Po përgatitet Platformë online për hapat e zbatimit të Agjendës së reformave, por s’dihet kur do të jetë gati
Ministria për Çështje Evropiane po zhvillohen një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese, tha ministri Orhan Murtezani. Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk është përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani siguron se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të jetë e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur, raporton Portalb.mk.
“Absolutisht zbatimi i Agjendës reformuese do të jetë transparente. Ne tani si Ministri për Çështje Evropiane jemi duke punuar në një Platformë online ku do të ketë qasje i gjithë opinioni dhe grupe të caktuara. Për arsye se Agjenda e reformave është dokument publik dihen saktësisht reformat dihen saktësisht datat dhe dihet saktësisht lista e projekteve. Lista ose hapat e implementimit do jenë publike dhe opinioni do ketë qasje në mënyrë të vazhdueshme. Kur do jetë platforma gati, atë nuk mund t’ua them saktë, por aktualisht po punohet në ndërtimin e idesë, por do jetë gati në afat sa më të shpejtë të mundur”, tha Murtezani i pyetur nga Portalb.mk në një ngjarje.
Megjithtë kjo mbetet për tu parë, pasi edhe Agjenda Evropa në Shtëpi, e cila atëkohë duhej të monitorohej nga Ministria e Punëve të Jashmte dhe Sekretariati për Çështje Evropiane, dikaster ky që u kthye në Ministri të Çështjeve Evropiane, ishte paraparë të jetë transparente, por nuk ndodhi kështu.
Për këtë dokument, i cili përmbante reforma të rëndësishme për integrimin evropian të vendit që në fillim të prezantimit të tij, u tha se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm dhe transparent rreth zbatimit. Qeveria, në çdo seancë të saj, duhej të shqyrtojë se çfarë është bërë dhe çfarë jo lidhur me këtë dokument, megjithatë, pas përfundimit të çdo seance nuk kishte informacion të bollshëm se sa dhe çfarë konkretisht ka diskutuar mbi këtë dokument.
Ndryshe, dokumentin “Agjenda-Evropa në shtëpi”, Qeveria e atëhershme e Maqedonisë së Veriut e shpalosi më 9 mars 2021, në të cilin ishin hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk konsiderohet ndonjë risi e veçantë. Ajo që pritej të shihet nga kjo Agjendë është nëse do të respektoheshin afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që kanë filluar nga marsi deri në dhjetor të këtij viti. Por, që duket se këto afate po mbesin vetëm në letër.
Nga ana tjetër, Agjenda e fundit e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.
Ky miratim i hapi rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
- LEXO: Agjenda reformuese e RMV-së identifikon një sërë sfidash, BE-ja do ta monitorojë zbatimin dhe do të vendosë për parat
- LEXO: Brukseli pret që me Agjendën reformuese RMV-ja të miratojë Kod të ri Penal dhe ligj për Prokurorinë
Kujtojmë se sot Komisioni për Çështje Evropiane në Kuvend, do të mbajë mbledhje ku do të prezantohet Agjenda e Reformave e Qeverisë (2024-2027) që i referohet Planit të Rritjes së Komisionit Evropian.
Agjenda e Reformave i thekson angazhimet e shtetit për zbatimin e suksesshëm të reformave të domosdoshme për të përmirësuar standardet në fushat e tilla si sundimi i së drejtës, reforma e administratës dhe tranzicioni energjetik.
Në mbledhje, fjalime para deputetëve do të mbajnë presidentja Gordana Siljanoska – Davkova, ambasadori i BE-së Mihalis Rokas dhe ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani.