Marta Kos: Maqedonia do të përfitojë 71 milionë euro nga Plani i Rritjes
Sipas deklaratës së Kos, Maqedonia deri më tani ka realizuar 56 përqind të reformave të parapara. Ajo e veçoi Malin e Zi si vendin me përqindjen më të lartë të përmbushjes së reformave, me 94 përqind, për çka do të përfitojë 81 milionë euro në këstin e ardhshëm. Shqipëria ka realizuar 80 përqind të reformave dhe do të marrë 85,6 milionë euro në këstin e katërt, transmeton Portalb.mk.
Procedura për rishpërndarjen e mjeteve tashmë ka filluar, ndërsa pagesat shtesë pritet të realizohen gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas sqarimit të eurokomisioneres, mjetet e pashfrytëzuara, përfshirë edhe ato që fillimisht ishin paraparë për Serbinë, ndaj së cilës pagesat ishin ndërprerë që në janar, do të rishpërndahen te vendet që tregojnë rezultate më të mira në zbatimin e reformave.
Në samitin në Tiranë mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Sipas informacioneve nga Ministria për Çështje Evropiane, Maqedonia deri më tani ka siguruar 142,1 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Sali ka theksuar se në kuadër të kërkesës së katërt për pagesë janë dorëzuar 22 hapa reformues, me vlerë bruto të vlerësuar prej mbi 112 milionë eurosh, të cilat ende duhet të vlerësohen nga Komisioni Evropian.
Kos vlerësoi se Plani i Rritjes, i cili u krijua për t’u mundësuar vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë një pjesë të përfitimeve të anëtarësimit në BE edhe para anëtarësimit të tyre formal, së shpejti do ta përfundojë fazën e tij katërvjeçare.
Pas përfundimit të këtij mekanizmi, Bashkimi Evropian paralajmëron një qasje të re përmes integrimit gradual. Sipas Kos, nuk do të ketë mjete të garantuara paraprakisht, por qasja në pjesë të tregut të përbashkët evropian, si dhe në sektorët e energjetikës, transportit dhe teknologjive digjitale, do të varet nga përparimi në reforma dhe harmonizimi me rregullat e BE-së.
Eurokomisionerja përmendi në veçanti edhe Korridorin 8, i cili lidh bregdetin e Adriatikut në Durrës, përmes Maqedonisë dhe Bullgarisë, me Detin e Zi, duke vlerësuar se ai është pjesë e rrjetit më të gjerë evropian të transportit, që synon të lidhë Evropën Qendrore me Ballkanin Perëndimor.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon t’u ofrojë vendeve partnere të rajonit përfitimet e anëtarësimit ende pa u bërë zyrtarisht pjesë e BE-së. Ai synon integrimin e partnerëve në Tregun e Përbashkët të BE-së, avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe rritjen e financimit para-anëtarësues. Kjo, nga ana e saj, përshpejton procesin e zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të partnerëve.