar në SPQ “8 Shtatori”, ndërsa 10 të tjerë janë të hospitalizuar në Klinikën për sëmundje kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”. Gjithashtu, 8 pacientë janë shtruar në spitale private, të gjithë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë.
“Këtë javë në klinikat e Maqedonisë pritet të arrijnë edhe 8 pacientë të cilët janë duke u trajtuar jashtë vendit. Qëndrimi i tyre do të zgjasë një deri në dy ditë, pas së cilës do të lirohen për trajtim shtëpiak”, tha Taravari.
Katër pacientë që po trajtohen jashtë vendit janë në gjendje kritike, shumë prej tyre në një fazë ku infeksionet janë të mundshme si pasojë e djegieve të shkallës së dytë dhe të tretë.
Ministri theksoi se ekipet mjekësore jashtë vendit po bëjnë maksimumin për të arritur rezultate sa më të mira dhe shprehu shpresën që së paku gjysma e pacientëve të kthehen në vend brenda dy javësh.
Taravari po ashtu theksoi se përkundër presioneve dhe mesazheve që merr, nuk ka ndërmend të japë dorëheqje pasi siç tha ai është i fokusuar në kujdesin ndaj pacientëve dhe mirëqenien e tyre, gjë që është më e rëndësishmja tani.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
- LEXO: Nga ish ministri e deri te shitësi i biletave: Këto janë 34 të dyshuarit për zjarrin në Koçan
- LEXO: Toshkovski: Kemi ngritur kallëzime penale kundër 34 personave fizikë dhe tre juridikë
- LEXO: Prokuroria me detaje për rastin Koçani: Në mesin e të dyshuarve edhe Kreshnik Bekteshi dhe një pjesëtar i “DNK”, paraburgim për 24 persona